2 piromanë janë vënë në pranga pasi akuzohen për aktivizimin e dy vatrave të zjarrin në qarkun e Fierit. Në Mallakastër u ndalua shtetasi Emiraldo Ahmetaj, 23 vjeç, i cili nga pakujdesia i ka vënë zjarrin fshatin Çorrush, ku si pasojë është djegur sipërfaqe toke e konsiderueshme me bimësi të ndryshme.
Gjithashtu, është arrestuar edhe Mirel Bucka, 39 vjeç, banues në Fier, pasi duke djegur disa mbeturina në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur ullinj, dru frutorë dhe hardhi.
Zjarret në vendin tonë prej javës po bëjnë kërdinë duke djegur bimësinë nga veriu në jug. Shumica e këtyre vatrave ishin të qëllimshme dhe për disa prej tyre janë gjetur edhe autorët. Gjatë ditës së djeshme u vunë në pranga 5 piromanë dhe një tjetër u shpall në kërkim në Belsh, Kukës, Durrës, Fier edhe Librazhd.