Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamjet e një grupi protestuesish nga tubimi i një dite më parë në kryeqytet kundër ndërtimeve në Zvërnec, të cilët iu drejtuan selisë rozë.
Rama thotë se mes grekëve e shqiptarëve ka ndryshim lidhur me qëndrimin për investimet. Sipas tij, shqiptarët s’kanë lidhje me revoltën e grekëve, kurse grekët kanë ndikuar te protesta e shqiptarëve, diçka që ai e tha edhe pak ditë më parë duke u shprehur se Greqia “ka ngritur kurth” dhe ka “shfrytëzuar atdhetarinë” për të provokuar reagime.
“Mysafirët e paftuar të natës në selinë e Partisë Socialiste
“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit.
Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurur se do ta djegim Shqipërinë e tradhtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek.
Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre.
Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste!”, shkruan Rama.
Komente








