Mali i Dajtit dhe disa zona të Dibrës vijojnë të përballen me zjarret, ndërsa në terren dhe nga ajri janë angazhuar dhjetëra efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 në vend janë regjistruar tetë vatra zjarri, pesë prej të cilave mbeten aktive.
Ministria bën të ditur se dy vatra të tjera mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa një është shuar plotësisht. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Forcat e Armatosura, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, Policia e Shtetit, strukturat bashkiake dhe vullnetarë.
Në Malin e Dajtit, pas riaktivizimit të tre vatrave, në terren po punojnë 20 zjarrfikës dhe forca të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të mbështetur nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Operacioni po zhvillohet në terren të vështirë dhe zjarri vijon të mbetet aktiv.
Angazhimi më i madh i forcave është përqendruar në qarkun Dibër. Në Qafë të Helmës po operojnë 27 forca, ndërsa në Vajkal janë angazhuar zjarrfikës, forca pyjore, policore, bashkiake, punonjës të shërbimeve dhe vullnetarë. Për shkak të erës, ndërhyrja po mbështetet edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura.
Edhe në Sllatinë të Dibrës operacioni vijon në terren të thyer malor, ku forcat po punojnë me mjete 4x4 dhe me mbështetje nga ajri. Ndërsa në Arrmollë situata është normalizuar dhe nuk ka rrezik për banesat.
Në Ungrej të Lezhës, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, forcave bashkiake dhe vullnetarëve.
Ndërkohë, në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara.
Vendgrumbullimi i mbetjeve në Kameras të Fushë-Krujës është përfshirë sërish nga flakët. Sipas autoriteteve, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm, pasi flakët kanë përfshirë njëkohësisht të gjithë fushën e mbetjeve dhe dyshohet se është përdorur lëndë djegëse.
Kjo është hera e dytë brenda rreth një muaji që në këtë vendgrumbullim bie zjarr.
Reja e tymit toksik ka mbuluar zonën dhe, në varësi të drejtimit të erës, shtrihet deri në Mamurras dhe Kamëz.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po përpiqen ta mbajnë situatën nën kontroll. Megjithatë, sipas të dhënave nga terreni, zjarri nuk mund të shuhet vetëm me mjetet zjarrfikëse, por kërkohet ndërhyrje me fadroma për kapsulimin e mbetjeve, që konsiderohet mënyra e vetme për shuarjen e tij.
Një helikopter i Forcës Ajrore është angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit në Vajkal të Bulqizës, duke ndërhyrë nga ajri në mbështetje të 30 forcave operacionale që ndodhen në terren. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa operacioni vijon.
Një vatër zjarri është ka rënë në orët e para të mëngjesit mbi fshatin Vajkal, në Bashkinë Bulqizë.
Flakët janë përhapur në disa pika të ndryshme, jo shumë larg njëra-tjetrës, duke ngritur dyshimet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.
Terreni i vështirë malor e bën të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikëse, ndërsa forcat në terren po përballen me vështirësi në izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe një helikopter, i cili po punon nga ajri për shuarjen e zjarrit.









Komente
Komento