Situata alarmante me zjarret, që djegin çdo verë qindra hektarë tokë e rrezikojnë banesa, e ka orientuar policinë e shtetit drejt nevojës për të ngritur një njësie të posaçme për krimet mjedisore.

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha gjatë një takimi me 12 drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit se qasja e policisë duhet të jetë më proactive për menaxhimin e këtyre situatave.

“Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale. Detyra jonë është që çdo zjarr të dyshimtë të hetohet profesionalisht, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, bashkëpunimi me komunitetin, shfrytëzimi i teknologjisë dhe ekspertizës më të mirë forenzike brenda dhe jashtë vendit, si dhe Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe autor i dyshuar të ndiqet deri në fund. Vetëm zjarret këtë vit, dëmi i tyre është i pallogaritshëm, si në fondin pyjor. Sa vite, sa gjenerata i duhet atij fondit pyjor të rikuperohet", deklaroi ministri Lamallari.

Kjo strukturë e re në Policinë e Shtetit do të ndihmojë në identifikimin e autorëve të zjarreve në rastet kur ato janë të qëllimshme, prerjen e pyejeve apo edhe gërryerjen e lumenjve.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, të cilat Report Tv i disponon, nga qershori e deri më tani, janë arrestuar mbi 21 persona, të gjithë për shkatërrim të pronës me zjarr, një pjesë e të cilëve të kapur në flagrancë, ndërsa mbi 45 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.