Pranë Sheshit Nënë Tereza në Tiranë po zhvillohet takimi me demokratët i thirrur nga ish-deputeti Ervin Salianji.

Qindra qytetarë janë bashkuar në shesh dhe takimi ka nisur me himnin kombëtar. I pari që e ka marrë fjalën ka qenë Hysen Kadiu, më i votuari i Primareve 2025 në Tiranë.

Kadiu tha par të pranishmëve se kjo lëvizje, e nisur nga Ervin Salianji, ka synim që ta bëjë Partinë Demokratike një forcë politike fituese.

Duke vlerësuar takimin, ai tha se shpresonte që ky tubim të shërbente si kilometri i parë i nisjes për demokratizimin e PD-së.

“Ne nuk fshihemi pas të qenit të vendosur, për të ndryshuar PD-në. Ne mund ta bëjmë PD-në një parti fituese. Ne mund ta ringjallim, ririthemelojmë PD-në. Por sot nga ky shesh një gjë e themi të sigurt bashkarisht: ‘ne nuk do ta lejojmë të vdesë’. Kundërshtojmë këtë realitet të pashpresë. Edhe kur na kanë sulmuar, sërish nuk jemi dorëzuar. Sepse ne jemi vërtetë PD. Dy gjëra nuk i pranojmë, të na tallin, apo të heqim dorë. Le të shërbejë ky takim si kilometri i parë i nisjes për demokratizimin e familjes sonë”, tha mes të tjerash Kadiu.

Ndërkohë pedagogu Harri Aleksi ka kërkuar nga studentët që të marrin në dorë fatet e tyre, duke u bërë pjesë e zhvillimeve politike në Shqipëri.

“Është koha që studentët të marrin në dorë fatet e veta. Studentë, braktisni idhujt dhe festat. Ju nuk duhet të bëni pakt me mjerimin ekonomik e intelektual. Modeli juaj duhet të jetë arsimi me baza, zhvillimi me themele”, tha mes të tjerash pedagogu Harri Aleksi.

I përjashtuari nga grupi i PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija, deklaroi se sot demokratët nuk kanë nevojë për kulte individi, oborre apo oborrtarë.

Për Dritan Burgijan, demokratët sot kërkojnë garanci reale që listat të mos manipulohen, kandidatët të mos bllokohen për të garuar, gara të mos përcaktohet dhe partia të mos administrohet nga lartë si pronë private.

“Ne jemi këtu sepse besojmë se PD duhet të kthehet në një alternativë qeverisëse. PD ka lindur për t’i shërbyer lirisë. Nuk ka lindur për të ndërtuar kulte individi, por për të shembur kulte individi. Sot duhet të pyesim me zë të lartë, ‘ku jemi? A kemi më shumë garë?’. PD-në po e vret edhe heshtja. Ata që e dinë të vërtetën, por zgjedhin gënjeshtrën. Një parti fillon të vdesë kur humbja nuk prodhon përgjegjësi por propagandë. Demokratët nuk duan më oborre dhe oborrtarë. Demokratët nuk kërkojnë fjalë të bukura në statut, por kërkojnë garanci reale që listat të mos manipulohen, kandidaturat të mos bllokohen, gara të mos paracaktohet dhe partia të mos administrohet nga lartë si pronë private”, tha mes të tjerash Burgija.

Artistja Julia Ilirjani tha se të rinjtë demokratë nuk duhet të pranojmë më që partia e tyre të shkojë nga humbja në humbje, por duhet të punojnë për ta bërë atë fituese.

“Unë mendoj se këta të rinj që janë sot këtu, duhet të bëjnë të njëjtën gjë që ndodhi në 1990. Ne s’mund të pranojmë më humbje pas humbje, por duhet të pranojmë fitoren”, tha Julia Ilirjani.


Lajmi kryesor:

Takimi me demokratët në Tiranë, Salianji: Berisha është autokrati i opozitës, e ka kthyer PD-në në kotec dhe po e mban me zor! Stop emërimeve klienteliste