Himara kaloi një natë tmerri mes flakëve të zjarrit që nisën në kodër dhe, të favorizuara nga era, u përhapën me shpejtësi pranë qytetit. Banesa e ullishte u përfshinë nga zjarri, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Një ditë më pas, situata është përmirësuar ndjeshëm.

Zjarri shpërtheu në lagjen nr. 1, pranë zonës së Bypass-it në Himarë, mbrëmjen e së premtes. Brenda pak orësh, flakët zbritën nga kodra dhe iu afruan zonave të banuara. Gjashtë banesa u dogjën, 3 prej tyre të banuara, por 36 banorë dhe turistë të rrezikuar ishin ishin evakuuar në kohë. Tani ata janë kthyer nëpër banesa, por flakët dogjën gjithashtu sipërfaqe të mëdha me ullishte.

Qyteti bregdetar, ende i mbushur me turistë, në mbrëmje ofroi një pamje kaotike. Banorë, pushues shqiptarë dhe turistë të huaj lanë banesat dhe hotelet, duke u larguar drejt zonave më të sigurta, ndërsa flakët ndriçonin kodrat përreth Himarës.

Gazetari i Report Tv Armand Xhelili, i cili e ndoqi situatën hap pas hapi deri në orët e para të mëngjesit, mori edhe dëshmitë e banorëve që përjetuan nga afër natën e zjarrit. Banorët tregojnë se kaluan momente të vështira, ndërsa flakët iu afruan shtëpive dhe turistët u larguan me valixhe drejt zonave më të sigurta.

“Të gjithë turistët u evakuuan për sigurinë e tyre. Kishim 6 dhoma me të huaj. Kemi komunikuar dhe na kanë pyetur kur mund të kthehen dhe nëse është e sigurt”, thotë Genta Ramaj.

“Erdhi zjarri nga lart, mezi kemi ikur me makinë. Mezi kemi shpëtuar. Janë djegur komplet ullinjtë. Hapëm çezmat dhe vaditëm gjithçka, pastaj morëm makinat dhe ikëm. Turistët i pamë të gjithë të largoheshin me valixhe”, thotë një banore tjetër.

Sot situata është përmirësuar, zjarri është vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të vatrave. Në terren vijojnë të jenë forcat e ushtrisë, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter. Në Himarë ka mbërritur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Mbrëmjen e së premtes në zonë ishin ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, si dhe strukturat lokale.

Dhjetëra forca zjarrfikëse nga qytete të ndryshme të vendit u angazhuan gjatë gjithë natës në Himarë, në një betejë të vështirë me flakët që përhapeshin me shpejtësi për shkak të erës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:24
Zjarret në Himarë, Rama: Nis vlerësimi i dëmeve, dëmshpërblim për të prekurit

1788600509_zjarret2026.jpg

Kryeministri Edi Rama njoftoi se bashkia e Himarës do të verifikojë dëmet nga zjarri, për të dëmshpërblyer të prekurit, 

"Himara dhe Fieri kaloi një natë shumë të vështirë mbrëmë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. Strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve. Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente", shkroi Rama. 

Kreu i qeverisë vlerësoi punën në terren të strukturave përgjegjëse që menaxhuan situatën e vështirë me zjarret mbrëmë jo vetëm në Himarë, por edhe në Fier, duke shmangur rrezikun për banorët.

Ora 10:27
Zjarri në Himarë, 3 persona shoqërohen për t’u marrë në pyetje

1788553834_himare.png

Tre persona janë shoqëruar për tu marrë në pyetje në lidhje me zjarrin në Himarë. Dyshimet janë se zjarri mund të ketë qenë edhe i qëllimshëm. Qyteti bregdetar u kërcënua nga flakët të cilat dolën jashtë kontrollit dhe dogjën 6 banesa, ndërsa 36 persona u evakuuan nga banesat.

Ora 08:31
Zjarri në Himarë/ Nufi: 171 efektivë të FA në terren gjatë natës, 10 mjete, zjarrfikëse dhe ambulancë në gatishmëri

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se 171 efektivë të Forcave të Armatosura u angazhuan gjatë natës për përballimin e zjarrit në Himarë. 

"Gjatë natës së kaluar Forcat e Armatosura vijuan angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri. 171 efektivë, 10 mjete në terren, 1 mjet zjarrfikës dhe 1 ambulancë nga Forcat e Armatosura ishin në gatishmëri dhe pranë komunitetit, në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës. Mirënjohje dhe respekt për secilin prej tyre", shkruan Nufi.

Ora 08:28
Zjarri në Himarë, banorët: Natë tmerri! Flakët erdhën për 10 minuta, policia na nxori nga shtëpitë (VIDEO)

Banorët e Himarës rrëfejnë momentet e frikës teksa flakët iu afruan banesave brenda pak minutash. “Situata ishte tmerr”, tregojnë ata, ndërsa policia ndërhyri për t’i evakuuar.

“Erdhi zjarri nga lart, erdhi poshtë ten ë. erdhën policët na nxorën. Për 10 minuta erdhi. Shtëpia e kushërirës së burrit tim u dogj. Zjarri është futur brenda. Erdhi policia, na ndihmoi. Na dha të mirën e parë”, tha një banore.

“Situata ishte tmerr”, thotë një banor tjetër.

Ora 08:00
Zjarri në Himarë, banorët rrëfejnë momentet e frikës: Mezi shpëtuam, turistët ikën me valixhe (VIDEO)

 

Banorët e Himarës tregojnë momentet e vështira teksa flakët iu afruan banesave, ndërsa turistët u evakuuan për siguri. Ata thonë se luftuan edhe për shuarjen e zjarrit, ndërsa tani situata është normalizuar. 

“Situata është normalizuar, kaluam momente të vështira por sikur çdo gjë u normalizua. Unë kam ambiente shërbimi, të gjithë turistët u evakuuan për sigurinë e tyre. I thamë të zbresin poshtë në qendër derisa të qetësohet gjendja, e po të duan të kthehen në akomodim i presim. Kishim 6 dhoma me të huaj. Kemi komunikuar dhe na kanë çuar mesazhe kur mund të vijmë dhe nëse është e sigurt të vijmë aty. Presim të vijë dhe energjia që të kthehemi sadopak në normalitet”, thotë një banore.

“Me çezma në dorë e stabilizuam situatën. A erdhi zjarri nga alrt, na erdhi këtu, mezi kemi iku me makinë. Mezi kemi shpëtuar. Janë djegur komplet ullinjtë, llastikët i lamë hapur, për 10 minuta i kemi vaditur të gjitha, ne morëm makinat dhe ikëm të gjithë nga shtëpia. Kushërira më njoftoi se lart po digjen 2-3 shtëpi, ishalla se janë me fëmijët vetëm, po luftojnë me ujë të shkretët. Po shuaja zjarrin edhe unë me kushëririn. Nga ora 19.30-20,00 na njoftuan dhe me sekonda hapëm çezmat. Turistët i pamë të gjithë të ikin me valixhe”, tha një banore tjetër.

Ora 07:43
Zjarri në Himarë, momenti kur një banesë përpihet nga flakët (VIDEO)

Report Tv sjell momentin një një banesë përpihet nga flakët në Himarë. Deri më tani raportohet për 7 banesa të djegura, 3 prej tyre të banuara. 2 të moshuar u shpëtuan nga një banesë që u shkrumbua nga flakët.

Ora 07:34
Zjarri në Himarë, nis ndërhyrja me helikopter për shuarjen e flakëve (VIDEO)

 

Në Himarë ka nisur ndërhyrja me helikopter për të bërë të mundur shuarjen e të gjithë vatrave të zjarrit. Deri më tani situata paraqitet më e qetë, ndërsa zjarri që kërcënoi banesat dhe bëri që të evakuohen banorë e turistë, u vendos nën kontroll vetëm rreth orë 02:00 të mëngjesit.