Avionët grekë kanë nisur operacionin për shuarjen e zjarrit në Dukat të Vlorës rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, ndërsa në orën 20:00 janë larguar për të rifilluar sërish të premten operacionin në Jug të Shqipërisë.
Pas Dukatit avionët grekë do të zhvendosen edhe në zona të tjera që janë aktualisht në pushtetin e flakëve nga Jugu në Veri të vendit.
Disa banesa në fshatin Dukat janë të rrezikuara nga flakët, në Llogara situata paraqitet mjaft kritike, pasi flakët kanë mbërritur pranë Parkut Kombëtar, por edhe në fshatin Kallarat.
Llogaraja, Krasta e Elbasanit, Metoh i Mallakastrës apo dhe Malin e Dajtit, pak kilometra larg Tiranës, janë nën pushtetin e flakëve prej dy apo tre ditësh.
Më problematike paraqitej situata në zonën e Krastës, ku flakët mbërritën pranë banesave, por falë ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës janë neutralizuar në kohë.
Qyteti i Elbasanit prej dy ditësh zgjohet i mbuluar nga tymi. Gjatë gjithë natës zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë punuan për fikjen ne zjarrit, pavarësisht terrenit të vështirë.
Edhe fshati Metoh i Mallakastrës është i rrethuar nga zjarri. Vatrat e zjarrit në pyllin e këtij fshati vijojnë prej të mërkurës, ndërsa flakët rrezikojnë edhe banesat aty pranë, pasi zjarri favorizohet nga era e fortë.
Avionë nga Italia dhe Greqia
Përhapja e flakëve masive të zjarrit dhe terreni i vështirë malor vështirësojnë shuarjen e flakëve në zonat më kritike si Llogaraja, Mallakastra, Elbasani dhe Mati.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka zhvilluar biseda telefonike me homologët e tij grekë dhe italianë, Nikos Kotzias dhe Angelino Alfano, ku ka kërkuar ndihmë për situatën e zjarreve në vend.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në situatën emergjente që po kalon si pasojë e zjarreve.
"Italia do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për popullin shqiptar” është shprehur Alfano gjata bisedës telefonike me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Bushati.
Situata e zjarreve në gjithë vendin
Ora 20:15 Largohen dy avionët grekë, nesër do të rifillojë operacioni
Ora 20:10 Zjarret, Demiraj: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj kërkon që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme pas situatës së zjarreve që është përfshirë Shqipëria në javët e fundit nga veriu në jug.
Ministri Demiraj shprehet se situata është shumë e rëndë, ndërsa kërkoi më shumë vëmendje nga kryeministri.
Nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, ministri teknik i PD në qeveri thotë se situata mund të menaxhohet më mirë, sepse do të alokohen më shumë fonde, më shumë forca dhe do të ketë përfshirje më të madhe të strukturave qeveritare.
Ora 19:20 Ja si e fikin zjarrin “Ninxhat” e Gramshit në Elbasan
E ndërsa zjarri vijon në Krastë të Elbasanit, skuadra zjarrfikëse e Gramshit ka shkuar në ndihmë për të shuar flakët me pompa krahu, pasi terreni është i vështirë për të ndërhyrë zjarrfikësja.
Videoja tregon se sa i vërtetë është etiketimi “Ninxhat” për skuadrën e zjarrfikësve në Gramsh.
Në Krastë priten edhe helikopterët në ndihmë për të shuar plotësisht vatrat e zjarrit që vijojnë prej dy ditësh duke rrezikuar depon e ujit dhe banesat pranë.
Ora 18:00 Dy avionë grekë nisin shuarjen e zjarrit në Vlorë
Ministria e Jashtme dhe ministria e Brendshme njoftojnë që dy avionë grekë kanë filluar operacionin e shuarjes se zjarrit në Jug të vendit pas ndihmës së kërkuan autoritetet shqiptare.
Aktualisht avionët grekë kane filluar punën për shuarjen e zjarrit në fshatin Dukat, ndërsa operacioni drejtohet nga Shemsi Premci.
Ora 17:00 Demiraj shkon në Elbasan për të shuar flakët, akuzon bashkinë
Nisur nga situata e rëndë që ndodhet vendi nga zjarret, ministri teknik i Brendshëm Dritan Demiraj ka zbritur në terren.
Në faqen e tij në Facebook, Demiraj ka publikuar disa foto nga Krasta duke tentuar që të shuajë flakët me një degë, ndërsa shprehet se situata është e papranueshme.
Demiraj akuzon se qeveria vendore, bashkia apo qytetarët e zonës nuk janë angazhuar për të shuar zjarrin që ka përfshirë Kodrën e Krastës prej dy ditësh.
Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga flakët si pasojë e temperaturave të larta, por edhe zjarrvënies së qëllimshme, ndërsa në Krastë rrezikohen banesat dhe depoja e ujit.
Ora 15:55 Vlorë, zjarr në Kallarat, rrezik banesat
Një tjetër vatër zjarri është regjistruar në Vlorë. Mesditën e sotme në fshatin Kallarat është përfshirë nga flakët një masiv pyjor, ndërsa zjarri rrezikon që t’u afrohet edhe banesave që ndodhen pranë.
Zjarrfikësja ende nuk ka ndërhyrë për të shuar zjarrin, ndërsa aktualisht luftën me flakët po e vijojnë banorët e fshatit Kallarat.
[gallery]23352[/gallery]
Ora 13:15 Situata nga zjarret,Vasili:Shqipëria digjet, kryeministri krihet
Petrit Vasili, kryetar i grupit paralamentar të LSI përmes një statusi në rrjetin social facebook ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend duke kërkuar që qeveria të ndërhyjë.
Në shkrimin e tij ai pyet se ku është qeveria dhe përse nuk shpallet gjendja e jashatëzakonshme. 'Shqipëria digjet, kryeministri krihet," e mbyll shkrimin Vasili.
Ora12:40 Situata nga zjarret/ Bushati i kërkon ndihmë Kotzias e Alfanos
Për shkak të situatës kritike të përhapjes së zjarreve në vendin tonë, ministrja e jashtme shqiptare ka kërkuar ndihmë nga Greqia dhe nga Italia
Bëhet me dije se ministri Bushati ka kontaktuar me homologun grek Kotzias dhe atë italian Angelino Alfano për të kërkuar ndihmë.
Mësohet se nga Korfuzi do të nisen 2 avionë zjarrfikës, të cilët do tu vijnë në ndihmë zjarrfikëseve shqiptare.
Burime të Ministrise së Jashtme konfirmojnë se pas bisedës me Ministrin e Jashtëm grek Kotzias, Bushati ka siguruar edhe ndihmën e Italisë. Ditën e sotme pritet të nisen nga Puglia avionët zjarrfikës.
Ora 12:30 Prençi: Presim 2 avionë nga Italia e Greqia për shuarjen e flakëve
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi u shpreh se pritet të vijnë dy helikopterë nga Italia dhe Greqia për shuarjen e flakëve në katër vatra kritike ku flakët vijojnë prej disa ditësh.
Gjatë një lidhje telefonike për Report Tv ai tha se e rëndë mbetet situata në Llogara, Elbasan dhe Malin e Dajtit.
"Situata e zjarreve vijon me intensitet të lartë. Janë 17-25 vatra zjarri aktive.
Zjarr ka në Dukat, në Llogara, situatë kritike ka pasur në rajonin e Elbasanit, Dajtit. Katër prej vatrave të zjarrit janë problematike ku janë angazhuar forca të zjarrfikëses, policisë dhe ushtrisë.
Presim nga momenti të vijnë një avion nga Greqia dhe një nga Italia.
Si rezultat i angazhimit 24 orë, është marrë në kontroll vatra e zjarrit në Dukat. lufta me zjarrin vijon në Llogara, në Dajt dhe në Elbasan", u shpreh Prençi.
Prençi theksoi se pavarësisht situatës kritike, vendi nuk është në kushtet e shpalljes së gjendjes së emergjencës.
Ora 12:00 Zjarri në Metoh, lëndohet një banor
Vatrat e zjarreve për shkak të temperaturave të larta por edhe ato për zjarrvënie të qëllimshme kanë mbërthyer gjithë vendin, nga jugu në veri.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë që prej tre ditësh edhe në fshatin Metoh të Mallakastrës ku si pasojë janë djegur mbi 150 hektarë.
Për shkak të terrenit të veshtirë eshtë e pamundur që të ndërhyjnë forcat zjarrfikëse, banorët e fshatit ashtu siç shihet edhe në foto po luftojne vetë me flaket ku si pasojë disa prej tyre kanë marrë edhe djegie në pjesë të trupit.
(Banori i lënduar nga zjarri në Metoh)
Ora 11:30 Kryeplaku i i fshatit Metoh kërkon ndihmë
Vijon të jetë ende kritike situata e zjarreve në fshatin Metoh të Mallakastrës.
I kontaktuar nga Report Tv kryeplaku i fshatit Riza Carku kërkoi ndihmë pasi janë duke punuar vetëm 4 zjarrfikës dhe banorët e fshatit.
Sipas tij zjarri është i qëllimshëm dhe nëse nuk arrin të zotërohet atëherë nesër mund të digjen banesa dhe shumë hektarë me ullishte
“S’kanë ardhur zjarrfikëset kemi kërkuar ndihmë. Zjarri është i qëllimshëm.E kemi fikur, por ka nisur sërish në orët e pasdites së djeshmeBanesat nuk rrezikohen. Nëse nuk zotërohet zjarri sot, nesër mund të digjen banesa por edhe ullishtet.
Kemi kërkuar ndihmë, kanë thënë që do të vijnë Duam ndihmë dhe forca nga shteti, njerëzit janë të lodhur Shpresa jonë është ndihma nga shteti”, u shpreh kryetari i fshatit
Ora 11:00 Vijon zjarri në Kodër Krastë
Vijon të ketë ende vatra të vogla zjarri në zonën e Krastës në Elbasan. Zjarri në pjesën jugore të Krastës në orët e para të mëngjesit të së enjtes është spostuar në pjesën jugore.
Fatmirësisht pranë shtëpive vatrat e zjarrit janë shuar.
Ora 11:30 Zjarr në Qafshtamë, Malin e Zgurrës dhe Tërnov
Qarku Dibër pushtohet nga zjarret. Nga zjarri i rënë në Shkopet është djegur kurora me pyje. Gjithashtu janë djegur edhe pisha ahu.
Zjarri ka përfshirë Qafshtamën, Malin e Zgurrës, Tërnov, Liqeni i Zi dhe i Bardhë ku po digjen kurora me pisha dhe ah 100 vjeçar.
Mungon ndërhyrja e zjarrfikëses për shkak të terrenit të vështirë. Në Shkopet rrezikohen edhe disa banesa të braktisura.
Ora 10:00 EC: Situata dhe masat për shkak të zjarreve
Gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, janë shënuar 25 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Berat.
Janë angazhuar 15 makina zjarrfikëse, 114 forca zjarrfikëse, 20 punonjës të Gardës, 130 forca ushtarake, 10 forca pyjore, 5 punonjës të zonave të mbrojtura dhe helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Qarku Tiranë
Në fshatin Ibë, Njësia Administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë, pas një pune të gjatë nga forca të MZSH Tiranë dhe 30 forcave ushtarake që shkuan për ndihmë, është shuar zjarri i rënë në sipërfaqen pyjore, ku si pasojë u dogjën rreth 10 ha me shkurre dhe pisha.
Tek Shkalla e Tujanit në Malin e Dajtit ditën e djeshme është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe të madhe zjarri, dhe ka vijuar të jetë aktiv gjatë gjithë natës. Vatra e zjarrit u dobësua pas ndërhyrjes nga helikopteri. Forca të MZSH Tiranë dhe forca ushtarake po punojnë për të krehur të gjithë zonën nga vatrat e fshehura të zjarrit.
Qarku Vlorë
Në Parkun Kombëtar të Llogarasë në fshatin Dukat të bashkisë Vlorë kanë qenë aktive vatra zjarri, në terren shumë të thyer malor mbi aksin rrugor nacional Vlorë-Llogara-Himarë. Për shkak të terrenit, ndërhyrja e forcave dhe automjeteve zjarrfikëse ka qenë e pamundur. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) dhe Drejtoria e Përgfjithshme e Emergjencvae Civile kanë kërkuar ndihmë pranë Qendrës së Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Europian (ERCC). Aktualisht në qark janë rreth 20 vatra zjarri aktive në largësi nga njëra tjetra, çka vështirëson shuarjen e tyre plotësisht. 3 vatra zjarri janë në krahun e majtë në aksin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër e vatrave të zjarrit janë në fshatrat e Lumit të Vlorës (Tërbaç, Vranisht dhe Kallarat). Mëngjesin e sotëm një helikopter ka shkuar përsëri në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe vijon punën, pasi situata duhet mbajtur nën kontroll që zjarri mos të përfshijë nga flakët Parkun Kombëtar.