Zhurma: Kërcënimi i padukshëm

Zhurma: Kërcënimi i padukshëm

Njerëzit i perceptojnë tingujt në mënyra të ndryshme, kjo është krejtësisht normale. Ndërsa festa te fqinji për dikë e kthen natën në ditë, dikush tjetër mund të flejë i patrazuar.  Por nëse zhurma e kalon një nivel të caktuar, ajo nuk mund të injorohet më prej askujt. Sepse është gjithashtu e qartë se zhurma e tepërt ndikon dhe dëmton njerëzit, kafshët dhe madje edhe bimët. Një fenomen që po rritet vazhdimisht, në qytetet e mëdha dhe madje edhe në vendet më të lagëta.

12 000 vdekje të parakohshme për shkak të zhurmës

Zhurmat që perceptohen si shqetësuese, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës, janë një faktor stresi. Nëse je vazhdimisht në një ambient të zhurmshëm, qoftë nga trafiku, nga treni që kalon, nga njerëzit e ulur në lokalin poshtë apartamentit, apo nga avioni që ngrihet, trupi është nën stres të vazhdueshëm. Vetëm në Evropë, të paktën 20 për qind e popullsisë aktualisht është e ekspozuar ndaj zhurmës së rrugës që mund të jetë e dëmshme për shëndetin e tyre. Zhurma e tepërt mund të çojë në sëmundje metabolike, presion të lartë të gjakut, diabet apo edhe atak në zemër. 48 000 raste të sëmundjeve të zemrës dhe 12 000 vdekje të parakohshme i atribuohen niveleve të larta të vazhdueshme të zhurmës çdo vit.

Trafiku në Bangladesh - Dhaka aktualisht konsiderohet qyteti më i zhurmshëm në botë

Zhurmat ekstreme janë të pranishme në të gjitha qytetet kryesore, nga Londra e deri në Dhaka, Algjer, Barcelonë ose Berlin. Në Nju Jork, për shembull, 90 për qind e përdoruesve të transportit publik janë të ekspozuar ndaj niveleve të zhurmës që tejkalojnë kufijtë e ekspozimit, gjë që mund të rezultojë në dëmtime të pakthyeshme të dëgjimit.

Të varfërit jetojnë me më shumë zhurmë

Në Hong Kong dhe në qytetet kryesore anembanë botës, grupet e margjinalizuara në veçanti janë më të rrezikuar ndaj ekspozimit të zhurmës ekstreme.

Për Thomas Myck-un, ekspert i zhurmës në Agjencinë Federale të Mjedisit (UBA) në Gjermani, ndotja akustike është ekzemplar i padrejtësisë mjedisore. "Nëse një apartament ose shtëpi është në një rrugë kryesore, qiraja është më e ulët. Kjo do të thotë se njerëzit që nuk kanë shumë të ardhura, jetojnë në rrugë të zhurmshme." 

Kantier ndërtimi në Hong Kong - Sidomos njerëzit më të varfër jetojnë në zona të zhurmshme

Në të gjithë botën, personat me të ardhura të ulëta kanë më shumë gjasa të jetojnë pranë zonave industriale, vendgrumbullimeve ose rrugëve kryesore dhe janë më shumë të ekspozuar ndaj zhurmës ekstreme se sa ata me të ardhura të larta.

Kafshët dhe zinxhirët ushqimorë dëmtohen

Nuk është vetëm organizmi i njeriut ai që çorientohet kur ka shumë zhurmë. Studimet kanë zbuluar se të gjitha llojet e kafshëve reagojnë ndaj zhurmës dhe ndonjëherë ndryshojnë sjelljen e tyre.

Një gushëkuq duke kënduar - Zogjtë në qytete përpiqen të këndojnë me zë më të lartë në mënyrë që të dëgjohen

Zogjtë e qytetit shpesh këndojnë më fort. Trishtilat e mëdhenj të qyteteve në Evropë, Japoni dhe Mbretërinë e Bashkuar tani këndojnë më lart se homologët e tyre në pyje. Ndryshime vokale janë vërejtur edhe tek insektet, karkalecat dhe bretkosat që jetojnë pranë autostradave. Por kjo shpesh çon në keqkuptime. Tingujt e rinj jo gjithmonë mirëpriten nga partnerët e mundshme seksuale dhe mund të ndikojnë negativisht në suksesin e çiftëzimit. Bretkosat në Bogota tani kuakin kur ulet niveli I zhurmës, në mënyrë që të dëgjohen.

Duhet të jemi të vetëdijshëm "që çiftëzimi ose riprodhimi prishet, kur prishet lokalizimi i kafshëve grabitqare për shkak të zhurmave. Kjo do të thotë se i gjithë habitati i tyre ndikohet negativisht nga zhurma ", thotë Myck.

Pyjet mangrove - Edhe ekosistemet e pacenuara në parqet kombëtare janë të ekspozuara nga ndotja akustike

Në SHBA, ndotja akustike, vitet e fundit, është dyfishuar në mbi gjysmën e të gjitha parqeve kombëtare. Përveç rrugëve automobilistike, shkaktarët kryesorë të ndotjes akustike në rezervatet natyrore janë zhurmat nga projektet minerare, nxjerrja e gazit dhe e naftës apo industria e drurit. Kjo gjithashtu ka një ndikim të drejtpërdrejtë në bimësi, pasi nxit migrimin e specieve të shpendëve, të cilat janë thelbësore për shpërndarjen e farave të bimëve.

Si mund të bien veshët në qetësi?

Sipas një raporti të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNEP), problemi mund të frenohet me më shumë pemë, shkurre dhe gjelbërim në qytete. Ato shpërndajnë dhe mbysin zhurmën duke kontribuar në një klimë dhe peizazh më të mirë të qytetit.

Thomas Myck nuk beson se kjo është shumë e dobishme, "sepse zhurma praktikisht shkon tek pemët. Izolimi i zhurmave është e vetmja zgjidhje efektive." Nga ana tjetër, ai mendon se është shumë më efektive të reduktohet sa më shumë trafiku në qytete, të vendoset një limit shpejtësie prej 30 km/h, të ketë më shumë transport publik lokal dhe zona me trafik të reduktuar, si dhe mobilitet me rrymë elektrike dhe më shumë rrugë për biçikleta.

Në Francë po testohet aktualisht një kamerë për zhurmën. Pajisja është krijuar për të zbuluar automjete me zhurmë me nivel të paligjshëm. Fokusi nuk është vetëm në metropolet e zhurmshme, por edhe në vendet në natyrë, ku mblidhen zakonisht motoçiklistët. Shkelja e kufijve të zhurmës në të ardhmen do të dënohet me gjobë.

Radari i zhurmës mbi rrugë - Radari i ri i zhurmës "Méduse" (shq.: kandil deti) po testohet aktualisht në shtatë qytete franceze.

Me më pak korsi makinash dhe trafik në qytete, hapësira e fituar mund të shndërrohet në shtigje për biçikleta ose hapësira të gjelbra dhe parqe me një planifikim urban miqësor ndaj klimës, duke promovuar klimën urbane, biodiversitetin dhe cilësinë e jetës. Shkencëtarët kanë mundur të vërtetojnë se zhurmat natyrore si cicërimat e zogjve, shushurima e ujit ose fëshfëritja e gjetheve në pemë reduktojnë stresin dhe kanë një efekt pozitiv për shëndetin e njeriut./ DW

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ardit Rada: Nesti, Aleksi dhe të tjerët…

Ardit Rada: Nesti, Aleksi dhe të tjerët…