Zjarret e fuqishme rrezikojnë dy fshatra në Fushë Arrëz, ndërsa kryetari i bashkisë Fran Tuci në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se situata është shumë e rëndë dhe nëse do të vijojë kjo gjendje alarmante rrezikohen që të shkrihen për 20 minuta dy fshatra, pasi gjithçka ka dalë jashtë kontrollit.

Ai u shpreh se zjarri që përfshiu një zonë me pisha ka mbërritur deri në oborret e banesave, ndërsa helikopteri e ka pasur të pamundur për të ndërhyrë. 

Dy fshatrat që po rrezikohen nga zjarri masiv prej tre ditësh janë Tuc dhe Lumbardhë. Report Tv siguron pamjet e para nga zjarri masiv që ka përfshirë dy fshatrat, ndërsa banorët e zonës të mbështetur nga forcat e FA vijojnë betejën me flakët.  

Ushatarakët në luftë me zjarrin në Fushë-Arrëz

Intervista e kryetarit të bashkisë për Report Tv

Si paraqitet situata në Fushë Arrëz?
Zjarri kaloi përmasat. Është bërë i papërballueshëm, ka banorë të rrezikuar. Ditën e parë e shuam vetë zjarrin, por u aktivizua prapë dhe ka tre ditë që po përleshemi me zjarrin.

Sa banesa janë në rrezik?
Zjarri ka arritur deri në oborrin e shtëpive, pas 20 minutash fshati mund të shkrihet nga zjarri. Bashkia ka qenë e mbyllur, të gjithë punonjësit janë atje. Kemi kërkuar ndihmë nga qeveria, por helikopteri e ka pasur të pamundurën që të futet. Në fshatin Tuc dhe Lumbardhë rrezikohen 20 banesa. Kjo situatë ishte e paparashikueshme.

A keni bërë thirrje për evakuim?
Kemi bërë thirrje për evakuim. Kanë ardhur forcat nga FA, po punojnë për shuarjen e flakëve.

Dihen shkaqet e zjarrit?
Nuk dihen shkaqet e zjarrit