Një zjarr i madh ka përfshirë mesditën e sotme kodrat e fshatit Sherishtë në bashkinë e Vlorës, duke rrezikuar ullishtet e zonës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të ndihmuara edhe nga era, dhe kanë hyrë në parcelat e banorëve ku janë djegur disa rrënjë ulliri. Situata është bërë më e vështirë për shkak të terrenit të thyer, ndërsa zjarri vazhdon të përparojë dhe rrezikon të përhapet edhe në parcela të tjera me ullinj dhe në zona me pyje.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim që të ndalojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe dëmet në ullishtet e zonës.
Komente











