TIRANE- Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini i janë drejtuar Gjykatës së Apelit për të ankimuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila pushoi çështjen pasi vepra penale e cënimit të lirisë është amnistuar në 2007.

Sipas ankimeve në fjalë, avokatët kërkojnë nga apeli pafajësi për shkak sepse nuk provohet që dy personat e mërsipërm janë të implikuar në këtë çështje dhe jo sepse ata përfitojne nga amnistia e 2007.

Ndërsa Sefgjini dhe Koldashi kërkojnë në këtë mënyrë deklarimin të pafajshëm, avokati i ish-zyrtarit tjetër të SHIK-ut i shpallur në kërkim Ilir Kumbaro ka apeluar për mos kompetencë gjykimi.  Sipas avokatit Vojo Bregu, në momentin që për Ilir Kumbaron i dënuar me 15 vjet burg në mungesë gjykata ndryshoi kualifikimin e veprës penale, në këtë çast nuk janë Krimet e Rënda kompetente për gjykimin e veprave penale.
Më 22 nëntor Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor vetëm Ilir Kumbaron për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas, Remzi Hoxha, 1995.  Gjykata dënoi me 15 vjet heqje lirie ish-shikasin Kumbaro për akuzën e torturimit me pasojë vdekjen. Ndërsa pushoi akuzat për dy të pandehurit e tjerë Avni Koldashi dhe Arben  Sefgjini. Sipas sentencës së togave të zeza vepra penale për të cilën akuzohen dy ish-shikasit është amnistuar që në vitin 2007 duke e bërë të pavlefshëm dhe nul procedimin e tyre. Por si rezultat i hetimeve dhe provave të paraqitura nga prokuroria Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi dalin fajtorë për rrëmbimin e Zizo Kristopullit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës.

(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)