Artmir Doda, kreu i Pyjores dhe Dodë Pepa, kreu i Emergjencave në Fushë Arrëz, duke folur për sitiatën e zjarreve
Zjarret në zonën e Fushë-Arrëzit kanë marrë përmasa të rrezikshme teksa po djegin prej orësh sipërfaqe me pyll e bimësi, madje në një prej vatrave duke iu afruar edhe zonës së banuar.
Artmir Doda, drejtor i Shërbimit Pyjor në Fushë Arrëz, bëri një panoramë të situatës pasditen e sotme, teksa ndodhej në terren duke drejtuar aksionin bashkë me zjarrfikësit dhe emergjencat për shuarjen e fkalëve.
Ai apeloi për ndihmë nga banorët dhe Ushtria, pasi flakët përhapen me shpejtësi sidomos në fshatin kryezi, ku po rrezikohen edhe shtëpitë. Gjithashtu thekson se zjarri dyshohet se është i qëllimshëm.
“Aktualisht kemi 3 vatra zjarri, në Kulumri, në një Njësinë Administrative Blerim dhe para 40 minutash në zonën e Kryeziut një vatër e re zjarri, njësia e Qafë malit, shumë aktive dhe e rrezikshme. Vetëm një orë nga zjarri ka të paktën 2 ha të djegura me pishë të zezë. Jo vetmë kaq, por përbën rrezik edhe për banorët e fshatit Kryezi, sepse era favorizon kushtet e përhapjes së zjarrit, në drejtim të shtëpive dhe banesave”, tha ai.
Në lidhje me shkaqet e zjarrit dhe apelin që kishte, Doda u shpreh:
“Policia e Shtetit është këtu, po heton, por mendohet se është një zjarr i qëllimshëm. Të gjithë banorët e zonës dhe Ushtria të na vijnë në ndihmë për të neutralizuar zjarrin dhe të mos kemi dëmtim të jetëve”.
Kurse Dodë Pepa, shefi i Emergjencave Civile bashkia Fushe Arrëz, tha se në fshatin turistik Kryezi, problematike mbetet zona e quajtur Podinat, ku flakët përparonin të ndihmuar nga era.
“U shfaq para një ore dhe jemi këtu me forca për ta shuar, pasi ishim në një vatër tjetër të përqendruar ku po luftojmë prej ditësh. Siç e shihni, situata është jashtë kontrollot, sepse ndërhyrja nga toka është e vështirë. Shpresojmë të na vijë ndihma nga ajri që të shpëtojmë këtë vend, sepse situata është shumë kritike”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Zjarret e mbrëmjes në fshatrat e Vlorës, Ministria e Mbrojtjes: Pas tyre një grup kriminal që vepron natën! 3 vatra në Fushë-Arrëz







