Një 56-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Milano, pasi dyshohet se përpunonte kokainë brenda shtëpisë së tij, duke e kthyer nga gjendje e lëngshme në të ngurtë.

Ngjarja u zbulua pas denoncimeve të banorëve të një pallati, të cilët kishin raportuar zhurma të vazhdueshme gjatë natës, të ngjashme me ato të një ventilatori të ndezur. Hetimet e policisë së komisariatit Porta Ticinese çuan pikërisht te apartamenti i 56-vjeçarit.

Gjatë kontrollit në banesë, efektivët gjetën dhe sekuestruan materiale të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për përpunimin dhe paketimin e drogës, mes tyre një makinë vakumi, tre peshore të madhësive të ndryshme, njëra e mbuluar me gjurmë kokaine, si dhe qese me substancë kristalore dhe materiale paketimi. Në shtëpi u zbuluan gjithashtu katër shishe me aceton të pastër, disa telefona celularë dhe ora luksi.

Kontrollet u zgjeruan edhe në garazhin e tij, ku me ndihmën e qenve të policisë u gjetën dy bidonë prej 20 litrash me mbishkrimin “Aceton”, brenda të cilëve ndodhej një lëng që pas testit rezultoi kokainë

Sipas hetuesve, droga mbahej fillimisht në formë të lëngshme për të shmangur kontrollet, ndërsa më pas përpunohej në shtëpi për t’u kthyer në gjendje të ngurtë. Termoventilatori i sekuestruar dyshohet se përdorej pikërisht për këtë proces dhe besohet se është burimi i zhurmave që çuan në zbulimin e rastit.

56-vjeçari akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje.