Zhbllokohen tenderat pas 
​largimit të ministrave të PD-LSI

Zhbllokohen tenderat pas <br />​largimit të ministrave të PD-LSI<br>
Një muaj pas largimit të ministrave të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, qeveria ‘Rama 2’ ka vendosur të zhbllokojë procedurat tenderuese. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka vendosur të shfuqizojë një vendim të datës 5.7.2017, i cili pezullonte procedurat e prokurimit.

“Vendim për shfuqizimin e vendimit nr 482, datë 5.7.2017, të Këshillit të Ministrave, “për pezullimin e përkohshëm të procedurave të prokurimit, për vitin 2017”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, vendosi: 1. Shfuqizimin e vendimit nr. 482, datë 5.7.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të prokurimit, për vitin 2017”. 2. Ngarkohen të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim. Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit, ku shqiptarët i besuan PS qeverisjen e vendit, ministrat e PD dhe LSI jo vetëm nuk dhanë dorëheqjen, por nisën të firmosin tendera të dyshimtë. Në këto kushte, në datën 5 korrik, kryeministri Edi Rama, firmosi një vendim për të pamundësuar abuzimet me fondet e përfaqësuesve politikë të partive humbëse nëpër ministri dhe drejtori. Vendimi parashikonte pezullimin e përkohshëm të fillimit dhe të vijimit të procedurave të prokurimit të fondeve në dispozicion të njësive të qeverisjes qendrore dhe të autoriteteve kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2017.

ALUIZNI në varësi të Ministrisë së Drejtësisë
Një tjetër vendim i miratuar dje nga qeveria parashikon kalimin e drejtorisë së ALUIZNI-t në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Më parë kjo drejtori i takonte Ministrisë së Zhvillimit Urban, por me shkrirjen e kësaj ministrie, ALUIZNI i kalon Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo ministri ka në varësi edhe drejtorinë e Hipotekave. Gjithashtu, të gjitha kompetencat e Ministrisë së Zhvillimit Urban kalojnë te Ministria e Drejtësisë. “Në vendimin nr. 289, datë 17.5.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime: 1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon: “1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale në Republikën e Shqipërisë, me poshtë e quajtur ALUIZNI, është institucion qendror, person juridik, publik, në varësi të ministrit të Drejtësisë.”. 2. Kudo në vendim, emërtimet “Ministri i Zhvillimit Urban” dhe “Ministria e Zhvillimit Urban” zëvendësohen me “Ministri i Drejtësisë”. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.

Tjetër kryebashkiak i PD në takimin me Ramën
Pas kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj nga radhët e PD i cili iu bashkua dëgjesës publike të Edi Ramës për buxhetin 2018, një tjetër bashkiak i demokratëve ka marrë pjesë në takimin e Ramës, këtë herë në Vlorë. Kryebashkiaku i Selenicës, Përparim Shameti ka qenë i pranishëm në dëgjesën e Ramës me banorët dhe autoritetet vendore.

Rama e ka shfrytëzuar këtë moment duke thënë se "kolegë demokratë ndodhet mes nesh”. Kreu i qeverisë nuk kurseu as vlerësimet për këtë bashki. "Bashkia e Selenicës është për t’u përgëzuar, dhe do marrë më shumë financime, sepse nuk ka bërë asnjë rritje të shpenzimeve administrative. Asnjë shpenzim më tepërt. Kjo është pikë kryesore në kriteret e vlerësimit për vitet e ardhshme", tha Rama.

Nga ana e tij, Shameti iu përgjigj Ramës se duhet të nisin një standard të ri komunikimi kur flitet për shqetësimet e qytetarëve. Ai i kërkoi Ramës, përtej ndasive politike, investime në infrastrukturë si dhe mbështetjen e sektorit bujqësor.

Rama batuta: Si i bërë fëmijët me një goditje apo me...
Kryeministri i Rama zhvilloi dje një dëgjesë publike për buxhetin me banorët e Vlorës. Gjatë bashkëbisedimit, Rama nuk i ka kursyer batutat me një ish-ushtarak, i cili kërkoi që rruga e re të kalonte pranë lagjes së tij. “Si i ke dy bërë fëmijët? Me një goditje apo me dy?”. Ish-ushtaraku i përgjigjet me batutë, “Ne ushtarakët kemi shënjestër, me një goditje i kam bërë”.

Ndërkaq, Rama informoi qytetarët për disa nga vendimet e fundit të qeverisë. “Më pas, unë do të zhvilloj një vizitë në Kaninë. Në mbledhjen e sapombyllur të qeverisë, një ndër vendimet ishte shpallja e qendrës historike të Kaninës, zonë e mbrojtur.

Po ashtu u miratua dhe rregullorja e administrimit të saj dhe do të pasojë edhe një program i financuar për rilindjen e gjithë atij fshati të mrekullueshëm dhe për sistemimin e gjithë asaj zone, që tanimë është zonë e mbrojtur e trashëgimisë sonë kulturore. Paralelisht me këtë u mor dhe një vendim tjetër, për të çuar drejt realizimit projektin e qendrës së njësisë administrative Brataj, ku u aprovua edhe fondi përkatës i shpronësimeve”, tha Rama. 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet parlamentare 2025, sipas jush si duhet të votojë diaspora?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier, rrëzohet porta prej hekuri e banesës, zë poshtë 56 vjeçaren

E rëndë në Fier, rrëzohet porta prej hekuri e banesës, zë poshtë 56 vjeçaren