Bashkia e Tiranës njofton se ka marrë në dorëzim apartamente dhe njësi shërbimi në Njësinë Administrative nr. 11, të cilat do t’i shtohen fondit publik të pronave të destinuara për programet e strehimit social.

Sipas Bashkisë, marrja në dorëzim u krye pas zhbllokimit të procedurave, ndërsa apartamentet janë të certifikuara, të përfunduara sipas standardeve të projektit dhe të gatshme për banim.

“Sot marrim në dorëzim apartamentet në zbatim të kontratës së lidhur mes Bashkisë së Tiranës dhe subjektit ndërtues. Apartamentet janë të certifikuara, në gjendje shumë të mirë dhe plotësojnë standardet e projektimit dhe të zbatimit të punimeve. Janë të gatshme për banim dhe nga sot kalojnë në administrimin e Bashkisë së Tiranës”, thanë përfaqësuesit e institucionit.

Bashkia sqaron se këto apartamente janë përfituar përmes mekanizmit të kontributit 3% të ndërtuesve, i parashikuar gjatë procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit. Përmes tij, sektori privat kontribuon në krijimin dhe zgjerimin e fondit publik të banesave sociale.

Sipas institucionit, apartamentet do të përdoren në kuadër të programeve të strehimit social për individët dhe familjet që plotësojnë kriteret ligjore. Ato mund të përfshihen edhe në programin e banesave sociale me qira që administrohet nga Bashkia e Tiranës.

Marrja në dorëzim e këtyre pronave në Njësinë Administrative nr. 11, sipas Bashkisë, shton fondin publik që mund të vendoset në dispozicion të familjeve në nevojë për strehim.