Korçë - Një banesë është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në lagjen nr.13 në Korçë. Viktimë e zjarrit mbeti 73-vjeçarja Fluturie Potka, e cila ndërroi jetë si pasojë e asfiksisë.
Sipas informacioneve, dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e jorganit me korent që përdorte e moshuara. Mësohet se Potka ishte e paralizuar dhe jetonte vetëm.
"Më datë 15.01.2026, rreth orës 09.10, në lagjen nr. 13, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetases F. P., rreth 73 vjeçe, e cila si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë. Shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit", njoftoi sot policia.
Fqinjët shprehen të tronditur për këtë ngjarje teksa shtojnë se kishte vite që jetonte vetëm dhe ushqimet i blenin ata.
“Kishte vite që jetonte vetëm, prej disa muajsh u paralizua. Nuk kishte pranuar të jetonte me djalin edhe pse i kishte thënë”, tha një fqinje e viktimës.
“Nuk dilte. Ia merrin të tjerët ushqimet”, tha një tjetër.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të bërë dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Komente










