KUKËS - Edhe pse kanë kaluar vetëm pak ditë qëëkurë reshjet kanë pushuar, nga specialistët e Ndërmarrjes së Shfrytëzimit Pyjor, që tani po merren masa për të përballuar stinën e thatësirës e të temperaturave të larta, që sjellin zjarre të shumta në masivet pyjore.

“Ngritja e temperaturave gjatë këtyre ditëve rrit rrezikun e shfaqjes së zjarreve, ndaj masat janë të domosdoshme që tani kur zjarret ende nuk janë shfaqur”, thotë specialisti i pyjeve, Bujar Rexhepi. Sipas tij, ka nisur puna për hartimin e një programi pune me synim marrjen e masave efikase për mbrojtjen e masiveve pyjore nga zjarri.

“Është një proces që kërkohet t’u bëhet i ditur edhe drejtuesve të pushtetit vendor, i cili ka një angazhim konkret në këtë drejtim duke qenë se 70-90 për qind e pasurisë pyjore të qarkut të Kukësit u ka kaluar komunave”, thotë përgjegjësi i zyrës së Policisë Pyjore në Drejtorinë e Ndërmarrjes së Shfrytëzimit pyjor të rrethit, Behar Rexhmati.

Ndërkohë, ka nisur puna për ngritjen e shtabeve të mbrojtjes nga zjarri në të gjitha komunat, për ngritjen e skuadrave zjarrfikëse etj. “Ngritja e skuadrave të tilla po kryhet në çdo komunë me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme sapo të shfaqen vatrat e zjarrit”, thotë Rexhepi. Ndërkohë, nga specialistët e ndërmarrjes së pyjeve janë përcaktuar edhe zonat me rrezikshmëri të lartë.

Marrë nga ATSH

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)