Në Organin e Akuzës së këtij qytetit flinin në sirtar tri dosje të bujshme, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge. Kjo e fundit tashmë ka dalë në dritë, ku ka çuar pas hekurave 11 zyrtarë, mes të cilëve dhe dy ish-drejtues rrugësh, Dashamir Xhikën e LSI dhe Andi Tomën e PD. Ndërsa, pak kohë më parë Prokuroria zbuloi dhe dosjen e dytë të zhdukur, që ishte ajo e KURUM, e cila përfundoi në Gjykatë pas mashtrimit me TVSH.
Ka qenë prokurorja e Prokurorisë së Elbasanit, Armanda Xhaferri, e njohur si një ndër zyrtaret që heton çështjet më të forta dhe të rëndësishme, që ka bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit për zhdukjen e këtyre tri dosjeve nga zyra e saj. Ishin pikërisht këto tri dosje që futën në sherr prokuroren Xhaferri me ish-kryeprokurorin e Elbasanit, Dritan Gina, i larguar pak kohë më parë nga Arta Marku.
Xhaferri akuzoi Ginën se i ka hequr në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin tre procedime penale, duke shtuar se dosjet ishin marrë pa dëshirën e saj. Në kallëzimin e bërë, prokurorja kërkoi që dosjet t’i riktheheshin sërish, por tashmë dy prej tyre kanë dalë në dritë dhe janë futur në hallkën e zgjidhjes. Mister mbetet ende edhe një dosje tjetër.
d.c./shqiptarja.com