Një zjarr ka rënë sot në ullishtet e fshatit Duhanas, në Berat. Zjarri ka filluar në pjesën fundore të kodrës me pemë ulliri dhe ka përparuar me shpejtësi drejt të gjithë kodrës me ullishte, i favorizuar nga era.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se zjarri po përparon edhe drejt zonës së gjelbëruar me pisha, ndërkohë që nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një zjarrëvënie të qëllimshme apo një zjarr të shkaktuar nga pakujdesia.

Flakët e zjarrit dhe tymi që po përhapeshin janë dukur edhe në zonën fundore të Beratit, në lagjen "Uznovë".

Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të Repartit Zjarrëfikës të qytetit dhe forca policie, që janë duke punuar për lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e zjarrit.