Forcat e Armatosura vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, ndërsa situata më problematike paraqitet në Fier, ku 10 familje janë evakuuar për shkak të flakëve në fshatin Drizë-Radostinë.

Sipas përditësimit të fundit të situatës nga ana e ministrit Ermal Nufi, në këtë zonë janë angazhuar 55 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore për të vënë nën kontroll zjarrin.

Një tjetër operacion po zhvillohet në Njësinë Administrative Ungrej, në bashkinë Lezhë, ku në terren ndodhen 80 efektivë dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Në Dajt vijon ndërhyrja me 30 efektivë dhe një helikopter, ndërsa në Mallunxë të Matit janë angazhuar 30 efektivë dhe një automjet zjarrfikës. Sipas njoftimit, aktualisht në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.

Ndërkohë, zjarri në fshatin Qinam të Zall-Herrit konsiderohet i fikur. Për shuarjen e tij u angazhuan pesë automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Forcat e Armatosura bëjnë të ditur se efektivët janë angazhuar në terren që prej orëve të para të ditës dhe vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje në zonat e prekura nga zjarret.


Lajmi kryesor:

Zjarri shkrumbon 6 fshatra në Fier, digjen banesa e biznese! 3 të asfiksuar, ndërhyrje nga ajri me 2 helikopterë dhe 1 avion! Një shtëpi e djegur edhe në Himarë, flakët përhapen me shpejtësi