"Zgjedhorja", Basha kundër
Berishës për Kushtetutën 2008SKEDA/ Pikët ku ndahen dhe ku pajtohen liderët

Berishës për Kushtetutën 2008SKEDA/ Pikët ku ndahen dhe ku pajtohen liderët">
TIRANE - Kreu i Kuvendit, njëherësh dhe kryetar i LSI Ilir Meta kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kërkuar vendosjen e listave të hapur e duke i hequr krerëve të partive ekskluzivitetin e renditjes së atyre që do shkojnë në kuvend dhe vendosur në garë vetë kandidatët përballë elektoratit. Ide kjo që gjeti dhe mbështetjen e kreut të PD, Lulzim Basha që shkoi më tej teksa u shpreh për herë të parë kundër ndryshimeve kushtetuese të 2008, dhe duke u vendosur në këtë mënyrë përballë ish-liderit të PD, asokohe kryeministër i vendit, Sali Berisha, teksa akuzon se ky sistem fuqizoi kryetarët për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kriminalizoi kuvendin.

“Është vetëm një gjysmë hapi sepse nëse 2008 solli një sistem që fuqizoi kryetarët e partive politike nën parimin se do ishte kështu më e lehtë të diktohet cilësi më e lartë e kandidimit ky parim u zhgënjye, u tradhtua e prodhoi për rrjedhojë parlamentin më të inkriminuar në historinë 25 vjeçare pluraliste. Spastrimi i listave me ligj nga personat me rekorde të tmerrshme kriminale do të mbetet i pamjaftueshëm nëse vullneti politik i liderëve, që nën këtë sistem caktojnë listat zgjedhore do të çojë që në vend të personave me rekorde kriminale në listat e ardhshme të kemi prezentë motrat, nipat apo mbesat e tyre duke iu lënë këtyre personave në dorë fijet për ti tërhequr ata si pelushanë”, deklaroi Basha, duke i vënë në këtë mënyrë përballë Berishës për këto ndryshime kushtetuese.

Meta propozoi listat e hapura të partive, çka do thotë se vetë qytetarët do zgjedhin për personat që duan t'i përfaqësojnë si deputetë në Kuvend dhe jo preferencë e kryetarit të partisë siç është aktualisht. Kjo do thotë se në zgjedhje, qytetarët nuk do votojnë vetëm për partinë që ata duan të fitojë zgjedhjet e të vijë në pushtet, por edhe me emër për deputetin me të cilin ata duan të  përfaqësohen. Kështu, partitë kanë të drejtë të bëjnë përcaktimin e renditjes së kandidatëve të tyre në çdo qark, por në fund fare qytetarët të kenë të drejtë të japin dhe preferencën e tyre brenda partisë.

Dhe jo gjithmonë ai që cakton partia është detyrimisht fituesi. Pra qytetarët do të jenë të mundur dhe të lirë që të zgjedhin edhe brenda një force politike atë që mund t’i përfaqësojë më mirë. Kjo do të bënte të mundur që deputetët të jenë më të lidhur me qytetarët dhe të mos bien automatikisht të zgjedhur për shkak se gëzojnë besimin e plotë të kryetarit apo të kryesisë së një force politike. Më konkretisht, nëse një qark ka 32 deputetë, secili kandidat ka një zonë elektorale, dhe nuk ka rëndësi nëse je i pari apo i 32-ti në listën e dorëzuar nga partia, me sistemin me lista të hapura gjithçka varet nga numri i votave të marra nga qytetarët, që do të përcaktojë më pas dhe renditjen në listën përfundimtare të deputetëve që do të hyjnë në Kuvend. Dhe mund të eliminohet dhe i pari në listën e partisë dhe të fitojë i 32-ti pas rezultatit përfundimtar.

Propozimet, Proporcional i pastër deri te sistemi me Prim
 
Propozimet për ndryshime të sistemit zgjedhor kanë qenë të shumta gjatë harkut kohor të këtyre viteve, pas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008, ndryshime që sollën dhe sistemin proporcional rajonal. Më aktive kanë qenë partitë e vogla, të cilat janë shprehur për një sistem të pastër proporcional kombëtar, me argumentin se sipas qarqeve kishte një ndryshim pragu elektoral në varësi të numrit të votuesve dhe që sillte sipas tyre mospërputhjen e votave me mandatet për partitë e tyre.

Ndërkohë që dhe LSI e Ilir Metës ka kundërshtuar proporcionalin rajonal, i cili gjithsesi nuk e pa penguar që në zgjedhjet e vitit 2009 të marrë 4 deputetë, pavarësisht se i kishte të gjithë kundër, ndërsa në koalicion me PS në zgjedhjet e vitit 2013 mori 16 deputetë. Por ndërkohë që në skenë është shfaqur sistemi proporcional me prim, fillimisht një ide e ministrit të shtetit për pushtetin vendor Bled Çuçi, për të zgjedhur mes sistemit zgjedhor grek apo spanjoll, por automatikisht partisë së parë në zgjedhje i jep 20 deputetë më shumë se sa vota parlamentare, çka eliminon partitë e vogla, ide e mbështetur në fillim dhe nga PD, pastaj e përdorur nga Berisha për diversion mes Metës dhe Ramës. Meta është shprehur kundër sistemit prim, duke e quajtur “dushk”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima