Nën drejtimin e zëvendësguvernatores së parë të Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi është zhvilluar këtë të enjte mbledhja e gjashtë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Në fokus të diskutimeve të zhvilluara online si pasojë e masave të ndërmarra për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19 ku morën pjesë kreu i shoqatës së bankave, ministria e financave, AMF dhe institucione të tjera ishte përdorimi i instrumenteve elektronike për pagesat.

Minxhozi vuri në dukje nevojën për krijim dhe përmirësim të infrastrukturave si Instant Payment dhe procesimit të kartave, si dhe promovimin e edukimit financiar si një mekanizëm i rëndësishëm për arritjen e objektivave të rritjes së përfshirjes financiare të popullsisë dhe zgjerimit të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

Gjatë mbledhjes, vëmendje iu kushtua nismës për zhvillimin e tregtisë elektronike në Shqipëri, ku me urdhër të Kryeministrit është ngritur Grupi i punës “Për hartimin e planit të veprimit për nxitjen e tregtisë elektronike”.  Në vijim të mbledhjes, vëmendje iu kushtua edukimit financiar, si një mekanizëm mjaft i rëndësishëm për të maksimizuar efektet e masave të ndërmarra në kuadër të inovacionit dhe promovimit të instrumenteve dixhitale financiare, përmes një sërë prezantimesh nga Banka e Shqipërisë, AMF dhe Shoqata Shqiptare e Bankave.

Së fundi, u soll në vëmendje se në kuadër të masave të ndërmarra në lidhje me përballimin e kufizimeve në lëvizje, në kuadër të pandemisë COVID-19, të cilat në mënyrë të tërthortë mbështetën edhe promovuan përdorimin e pagesave elektronike në ekonominë shqiptare.

Në përfundim të mbledhjes, duke u bazuar në diskutimet e mbledhjes, Kryetarja e Komitetit rekomandoi krijimin e disa grupeve të punës, me qëllim adresimin konkret të çështjeve të ngritura në mbledhje, ato në lidhje me edukimin financiar dhe pagesat me kartë, si nga pikëpamja e reduktimit të kostove të mbartura nga tregtarët, ashtu edhe në lidhje me procesimin e tyre.