VLORË- Mbrëmjen e sotme në qarkun e Vlorës janë shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri, në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë, mes orës 20:15 dhe 22:15. Aktualisht në qark janë 5 vatra zjarri aktive. 

Zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara. Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive.

Përmes një komunikate, Ministria e Mbrojtjes thotë se nuk kemi të bëjmë vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal. E madje, sipas ministrisë ky grup vepron në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri.

"Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie. Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri. Forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve", njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë, situata është përkeqësuar edhe në veri. Tre vatra zjarri u raportuan pasditen e sotme në zonën e Fushë-Arrëzit, qarku i Shkodrës.

Pas dy të parave në Njësinë Blerim, është shfaqur një tjetër vatër zjarri pasdite vonë në pyjet pranë fshatit Kryezi, Njësia Qada e Malit, që kërcënon edhe banorët sipas autoriteteve vendore. Më parë u ndezën zjarret në Kulumri. Bashkia Fushë-Arrëz bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhereshme nga ajri.

Vatrat përhapen me shpejtësi për shkak të flakëve, edhe pse shumë forca janë në aksion. Ndërhyrja nga toka cilësohet tepër e vështirë dhe në kryezi e pamundur, pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit.

Në ndihmë të mjeteve zjarrfikëse të Fushë -Arrëzit ka shkuar dhe një automjet zjarrfikës i Pukës dhe 3 autobot.  

Kreu i Pyjores, Artmir Doda, u shpreh se situata është e vështirë dhe kërkoi ndihmën e Ushtrisë dhe banorëve. Ai tha se janë 3 vatra aktive që po djegin sipërfaqe me bimësi, pyje e kryesisht pisha.

"Zjarri në Kryezi favorizohet nga era dhe rrezikon banesat, kërkojmë ndihmë për të shuar flakët dhe shpëtuar jetët. Dyshojmë se është zjarr i qëllimshëm", tha ai.

Janë riaktivizuar sërish vatrat e zjarrit në afërsi të Kurores së Dardhës në Shkodër. Dy vatra kanë dalë jashtë kontrollit. Vatrat e zjarrit janë në afërsi të Lumit të Trunit dhe pranë Kulumrisë.

Kreu i Emergjencave të Fushë Arrëzit, tha nga terreni ku ndodhej për shuarjen e flakëve, se ndodheshin në fshatin Kryezi sepse vatra e zjarrit është e fuqishme dhe rrezikon jetët e banorëve. Ai apeloi për ndihmë nga ajri.

"Siç e shikoni, flakët janë jashtë kontrollit dhe nga toka nuk veprohet dot. Duhet ndërhyrje nga ajri, shpresojmë të vijë dhe të shpëtojmë njerëzit", tha ai.

Krahas forcave të aktivizuara nga bashkia po vepron dhe një helikopter. Dy mjete zjarrfikese i janë bashkuar forcave të angazhuara nga toka.

Një zjarr ka rënë edhe në Cërrik, qarku Elbasan, ditën e sotme, ku janë përfshirë nga flakët disa shkurre. Deri më tani nuk dihet përmasa e zjarrit, por si pasojë  zjarrit është përhapur një tym i madh në zonë. Ndërkohë që në vendin ku ka rënë zjarri ka shkuar zjarrfiksja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:28
Vijon zjarri në fshatin Kryezi, forcat zjarrikëse 'në luftë' me flakët

 

Vijon që të jetë aktiv zjarri në fshatin Kryezi.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet se pisha dhe pemë vijonë që të jenë nën flakë.

Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vijojnë 'luftën' me flakët për të bërë të mundur shuarjen e tyre.

Ora 21:43
Zjarri në fshatin Drashovicë, era favorizon përhapjen e flakëve! 4 vatra të tjera në Dukat, Mavrovë, Vajzë e Bolenë

 

Një zjarr ka rënë në një kodër pranë fshatit Drashovicë të Bashkisë Selencë. Vatra e zjarrit është në një terren të vështirë, ndërsa era që fryn ndihmon në përhapjen e flakëve.

Nga zjarri në Drashovicë rrezikohet një stan që ndodhet afër vatrës së zjarrit.

Ndërkohë, po tani në mbrëmje një vatër zjarri është rregjistruar edhe në afërsi të fshatit Dukat, si edhe në fshatrat Bolenë, në Kotë, Mavrovë dhe Vajzë.

Autoritetet lokale dhe forcat zjarrfikëse janë në terren për të mbajtur nën kontroll flakët.

Ora 21:28
Zjarret në Fushë Arrëz, në ndihmë për shuarjen e flakëve edhe forca zjarrfikëse të Pukës

1755804909_as.JPG

Zjarret në bashkine e Fushë Arrëzit vijojnë të mbeten problematik. Krahas dy vatrave të zjarrit që vijojnë aktive prej 10 ditësh, pasditen e së enjtes një vatër zjarri është shfaqur në pyjet me pisha në afërsi të fshatiti kryezi duke rrezikuar qe të hyjë në fshat.

Situata në Kryezi u konsiderua serioze nga autoritetet lokale të cilat kërkuan ndërhyrjen nga ajri, gjë që nuk u bë e mundur. 

Bashkia e Fushë- Arrëzit u detyrua të tërheq disa nga forcat e angazhuara në vatrat pranë fshatiti Xath duke i përqendruar në afërsi të fshatiti Kryezi, teksa në ndihmë të zjrrfikësve dhe punonjësve të shërbimit pyjor shkuan dhe banorë të fshatrave Kryezi dhe Orosh si dhe dhe një skuadër e shërbimit zjarrfikës të Pukës dhe disa autobot të ofruara nga kompani private.

Aktualisht intensiteti i flakëve ka rënë, por forcat e angazhuara vijojnë monitorimin me qëllim që zjarri të mos përhapet drejt fshatrave Kryezi e Orosh në njesine administrative Qafë Mali.

Ora 20:55
Selenicë/ Zjarr në Drashovicë, rrezikohet stalla me bagëti

 

Një vatër zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Drashovicë, bashkia Selenicë.

Flakët janë shfaqur rreth 100 metra poshtë një stalle, duke rrezikuar bagëtitë që ndodhen aty pranë.

Ora 17:56
Fushë-Arrëz/ Kreu i Pyjores, Doda: 3 zjarre aktive, njëri i rrezikshëm për banorët! Dyshohen të qëllimshme! Pepa: Duam ndihmë nga ajri, situatë kritike (VIDEO)

 

Artmir Doda, kreu i Pyjores dhe Dodë Pepa, kreu i Emergjencave në Fushë Arrëz, duke folur për sitiatën e zjarreve 

Zjarret në zonën e Fushë-Arrëzit kanë marrë përmasa të rrezikshme teksa po djegin prej orësh sipërfaqe me pyll e bimësi, madje në një prej vatrave duke iu afruar edhe zonës së banuar.

Artmir Doda, drejtor i Shërbimit Pyjor në Fushë Arrëz, bëri një panoramë të situatës pasditen e sotme, teksa ndodhej në terren duke drejtuar aksionin bashkë me zjarrfikësit dhe emergjencat për shuarjen e fkalëve.

Ai apeloi për ndihmë nga banorët dhe Ushtria, pasi flakët përhapen me shpejtësi sidomos në fshatin kryezi, ku po rrezikohen edhe shtëpitë. Gjithashtu thekson se zjarri dyshohet se është i qëllimshëm.

“Aktualisht kemi 3 vatra zjarri, në Kulumri, në një Njësinë Administrative Blerim dhe para 40 minutash në zonën e Kryeziut një vatër e re zjarri, njësia e Qafë malit, shumë aktive dhe e rrezikshme. Vetëm një orë nga zjarri ka të paktën 2 ha të djegura me pishë të zezë. Jo vetmë kaq, por përbën rrezik edhe për banorët e fshatit Kryezi, sepse era favorizon kushtet e përhapjes së zjarrit, në drejtim të shtëpive dhe banesave”, tha ai.

Në lidhje me shkaqet e zjarrit dhe apelin që kishte, Doda u shpreh:

“Policia e Shtetit është këtu, po heton, por mendohet se është një zjarr i qëllimshëm. Të gjithë banorët e zonës dhe Ushtria të na vijnë në ndihmë për të neutralizuar zjarrin dhe të mos kemi dëmtim të jetëve”.

Kurse Dodë Pepa, shefi i Emergjencave Civile bashkia Fushe Arrëz, tha se në fshatin turistik Kryezi, problematike mbetet zona e quajtur Podinat, ku flakët përparonin të ndihmuar nga era.

“U shfaq para një ore dhe jemi këtu me forca për ta shuar, pasi ishim në një vatër tjetër të përqendruar ku po luftojmë prej ditësh. Siç e shihni, situata është jashtë kontrollot, sepse ndërhyrja nga toka është e vështirë. Shpresojmë të na vijë ndihma nga ajri që të shpëtojmë këtë vend, sepse situata është shumë kritike”, tha ai.

Ora 17:28
Zjarr në Fushë-Arrëz, flakët përhapen në pyjet e fshatit Kryezi! Pamjet me dron

 

Në Fushë-Arrëz është shfaqur një tjetër vatër zjarri në pyjet pranë fshatit Kryezi në Podinat. Zjarri i ndihmuar nga erat e forta po përhapet me shpejtësi në pyjet e pishës së zezë.

Shërbimi zjarrfikës, Shërbimi Pyjor dhe Policia kanë shkuar në vendin ku ka rënë zjarri.

Bashkia Fushë-Arrëz bën thirrje për ndërhyrje të menjëhereshme nga ajri dhe apelon banorët që të mobilizohen për vëninen nën kontroll të flakëve.