PISTAT E HETIMIT
Pistat e hetimit për zhdukjen e aeroplanit “Boeing 777” i linjës 'Malaysia Airlines' janë përqëndruar në lidhje me terrorizmin. Sipas zyrtarëve amerikanë, një pistë e hetimit për zhdukjen e avionit 'Malaysia Airlines' është ajo e terrorizmit. Kjo pasi sipas hetimeve, dy persona të listuar si pasagjerë rezultonin me pasaporta të vjedhura. Lajmi bëhet i ditur nga NBC News.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kishin arsye të forta për terrorizmin, ndaj mund të ketë patur edhe arsye të tjera, si për shembull kontrabanda e drogës. "Jemi të vetëdijshëm për raportimin e dy pasagjerëve me pasaporta të vjedhura. Nuk kemi përcaktuar ende një lidhje me terrorizmin", tha një zyrtarë i lartë. Sipas një burimi të NBC News, të dy pasaportat janë vjedhur në Tajlandë.
Hetuesit janë duke shqyrtuar disa shkaqe të mundshme të humbjes së aeroplanit që në bord kishte 239 pasagjerë: defekte mekanike, pilotim i gabuar dhe pistën e një akti terrorist.
ZHDUKET AVIONI I "MALAYSIA AIRLINES" ME 239 PASAGJERË NË BORD
Aeroplani “Boeing 777”, me 239 pasagjerë në bord, i linjës “Malaysia Airlines” raportohet të jetë zhdukur që prej natës së mbrëmshme. Mësohet se aeroplani i cili po kryente fluturimin Kuala Lumpur-Pekin, ka humbur kontaktin me kullën e vrojtimit që në orën 02:40.
Siç raportohet nga mediat e huaja, aeroplani ishte planifikuar të ulej në Pekin, në orën 06.30. “Për momentin nuk ja kemi idenë se ku mund të jetë aeroplani", tha për “CNN”, Zëvendës Presidenti i Kontrollit të Operacioneve të “Malaysia Airlines” Fuad Sharuji.
“Në kohën e zhdukjes së tij, avioni kishte karburant edhe për rreth 7.5 orë”, tha Sharuji.
(Në foto: Të afërm të pasagjerëve duke pritur në ankth në Aeroportin Internacional të Pekinit) Foto të tjera
Ndërkaq Agjencia e lajmeve shtetërore të Kinës “Xinhua”, tha se fluturimi ka humbur lidhjet dhe sinjalin e tij në radar kur po fluturonte mbi zonën e kontrollit të trafikut ajror Ho Chi Minh në Vietnam.
Mësohet se përpjekjet për t'u lidhur me aeroplanin në orët e para pas zhdukjes së tij kanë rezultuar të pasuksesshme. Autoritetet kineze kanë vënë në lëvizje dy anije të shpëtimit në detin e Kinës Jugore për të filluar kërkimin.
(Në foto: Avioni i cili kishte si destinacion Pekinin por që humbi kontaktet në Vietnam) Foto të tjera
U DYSHUA SE NDODHEJ NE AVION, PASAGJERI ITALIAN TELEFONON FAMILJEN: JAM NE TAJLANDE
Një shtetas italian u dyshua se ndodhej në avionin i cili rezulton të jetë zhdukur. Megjithatë siç njofton “ANSA”, vetë shtetasi italian Luigi Maraldi, mësohet të ketë telefonuar më parë familjen e tij për t’i thënë se është mirë dhe se ndodhet në Tailandë, ndërsa tha se nuk ka qenë pjesë e fluturimit pasi edhe nga verifikimet e bëra, pasaporta e tij rezulton e humbur që me 1 gusht.
Ndërsa ministri i transportit malajzes tha se nuk kishte asnjë informacion mbi ndonjë përplasje ndërsa bëri thirrje të mos spekulohet.
"Shpresa jonë është se njerëzit ta kuptojnë që ne jemi duke qenë transparent me sa mundemi duke i dhënë informatat sa më shpejt, por më parë duhet të sigurohemi se informacioni është verifikuar." tha ministri i transportit malajzes.
Redaksia online
(e.c/v.gj/shqiptarja.com)