E ndërsa në të gjithë vendin vijojnë që të jenë aktive disa vatra zjarri, zv.Ministri i Mjedisit Kledi Xhaxhiu nga mali i Derjes ku ndoqi punën e punonjësve të Administratës së Zonave të Mbrojtura në izolimin e flakëve iu bëri thirrje vizitorëve dhe komunitetit për të frenuar zjarrvenien nga pakujdesia, apo të qëllimshëm.
 
“Gjatë stinës së verës, temperaturat e larta, pakujdesia e njerëzve, por dhe zjarre të qëllimshme kanë bërë që masive të tëra pyjore të Zonave të Mbrojtura të rrezikohen nga djegia. Vetëm gjatë muajit korrik dhe gjatë javës së parë të këtij muaji numërohen mbi 40 raste zjarresh”, tha zv/ministri i Mjedisit Kledi Xhaxhiu.
 
Zjarri në Malin e Derjes pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit u fik fundjavën e kaluar dhe është aktivizuar sërish këtë fundjavë, brenda 20 ditësh vetëm ky zjarr është fikur dhe riaktivizuar 4 herë.
 
“Ministria e Mjedisit i bënë thirrje Komunitetit dhe Vizitorëve të Zonave të Mbrojtura të bëjnë kujdes në këtë stinë të nxehtë vere, pasi një paskujdesi e vogël, një zjarrvënie e qëllimshme për të përfituar kullota mund të shkaktoj dëme të pallogaritshme.
 
Nëse hetimet konkludojnë në zjarrvënie të qëllimshme sipas Kodit Penal dënimi është me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Nëse nga vepra penale shkaktohen pasoja të rënda materiale, dënimet me burgim mund të arrijnë deri në dhjetë vjet”, tha zëvendës Ministri i Mjedisit Kledi Xhaxhiu.
 
Zv. Ministri Xhaxhiu bëri dhe një shpjegim shkencor të fenomenit. “Zjarri nuk djeg vetëm pyllin, por dhe cdo gjallesë që gjendet në të, duke shkaktuar dëm mjedisor dhe ekologjik. Këto grimca tymi nga lart zbresin të gjitha poshtë mbi qytet dhe krijojnë atë që quhet smog, duke rritur dhe efektin serrë, duke ndikuar në ndryshimet klimaterike.
 
Ky smog që shfaqet në mëngjes dhe në mbrëmje ndikon në shëndetin e qytetarëve”. Aktualisht në Parkun Kombëtar të Dajtit numërohen tre vatra zjarri aktive. “Ju bëjmë thirrje vizitorëve të parkut, por dhe banorëve të bëjnë kujdes, pasi temperaturat e larta dhe era bënë që flakët e zjarrit të shpërndahen në mënyrë të menjëhershme dhe megjithë përpjekjet zjarri është i vështirë të shuhet.
 
Sapo evidentojmë një vatër zjarri ne lajmërojnë policinë dhe zyrën qëndrore të emergjencave civile, të ciëlt na kanë ardhur në ndihmë në shumë raste. I gjithë personeli i AdZM-së Tiranë është në gatishmëri të plotë”, tha Drejtori i AdZM-së Tiranë Ilir Vishkurti. 

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 13 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Vatrat e zjarrit janë regjistruar në Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Sarandë.

[gallery]23435[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com