KORCE- Shtatë ditë nga zhdukja e fajdexhiut 30-vjeçar nga Korça Adnand Avdullai, shtëpia e tij qëndron e hapur dhe në pritje të ndonjë lajmi ndërsa asnjë gjurmë e emigrantit që jepte para me interes nuk është gjetur.

Në banesën private në lagjen numër 6-të, njerëz dhe të afërm hyjnë e dalin për të mësuar diçka rreth fatit të 30-vjeçarit. E ndërsa nëna e tij është nisur drejt Greqisë, shteti ku jeton prej vitesh me djalin tjetër, tezja e të zhdukurit tregon se në kërkim të tij tashmë janë vënë edhe familjarët.

Ende nuk ka asnjë shenjë jetë nga 30-vjeçari që ka rezultuar i zhdukur që prej 1 majit. Madje telefonatën e fundit ai e ka bërë me nenën e tij. I riu ishte kthyer në Korçë dhe prej kohësh fitimet e nxjerra në emigracion i jepte me fajde.

 Kjo ishte dhe pista që ngriti fillimisht policia e Korçës pas zhdukjes së tij, por tashmë hetimet janë shtrirë edhe në pista të tjera, siç është ajo e vrasjes për motive xhelozie. Sipas policisë, 30-vjeçari krahas lidhjes që kishte në Greqi me një vajzë gjeorgjiane, ishte lidhur në Korçë edhe me një të re rome. Kjo e fundit është marrë në pyetje nga policia dhe ka pranuar miqësinë me Adnan Avdullain. E ndërkohë që policia vijon hetimet 20 të ndaluarit e një ditë më parë janë lenë të lirë. Sipas burimeve pranë policisë së Korçës, 20 të shoqëruarit ishin shokë dhe të njohur të të zhdukurit, ku mes tyre kishte dhe “kreditorë” që kishin marë para tek 30 vjeçari Avdullai.

Gjatë marjes në pyetje asnjëri prej tyre nuk ka bërë me dije rreth vendndodhjes së 30 vjeçarit. Aktualisht një grup hetimor është ngritur në policinë e Korçës, të cilët me qëllim marrjen e informacioneve kanë vendosur që foton e 30 vjeçarit ta shpërndajnë në të gjytha Drejtoritë e Qarqeve të vendit. Ndërkohë që kontrolle të shumta janë bërë në disa zona periferike të qytetit, por në fakt nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë rreth vendodhjes së të riut.
(sg/shqiptarja.com)