Zjarr brenda Spitalit Amerikan
vdesin 2 pacientë nga asfiksia

Dy pacientë të vdekur dhe një infermiere e plagosur rëndë, ky është bilanci tragjik i një ngjarje të ndodhur brenda në pavionin e hemodializës, pranë Spitalit Amerikan nr. 1 në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në mesditë dhe e gjitha është fiksuar nga një kamera sigurie që ndodhej në dhomën e krimit. Shumë pacientë ishin duke kryer seancat e rradhës të hemodializës pranë këtij spitali privat, i cili është fituesi i koncesionit 10-vjeçar të këtij shërbimi shëndetësor. 

Gjithçka ka nisur pas një konflikti për çështjen e ndarjes së ambjenteve dhe makinetave mes shtetasit Lefter Canaj 57 vjeç dhe Dashamir Saraçit 47-vjeç, që të dy pacientë me probleme shëndetësore me veshkat. Sipas policisë dhe dëshmitarëve, Lefter Canaj ka qënë personi që ka shkatuar këtë tragjedi. Pasi ka përfunduar seancën e terapisë, është ngritur në këmbë dhe është larguar nga dhoma e tij, drejt një dhome tjetër. Ndërkohë në duar mbante një bidon 1.5 litra, i cili ishte futur në ambjentet e spitalit, duke përdorur çantën e ushqimeve të pacientit. Canaj ka hyrë në dhomë ku po kryenin terapinë shtetasit Dashamir Saraçi, Sanie Sulaj dhe Hanife Mali dhe menjëherë ka derdhur benzinën mbi trupin e pacientit Saraçi. Dëshmitarët kanë treguar për policinë dhe prokurorinë e Tiranës se kishin menduar që Canaj ishte duke bërë shaka me Saraçin, duke e lagur me ujë. Kjo, pasi dhe vetë Saraçi nuk ka lëvizur për asnjë moment. Por shumë shpejt Canaj ka nxjerë nga xhepi çakmakun dhe ka ndezur benzinën, duke marë zjarr dhe vetë, e duke dëmtuar të gjithë pavjonin e hemodializës në Spitalin Amerikan.

Kamera regjistron skenën
Një video 5 minutëshe e sekuestruar nga prokuroria e Tiranës ka ndihmuar prokurorët të shohin të plotë tablonë e zjarrvënies së qëllimshme dhe të ndërtojnë dinamikën e krimit. Në video shihet qartë momentet kur Canaj i hedh 1.5 litra benzinë në trup pacientit tjetër Dashamir Saraçi. Ky i fundit ndodhej i shtrirë për krah makinetës së hemodializës dhe, menjëherë pas flakëve, gjithçka ka dalë jashtë kontrollit. Saraçi është përpirë nga flakët, ndërkohë që në mënyrë instiktive trupi i tij ka reaguar shumë vrullshëm, duke këputur tubat e makinetës dhe shiringat që kishte në trup. Situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi flakët janë përhapur në ambjente të tjera. 
Ndërkohë, sipas prokurorisë, sistemi i shuarjes së zjarit nuk ka funksionuar fare dhe kjo është një tjetër pistë hetimi ku do përqëndrohet prokuroria e Tiranës.

Saraçi 90% i djegur në trup
Ditën që kishte shkuar për t’u kuruar nga sëmundja e veshkave, Dashamir Saraçi ka përfundur i shtruar në një pavjon tjetër, atë të djegieve dhe plastikës në Spitalin Ushtarak. Saraçi është djegur në masën 90 për qind të trupit, ndërkohë që gjëndja e tij shëndetësore është e përkeqësuar dhe vijon të jetë kritike. Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim. Në të njejtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi, e cila ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë. Ndërsa më pas është gjetur poshtë krevatit nga grupi hetimor edhe 55-vjeçarja nga Laçi, Hani Mali. Shkak i vdekjes së dy grave paciente në Spitalin Amerikan ka qenë asfiksia nga zjarri në dhomën ku ato ndodheshin. Djegie kanë marrë dhe dy nga infermieret e Spitalit Amerikan, të cilat janë përpjekur të shuajnë flakët mbi trupin e shtetasit Dashamir Saraçi dhe Lefter Canaj. Tashmë ky i fundit, për shkak të plagëve të lehta, po mbahen i shtruar në ambjentet e Spitalit Amerikan në Tiranë, ndërkohë që ndaj tij, me vendim të prokurorisë, është marrë masa e arrestit, pasi ndaj tij janë ngritur tri akuza.

spitali amerikan brenda djegia
Brenda në dhomën e djegur në Spitalin Amerikan



Zhvillimet minutë pas minute nga Spitali Amerikan

Ora 17:55 Zjarri, reagon Spitali Amerikan: Nuk mundet ta parandalonim
Pas rënies së zjarrit në repartin e Hemodializës përmes një deklarate për mediat ka reaguar Spitali Amerikan nr. 1 duke deklaruar se ngjarje të tilla janë shumë vështirë që të parandalohen, pasi nuk mundet që të kontrollojnë pacientët.
 
"Ngjarje të tilla janë të paparashikueshme, nuk mund të parandalohen, pasi pacientët kanë sendet e tyre vetjake, ne nuk mund të shkelim të drejtat për t'i kontrolluar, bidoni i pacientit supozohej që të ishte me ujë' deklaroi mjekja e Spitalit Amerikan.
 
Përsa i përket ngjarjes dhe reagimit mjekja theksoi se ka qenë i menjëhershëm dhe kur ka ardhur policia me zjarrfikësen gjithçka ka qenë nën kontroll.
 
"Ajo që ka ndodhur ka qenë një ngjarje shumë e rëndë që duhet ta kuptoni. Salla ka qenë në ngarkesë të plotë me 30 pacientë që ishin duke kryer seancën e dializës dhe e kanë të pamundur të lëvizin, pasi është i lidhur me makinën.
 
Një pacient hyri dhe kreu një veprim për të cilin do të prononcohet policia për të mos dhënë detaje të mëtejshe..
 
Pacienti ka hyrë dhe ka kryer veprimin, ka shpërthyer flaka, infermieri është djegur në tentativë për të shpëtuar pacientin. I gjithë stafi është dëmtuar në tentativë për të shpëtuar pacientët.
 
Brenda 3 minutave stafi nxori jashtë pacientët dhe ndërhyrja ishte e menjëhershme. Kur erdhi policia dhe zjarrfikësja gjithçka ishte në kontroll. Të gjithë pacientët janë jashtë rrezikut, përveç dy pacienteve që kanë qenë në sallën e vogël në afërsi më pacientin e dëmtuar kur ndodhi ngjarja.
 
Mjekja ka dhënë informacion edhe mbi gjendjen shëndetësore të pacientit Dashamir Saraçi, i cili ka djegie të rënda. "Pacienti është djegur në 90% të trupit nga zjarri"deklaroi ajo.


 
Ora 17:50 Pacientja: Personat që u përfshinë nuk i njihnim
Ngjarjen e rëndë në Spitalin Amerikan e ka rrëfyer për mediat dhe njëra nga pacientet që ndodhej brenda ambienteve në momentin e zjarrit.
 
"Unë jam paciente në dhomën tjetër. Ne na erdhi ndihma në 2 minuta na zgjidhën dhe na nxorën jashtë, pasi po vinte tymi te ne. Ne ishim larg, vetëm tymi na mbyti pak, por e kaluam kollaj.
 
 Nga tymi nuk pati të dëmtuar. Personat që u përfshinë nuk i njihnim, pasi ishin në dhomë tjetër"tha pacientja. 

 
Ora 16:58 Policia i komunikon arrestin në spital autorit të zjarrvënies
Policia e Tiranës i ka komunikuar sot arrestimin autorit të zjarrvënies në Spitalin Amerikan, i cili gjatë paradites së sotme i vuri zjarrin ambienteve të pavionit të Hemodializës në përpjekje për të djegur një tjetër pacient që po merrte shërbim aty.
 
Sipas policisë, autori i dyshuar është Lefter Cani 57-vjeç që ndodhet në repartin e reanimacionit pas ngjarjes në Spitalin Amerikan ku humbën jetën 2 paciente dhe u plagosën katër të tjerë.
 
Cani akuzohet për dy vepra penale: zjarrëvenie e qëllimshme dhe vrasje në rrethana cilësuese

Ora 13:58 Vdes një tjetër paciente, e gjejnë poshtë krevatit
Zyrtarisht ka shkuar në dy numri i pacientëve që humbën jetën nga rënia e zjarrit në ambientet e brendshme të Spitalit Amerikan.

Grupi hetimor gjatë këqyrjes dhe kontrollit të vendit të ngjarjes kanë konstatuar poshtë një krevati trupin e pajetë të një  pacienteje tjetër të identifikuar 55 vjeçarja Hani Mali, banuese në Laç.

del turpi viktimes spitali ushtarak

del turpi viktimes spitali ushtarak
( Një nga viktimat duke u transportuar per ne morg )

Ora 13:44 Alma Sheme: Sanija merrte prej 10 vitesh trajtim me dializë
Alma Sheme, nënkryetare e Shoqatës së të sëmurëve me Dializë u shpreh se pacientet të cilat ndërruan jetë sot në Spitalin Amerikan, kishin prej 10 vitesh që merrnin trajtimin e hemodializës.
 
"Janë dy viktima nga zjarri. Sanija kishte 10 vite që merrte shërbimin e Hemodializës", tha ajo.

Ndërsa e pyetur për personin që vuri zjarrin, veprim i cili çoi dhe në tragjedi, Shehu tha se nuk e njihte. "Pacientët i njihja të gjithë. Personin që vuri zjarrin nuk e njihja", theksoi nënkryetarja e Shoqatës së të sëmurëve me Dializë, Alma Sheme. 



Ora 13:35 Braho: Dy viktima nga zjarri, të plagosurit në gjëndje të mirë
Drejtoresha e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Vjollca Braho, u shpreh se janë dy viktima nga rënia e zjarrit në Spitalin Amerikan të Tiranës. 

Ajo theksoo se të plagosurit nga zjarri në Spitalin Amerikan janë në gjendje të mirë. Braho sqaroi se shkak për ngjarjen tragjike është bërë një pacient i cili ka tentuar të djegë një tjetër. 

"Pasi pacienti ka marrë shërbimin e Hemodializës, ai i është drejtuar dhomës së pacientëve të tjerë ku ka hedhur benzinë në drejtim të pacientit që ai donte t'i vinte zjarrin, por flakët kanë përfshirë edhe pacientët e tjerë", u shpreh Braho. 

Ajo theksoi se procesi i Hemodializës do të vijojë në godinën tjetër të Spitalit Amerikan në Tiranë



Ora 13:28 Dyshohet dhe për një viktimë tjetër
Shkon në dy bilanci i viktimave prej rënies së zjarrit në shërbimin e Hemodializës pranë Spitalit Amerikan në Tiranë. Dyshohet se ka humbur jetën edhe pacienti  D.Saraçi të cilit iu vu zjarri nga pacienti tjetër Lefter .C​.

Ora 13:07 Njoftimi i Policisë për ngjarjen në Spitalin Amerikan
Më datë 25.07.2016, rreth orës 11:00, tek spitali Amerikan, në SQU, në brendësi të pavionit të Hemo-Dializës, ka rënë zjarr.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet policore dhe zjarrfikset të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Shërbimet e komisariatit të Policisë nr 3 nxorrën jashtë godinës pacientët që ndodheshin brenda.

Nga veprimet paraprake te grupit hetimor i cili ndodhet në vendin e ngjarjes dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç .

Dyshohet se ka lind një konflikt midis dy shtetasve Lefter .C dhe shtetasit D.Saraçi, 47 vjeç.

Shtetasi Lefter .C pasi ka mbaruar dializen ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S , ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin D.S dhe me pas i ka vënë zjarrin.

Me nderhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin .

Shtetasi D.Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njejtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj , 55 vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë.

Aktualisht shtetasi D.Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reaminacionit pranë spitalit Amerikan 1, kurse autori i dyshuar ndodhet në spitalin American 2 .

Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ora 12:53 Beqaj: Mbikëqyrje administrative kontratës së Hemodializës
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se do kërkohet mbikëqyrje administrative kontratës së koncesionarit të Hemodializës. Pas ngjarjes tragjike brenda Spitalit Amerikan ku humbën jetën dy pacientë, Beqaj tha se Ministria e Shëndetësisë do të zhvillojë hetim administrativ.  
 
"Sigurisht ne do të shqyrtojmë pjesën administrative të kontratës së Spitali Amerikan ka me Fondin e  Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për shërbimin e hemodializës", u shpreh Beqaj, ndërsa shtoi se i takon organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen.

Beqaj theksoi se nga zjarri në Spitalin Amerikan ka humbur jetën një person. "Ka një fatalitet, por do t'ia lëmë organeve të drejtësisë të hetojë shkaqet e kësaj ngjarje", tha Beqaj.
 
Ministri theksoi se dy pacientë të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe bëhet fjalë konkretisht për autorin e zjarrvënies dhe pacientin tjetër të cilit ai donte t'i vinte flakën. "Dy pacientë ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin mjekimin përkatës".
 
"Të tjerët me dëmtime të lehta. Janë të dëmtuar edhe dy infermierë që kanë qenë duke kryer shërbimin ndaj pacientëve. Janë treguar shumë të zotë duke ndihmuar pacientët që të hiqnin pacientët për të dalë jashtë sallës", tha Beqaj. 



Ora 12:40 Viktima është një grua, po merrte trajtimin e Hemodializë 
është një grua viktima e zjarrit në ambientet e brendshme të Spitalit Amerikan. Ajo po merrte mjekimin e Hemodializës në momentin e rënies së zjarrit, ndërsa nuk ka mundur të dalë nga dhoma. Ndërsa autori i zjarrvënies dhe pacienti tjetër që ishte objektiv i tij, kanë mbetur të plagosur rëndë dhe ndodhen në Spitalin "Nënë Tereza". 

Ora 12:20 Goxhaj: Dy personat kanë pasur konflikte të hershme me njëri-tjetrin 
Drejtori i Shërbimit të Zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj ka deklaruar në një lidhje telefonike për Report Tv se dy personat e konfliktuar ditën e sotme në ambientet e brendshme të spitalit, kanë pasur probleme të mëhershme me njëri-tjetrin. Sipas tij, viktima dhe i plagosuri janë të dy pacientë të hemodializës.

"Dyshohet se dy qytetarë që bënin dializën pranë Spitalit kanë qenë në konflikt dhe njëri prej tyre ka shfrytëzuar ambientet e spitalit për të dëmtuar tjetrin. Në momentin që dhoma e Hemodializës është përfshirë nga flakët, personi që donte të digjte tjetrin është futur në dhomë ku edhe është djegur", u shpreh Goxhaj.

Personi tjetër i cili mbeti i plagosur ndodhet në Spitalin e Traumës ku mësohet është jashtë rrezikut për jetën.
 
"Pacienti që mbeti i plagosur është transportuar menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak dhe është jashtë rrezikut për jetën", tha ai.
 
Goxhaj tha se ndërhyrja e zjarrfikëses ka qenë e menjëhershme për neutralizimin e flakëve. "Situata është normalizuar, zjarri është shuar në kohë dhe shërbimi i zjarrfikëses është larguar nga vendi i ngjarjes"

Kreu i shërbimit të zjarrfikëses theksoi gjithashtu se spitali disponon pajisjet e duhura për shuarjen e flakëve, por zjarri ka rënë në një zonë ku rrezikshmëria e pajisjeve është shumë e lartë.

"Ekspertë tanë po verifikojnë të gjitha pajisjet për mbrojtjen nga zjarri. Mendojmë se spitali i ka marrë masat kundër zjarrit. Pajisjet që ndodhen brenda spitalit janë të një rrezikshmëria shumë të lartë dhe koha ka qenë e pamjaftueshme për shuarjen në kohë të flakëve", theksoi ai. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 3 Mars, 09:34

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?



×

Lajmi i fundit

Nga Meta, Mediu, Idrizi e Dule tek Selami Jenisheri e Kujtim Gjuzi, cilët janë 25 aleatët e Berishës për koalicionin e ‘Shqipërisë Madhështore’! Marrin 8 mandate të sigurta

Nga Meta, Mediu, Idrizi e Dule tek Selami Jenisheri e Kujtim Gjuzi, cilët janë 25 aleatët e Berishës për koalicionin e ‘Shqipërisë Madhështore’! Marrin 8 mandate të sigurta