TIRANËProkuroria e Posaçme ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës në Zvërnec ku pritet të ndërtohet resorti turistik. Në llogaritë e Artur Shehut dhe të tjerëve i është vendosur sekuestro shifrës prej 195 milionë dollarësh, e cila sapo ishte transferuar nga vëllezërit nga Katari, llogaritë e të cilëve tashmë janë zhbllokuara nga SPAK. Lëvizjet e SPAK i përshëndeti Kryeministri Rama i cili tha se hetimi do t’i japë përgjigje shteruese çdo pretendimi mbi pronësinë e tokës.

***

Një transfertë prej 195 milionë dollarësh u transferua 6 ditë më parë nga Katari në llogarinë e kompanisë “Albania Land Development”, fond i destinuar për blerjen e tokave në Zvërnec ku parashikohet të ndërtohet resorti luksoz turistik.

Menjëherë një ditë më pas SPAK vendosi fillimisht ta bllokojë llogarinë, në emër të vëllezërve Al-Khayyat nga Katari, për të bërë verifikime. Paratë rezultuan të pastra, të ardhura përmes transferimit të rregullt bankar nga Katari, dhe llogarive iu hoq sekuestroja.

Kjo i hapi rrugë transferimit të 195 milionë dollarëve në drejtim të pronarëve shqiptarë të tokës, në llogaritë e Artur Shehut dhe të të gjithë të tjerëve që kanë shitur tokat. Transaksioni është bërë nëpërmjet noterit.

Menjëherë pas kësaj, këtë të mërkurë Prokuroria e Posaçme bëri lëvizjen e radhës duke vendosur bllokimin sërish të 195 milionë dollarëve, këtë herë në llogaritë bankare të shqiptarëve, të cilët po verifikohen nëse janë pronarë të ligjshëm të tokave apo jo.  Sekuestro preventive e SPAK-ut, vjen si pjesë e një hetimi të nisur disa javë më parë, mbi titujt e pronësisë në zonën e Zvërnecit dhe dyshimin për tjetërsim pronash.

Vetë kryeministri Rama, në një dalje të posaçme pas mbledhjes së qeverisë sot, i përshëndeti hapat e fundit të SPAK, ndërsa hetimi sipas tij do t’i japë sqarim shterues çdo pretendimi.

Një ditë më parë Rama tha se investitorët nga Katari, i kanë blerë sipërfaqet e tokës, përmes transaksioneve bankare, nga subjekte dhe individë të pajisur me tituj pronësie dhe janë në të drejtën e tyre.

‘Albania Land Development’, e blerë nga dy vëllezërit e njohur nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, në bashkëpunim me Jared Kushner-in, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, synojnë një investim gjigant prej 4 miliard dollarësh për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec.