TIRANE - Bashkia e Tiranës ka prezantuar dy projektet finaliste për zgjerimin e bulevardit të kryeqytetit dhe lumit të Tiranës. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Lulzim Basha ka theksuar se projekti i bulevardit është projekti më madhor që qyteti po harton për veten e tij në këto vitet e fundit.

“Kjo javë është nga më të rëndësishmet në planifikimin e vizionit të saj afatgjatë. Në 3 ditët e para të kësaj jave në galerinë e arteve ne do të shohim 2 projektet finaliste dhe përfaqësuesit të na argumentojmë se përse projekti i tyre është më i mirë dhe si i përgjigjet ai parametrave të zhvillimit afatgjatë dhe vizionit tonë për një Tiranë europiane” theksoi Basha.

Sipas tij projekti do të jetë në shërbim të komunitetit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës si dhe një mundësi më shumë për të rritur numrin e të punësuarve.
Ai gjithashtu ka vlerësuar procesin si shumë emocionues e të bukur ka deklaruar se përzgjedhja do të shënojë më pas edhe nisjen e shpejtë të punës.

“Kemi diskutuar me grupet e interesit se si mund të maksimalizojmë përfitimet edhe në pjesë të tjera të Tiranës, kemi folur me botën e biznesit për impaktin e menjehershëm për hapjen e mijëra vendeve të punës dhe planet afatgjatë në krijimin e një poli të ri zhvillimi ekonomik”- tha Basha.

Ndërkohë dy kompanitë finaliste që janë përzgjedhur janë studiot DAR Group Turkey & United Kingdom , dhe The Netherlands Grimshaw Architects midis të cilave do të shpallet zbatuesja finale e projektit të bulevardit. Bulevardi i ri i Tiranës përfshin një zgjatim drejt Paskuqanit 1.7 km, ndërsa rehabilitimi i lumit të Tiranës mendohet në një sipërfaqe prej 6.7 km.

Projekti fitues pritet të shpallet ditën e mërkurë.

Dar Gruop
Britanikja “Dar Grup” krahas zgjatimit të bulevardit me dy parqe liqenorë e sheh veriun e kryeqytetit si një koncept ekonomik për qytetin, ndërsa lumin e Tiranës si një mundësi më shumë për biznesin. “Mundësia për Tiranën e veriut është që të zgjerojmë qendrën. Bulevardi do të ketë dy parqe liqenore. Për sa i përket lumit, ne e shohim atë si një mundësi më shumë për biznesin që të shtrihet përreth tij duke i dhënë kësaj zone një dimension ekonomik. Projekti ynë inkurajon një ekonomi të re për Tiranën dhe veriun e saj e shikojmë në këtë koncept për qytetin. Duke marrë të gjithë elementët e projektit deri në vitin 2020, mendohet se do të ketë 200 mijë vende të reja pune. Në lidhje me transportin dhe me infrastrukturën, do të jenë të gjitha mundësitë më të mira që qyteti do të ketë nesër, të cilat do të lidhen domosdoshmërisht me lumin e Tiranës”, – shpjegoi prezantuesi i studios “Dar Al-Handasah” (Shair and Partners).

Grimshaw
Në projektin e bërë nga arkitektët Grimshaw, që kanë konceptuar edhe Pallatin e Drejtësisë, më shumë rëndësi i është kushtuar bulevardit, por pa neglizhuar periferinë. “I rëndësishëm për ne është bulevardi dhe Tirana si një qytet me elemente kulturore. Elementi dytësor janë institucionet publike. Tjetra është shtrirja deri në Paskuqan, një zonë bujqësore e kulturore, duke i dhënë asaj gjelbërim, ndërtesa të vogla dhe shndërrimin e saj në një qytet. Lumit të Tiranës do i kushtojmë rëndësi në çdo element, florës e faunës së tij, shndërrimin e tij në një lumë më të ri e të pastër. Do krijojmë mundësitë që Tirana të jetë një vend tërheqës për turistët dhe banorët e saj. Elementi i dytë është Pallati i Drejtësisë, do fokusohemi te hapësirat që do zërë, si një pjesë e rëndësishme e projektit”, – pohoi përfaqësuesi i studios së hapur që në vitin 1980 nga Nicholas Grimshaw, e cila ishte një nga pionieret e arkitekturës me teknologji të lartë.

(kz/im/shqiptarja.com)