Një njeri i ndershëm në vendin e gabuar. Kështu mund të përmblidhet tragjedia e Keir Starmerit, sepse bëhet fjalë për një tragjedi personale. Ai është kryeministri i gjashtë britanik që është “djegur” nga Brexit në dhjetë vitet e fundit. E megjithatë, në korrik të vitit 2024 ai hyri në Downing Street i mbështetur nga një shumicë dërrmuese, por mbi të gjitha me shumë qëllime të mira.
Starmer erdhi vonë në politikë, pas një jete të kaluar në shërbim publik, fillimisht si avokat i të drejtave të njeriut dhe më pas si Prokuror i Përgjithshëm. Për këtë arsye, ai e konceptoi mandatin e tij para së gjithash si një përpjekje për rilindje morale, pas kaosit dhe skandaleve që kishin shoqëruar qeveritë konservatore.
Si është e mundur, atëherë, që Starmer u kthye në një kohë kaq të shkurtër në kryeministrin më jopopullor të historisë moderne britanike, më jopopullor se Boris Johnson dhe madje edhe se Liz Truss, e cila për vetëm shtatë javë e çoi Britaninë në prag të falimentimit financiar? As ai vetë nuk arriti ta kuptonte kurrë. Por pikërisht kjo është edhe kritika kryesore që i bëhet: mungesa e plotë e intuitës dhe gjykimit politik.
“Nuk e kuptoj politikën”, kishte rrëfyer një herë. Dhe kjo nuk është gjëja më e mirë që mund të dëgjosh nga një njeri që kërkon të drejtojë një vend. E vërteta është se Starmer mbeti gjithmonë ai që kishte qenë: një avokat, një ish-prokuror, i parehatshëm me lojërat dhe prapaskenat e Westminsterit, por edhe me përplasjet e ideve që janë pjesë e pandashme e politikës. Kësaj i shtohej mungesa e karizmës, një mënyrë e ngurtë të foluri dhe paaftësia për të krijuar lidhje me njerëzit, aq sa nuk arrinte të shiste para publikut as sukseset e pakta të qeverisë së tij.
Kështu, publiku ia ktheu shpejt shpinën për shkak të disa gabimeve të bujshme në gjykim që nga ditët e para të mandatit. Si ai fjalim ku paralajmëroi se “gjërat do të përkeqësoheshin para se të përmirësoheshin”, në vend që të jepte një mesazh shprese. Ose kur vendimi i tij i parë i rëndësishëm ishte shkurtimi i ndihmës për ngrohjen e pensionistëve. “Starmer po i lë gjyshet të ngrijnë nga të ftohtit”, ishin disa nga komentet që qarkullonin në atë kohë.
Por gabimi më i madh ishte bindja se rrëzimi i konservatorëve kishte qenë kryesisht një dështim moral dhe jo politik. Se mjaftonte të rikthehej ndershmëria dhe serioziteti në jetën publike, pa bërë një analizë të thellë të shkaqeve që kishin sjellë atë krizë, dhe gjithçka do të rregullohej vetvetiu.
Situata u bë edhe më e keqe kur vetë qeveria e Starmerit u përfshi në polemika. Shpejt shpërtheu skandali i dhuratave të marra nga financuesit e Partisë Laburiste, nga rrobat dhe syzet deri te biletat për koncerte dhe ndeshje futbolli. Një histori që i kushtoi shtrenjtë dhe që, sipas autorit, i shkatërroi besueshmërinë.
Një nga kritikat që i bëhej më shpesh Starmerit ishte qasja e tij tepër ligjore dhe procedurale, ku rregullat kishin më shumë peshë se përmbajtja. Një stil që në politikën e brendshme u pa si i papërshtatshëm, por që në fund rezultoi më i suksesshëm në arenën ndërkombëtare.
Pikërisht aty Starmer dha më të mirën e tij. Ai arriti ta rikthente Londrën në qendër të skenës ndërkombëtare, e bëri Britaninë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes evropiane për Ukrainën, afroi sërish vendin me Bashkimin Evropian dhe, fillimisht duke e zbutur e më pas duke iu kundërvënë, arriti të menaxhonte edhe marrëdhënien me Donald Trump.
Në planin më të gjerë, laburistët e Starmerit erdhën në pushtet duke u paraqitur thjesht si “ata që nuk janë konservatorët”. Sipas autorit, ata mbërritën në qeveri të papërgatitur, pa një program të qartë dhe pa një ide të qartë për vendin që donin të ndërtonin. Kjo, sipas tij, pasqyronte edhe vetë Starmerin, i cili nuk ishte kurrë një njeri i ideve të mëdha.
Kur e kishin pyetur cili ishte libri apo poezia e tij e preferuar, ai ishte përgjigjur se nuk kishte një të tillë. Kur e pyetën se çfarë ëndërronte, ai u përgjigj: “Unë nuk ëndërroj”.
Dhe në këtë boshllëk, argumenton autori, qeveria nisi të humbte drejtimin. Bashkëpunëtorët më të afërt largoheshin ose shkarkoheshin shpejt, ndërsa në opinionin publik dominonin gjithnjë e më shumë historitë për skandalet, tërheqjet nga vendimet e marra – gazetat britanike kanë numëruar të paktën 13 të tilla – dhe gabimet politike.
Deri te gabimi më i madh nga të gjithë, ai që sipas autorit ndoshta vulosi fatin politik të kryeministrit: emërimi i Lord Mandelson si ambasador në Uashington.
Lëvizja synonte të vendoste në zemër të Uashingtonit të Trumpit një figurë me përvojë dhe lidhje të forta politike. Por, sipas analizës, ajo injoroi lidhjet e njohura prej kohësh të Mandelson me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Pikërisht në atë moment, shkruan autori, u bë e qartë se Starmer ishte vetëm një guaskë bosh dhe se pas ngathtësisë së tij dhe vështirësive në komunikim nuk fshihej ndonjë vizion i vërtetë politik. Siç kishte thënë edhe vetë dikur: “Starmerizmi nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë kurrë”.
Tani, përfundon autori, koha e tij ka mbaruar. Ka mbetur vetëm gropa në të cilën përfundoi duke rënë./CorrieredellaSera
Komente






