Nën rrënojat antike të Apolonisë u zhvillua edicioni i 8-të i Festës së Grurit, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore, artistike dhe agroturistike në Shqipëri, e cila tashmë është shndërruar në një traditë të dashur për Fierin dhe gjithë Myzeqenë.

Mijëra vizitorë nga Fieri, rajoni, Shqipëria dhe diaspora u bënë pjesë e atmosferës së veçantë të festës, duke e kthyer Apoloninë në qendrën e traditës, kulturës dhe mikpritjes myzeqare.

Në aktivitet morën pjesë drejtues vendorë, deputetë, personalitete të jetës publike, si dhe mijëra qytetarë e turistë që zgjodhën të përjetonin nga afër një nga festat më autentike të vendit.

E organizuar nga Bashkia Fier, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Festa e Grurit pati në thelb të saj kremtimin e një trashëgimie të pasur folklorike dhe bujqësore, të krijuar ndër dekada nga myzeqarët për të nderuar grurin, simbolin e begatisë, mirëqenies dhe identitetit të kësaj treve. Këngët, vallet, ritualet, kulinaria tradicionale dhe mikpritja karakteristike e Myzeqesë u bashkuan në një festë unike kushtuar tokës, bukës dhe njerëzve që prej brezash i kanë dhënë jetë një prej fushave më pjellore të Shqipërisë.

Aktiviteti solli së bashku elementët më përfaqësues të kulturës vendase, produktet lokale, gastronominë tradicionale dhe atmosferën festive që e ka shoqëruar këtë ngjarje ndër vite, duke e kthyer atë në një pikë referimi për turizmin kulturor dhe agroturistik në vend.

Për pjesëmarrësit në panair, kjo festë ka rëndësinë e saj të veçantë për promovimin e grurit vendas i cili ka ulur ndjeshëm prodhimin.

“Festa të tilla pęrveç faktit që krijojnë jetë sociale, afrojnë njerëzit me bujqësinë, dhe gruri është shumë i rëndësishëm për Myzeqenë.Pavarësisht se këtë vit ka patur rënie të rendimentit ne nxisim paketat e Ministrisë së Bujqësisë ka prezantuar me subvencione, por edhe vetë puna e fermerëve është një kriter shumę i rëndësishëm për të rritur prodhimin”, është shprehur në fjalën e saj drejtuesja politike e qarkut Belinda Balluku.

Shtylla kryesore e festës ishin manifestimet tradicionale dhe bujqësore, të ndërthurura me një program të pasur artistik. Kulmi i mbrëmjes ishte koncerti madhështor me pjesëmarrjen e mbi 30 artistëve në skenë, duke nisur nga Ansambli “Myzeqeja” e deri tek grupi legjendar Elita 5, si dhe emra të tjerë të njohur të muzikës shqiptare, të cilët sollën një natë plot emocione, energji dhe festë.

Ndër momentet më të spikatura të aktivitetit ishte Parada e Kurorave të Grurit, ku qindra vajza të stiluara enkas për këtë festë krijuan një spektakël unik bukurie dhe tradite.

Edhe këtë vit, Parada e Autokombajnave dhe momenti simbolik i hedhjes së grurit në lëmë, rikthyen në kujtesë traditat e hershme të Myzeqesë dhe lidhjen e fortë të banorëve të saj me tokën.

I gjithë territori i festës u shndërrua në një skenografi natyrore ku mbizotëronin gruri, kashta, mekanika tradicionale bujqësore dhe elementë të tjerë dekorativë, duke krijuar një atmosferë autentike dhe mbresëlënëse për mijëra vizitorët e pranishëm.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishin edhe panairet tematike kushtuar bukës, grurit, miellit, gatimit tradicional të bibës në saç, si dhe prodhimeve vendore, të cilat promovuan më së miri gastronominë dhe traditat kulinare të Myzeqesë.

Risi e këtij edicioni ishte eventi “Nën Hijen e Perëndive”, një koncert harqesh i zhvilluar mes rrënojave antike të Apolonisë, që i parapriu Festës së Grurit dhe krijoi një ndërthurje të veçantë mes historisë, muzikës dhe trashëgimisë kulturore.

Një tjetër element që e bëri këtë festë të veçantë ishte pozicioni i saj unik gjeografik. E vendosur në kodrat e Apolonisë, përballë horizontit të pafund të Myzeqesë, festa u dha vizitorëve mundësinë të përjetonin një nga momentet më magjepsëse të ditës – perëndimin e diellit, i cili nga Apolonia antike dhuroi pamje spektakolare.

Me një pjesëmarrje që kapërceu mijëra vizitorë, Festa e Grurit konfirmoi edhe një herë statusin e saj si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, turistike dhe identitare të kalendarit veror shqiptar.

Edicioni i 8-të i Festës së Grurit dëshmoi edhe një herë se Myzeqeja vazhdon të ruajë, promovojë dhe festojë me krenari traditat e saj, duke i kthyer ato në një urë lidhëse mes trashëgimisë, kulturës dhe zhvillimit të turizmit.