Pas 6 muajsh bllokim, ndizet drita për ngritjen e dy institucioneve të para dhe më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë, KLGJ dhe KLP.
 
Që prej 13 marsit të këtij viti, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë ishin pezull sepse pedagogët e drejtësisë, të cilët kanë nga dy anëtarë në këto institucione nuk shprehnin interes për tu bërë pjesë e këtyre organeve të rëndësishme.
 
Kuvendi i ka rihapur tre herë aplikimet për pedagogët e shkollës së magjistraturës dhe të fakulteteve të drejtësisë publikë e privatë të akredituar. deri herën e dytë, aplikuan vetëm 3 kandidatë, nga të paktën gjashtë që kërkon ligji.
 
Vetëm pas thirrjes së tretë, dhe angazhimit publik të ambasadës amerikane që nxiste aplikimin e pedagogëve, burime zyrtare brenda Kuvendit të Shqipërisë i thanë Report TV se tashmë ngërçi dhe bllokimi 6 mujor është tejkaluar.
 
Aktualisht, për KLGJ-në dhe KLP-në janë regjistruar nga 7 kandidatë, pra, nga një më shumë se sa kërkesa minimale e ligjit.
 
Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka vendosur përmes kësaj shkrese që në 20 shtator, në orën 12, të mbledhë të gjithë drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë që kanë fakultete drejtësie. Pika e vetme e rendit të ditës është përzgjedhja e kandidatëve për KLGJ-në dhe KLP-në.
 
Pas ngritjes së këtyre institucioneve, ku vec anëtarëve nga pedagogjia janë edhe ata nga avokatia e shoqëria civile, mund të fillojë procesi i vettingut.
 
Rivlerësimi i 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve nis vetëm pasi të kalojnë në vetting anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor.
 
vendimi per mbledhjen e posacme
Njoftimi i Kuvendit, pedagogët kanë dorëzuar listat