Çdo ditë qytetarët e Tiranës përballen me zhurmën e borive të makinave ndonëse në zona urbane është i ndaluar, asnjë drejtues automjetesh nuk e zbaton këtë rregull. Kryesisht përdorimi i borive nga ana e shoferëve është i shtuar në zonat ku ka më shumë lëvizje automjetesh, në semafor apo ku ka trafik.

Prej kohësh ky është kthyer në një problem edhe për qytetarët të cilët për mikrofonin e ReportTV shprehen se zhurmat e borive janë kthyer në ndotje akustike dhe tepër shqetësuese.

“Boritë janë vërtetë shqetësuese sepse njerëzit me arsye dhe pa arsye i bien asaj. Është e tepërt me një fjalë plus dhe frekuenca që shkakton. Janë zhurma akustike të cilat na shqetësojnë në çdo hap dhe në çdo gjë. Ato na shqetësojnë apo të sirenave na shqetësojnë mjaft po çfarë të bëjmë…”- shprehen qytetarët.

Përdorimi i borive në zonat urbane është i ndaluar kategorikisht edhe me ligj pasi sipas Kodit Rrugor kush shkel këtë rregull ndëshkohet me masë administrative nga 500 deri në 2000 lekë ndonëse numri i gjobave ka qenë  i ulët.

Krahas borive që shkaktojnë një ndotje akustike shqetësim për qytetarët vijojnë të mbeten edhe zhurma e krijuar nga lokalet e natës. Të vendosura pranë qendrave të banuara këto subjekte, nuk i kanë shpëtuar ndëshkimit të policisë me gjobë në vlerën e 1.000.000 lekëve.