Zjarret në vend, Rama: Angazhimi nga Forcat e Ushtrisë meriton respekt! Meta: Situata po precipiton shumë rrezikshëm, Haki Çako sjellje të papranueshme, të rikthehet urgjentisht në detyrë!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën me zjarret në vend, ku prej ditësh tashmë, flakët vijojnë të ‘përpijnë’ hektarë të tërë me pemë e shkurre.

Me një postim në Facebook, ku ka publikuar një video nga ndërhyrja me helikopter për shuarjen e zjarreve në Karaburun, Rama e vë theksin te Forcat e Armatosura dhe trupat Rangers, të angazhuar në shuarjen e zjarreve, për të cilët thotë se meritojnë respekt e inkurajim

“Angazhimi disaditor për shuarjen e zjarreve në Karaburun e jo vetëm, nga Forcat e Ushtrisë dhe trupat Rangers në terren meriton respekt e inkurajim, në një kohë kur shumë vende po përballen me kërcënimin e zjarreve”, thotë Rama.

Në lidhje me situatën ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili kërkon që të merren masa, ndërsa dënon sjelljen e Kreut të Emergjencave Civile, Haki Çakos, i cili vijon pushimet edhe pse vendi ndodhet në këtë situatë.

Më problematike situata paraqitet në Vlorë, ku prej 11 ditësh tashmë vijon të digjet kurora e gjelbër, ndërsa ndërhyrja nga ajri u bë e mundur vetëm ditën e djeshme, për shkak se helikopterët u dërguan për remont në pikun e sezonit. Ndërkohë, 300 hektarë pyje dhe kullota janë djegur në Tragjas.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shfaq më në fund në Orikum ditën e sotme, por duket se harroi dëmet kolosale të krijuara nga flakët dhe ngushëlloi fqinjët, Turqinë dhe Greqinë që po ashtu po kalojnë moment mjaft të vështira si pasojë e zjarreve.

Situatë kritike paraqitet edhe në fshatit Palokastër në Gjirokastër, ndërsa në Divjakë flakët u vunë nën kontroll, por u dogjën 4 hektarë shkurre të larta.

Ndërkohë, fatmirësisht, pas disa orësh janë neutralizuar vatrat e zjarrit në zonën e Mamurrasit duke lënë pas dëme të mëdha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:03
Zjarret në vend, Meta: Situata po precipiton shumë rrezikshëm, e patolerueshme që zjarrfikësit shfaqen vetëm me mjete rrethanore! Të kërkohet ndihmë nga BE

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatë e krijuar në vend nga zjarret. Me një postim në Facebook, Meta thotë se situata po precipiton shumë rrezikshëm dhe se nevojitet ndërhyrje nga ajri për shuarjen e flakëve. Meta e konsideron të papranueshme faktin se në shumë operacione, zjarrfikësit apo punonjësit e Agjencisë për Mbrojtjen e Territorit kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve.

"Me shumë shqetësim po ndjek prej ditësh situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda për pasuritë tona natyrore. Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë, për të qenë në gatishmëri për situata të papërballueshme për kapacitetet lokale, në përgjigje edhe të paralajmërimeve të bëra më herët nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Duke vlerësuar sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, konstatoj se megjithatë situata po percipiton shumë rrezikshëm. Aktualisht ka mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë, ku një pjesë e tyre kërkojnë organizimin e operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore. Për këtë arsye inkurajoj domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të patur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike", thotë Meta.

Po ashtu Meta i bën thirrje kreut të Emergjencave Civile që të kthehet në krye të detyrës, ndërsa e konsideron 'të papranueshëm, deri në kufijtë e shpërdorimit ët detyrës" faktin se ai ndodhet me pushime, ndërsa vendi është në këtë situatë.

"I njohur me thirrjen publike të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ndaj të njëjtin vlerësim mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit, të Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si dhe e dënoj me forcë këtë sjellje të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kufijtë e veprës penale, të shpërdorimit të detyrës", thekson Meta.

Po ashtu, Presidenti shprehet se është e nevojshme që të kërkohet ndihmë nga Mekanizmat e Mbrojtjes Civile Europiane

"Nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore, në veçanti Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe marrjen e çdo mase të duhur, nëpërmjet angazhimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, përfshi Forcën Ajrore, për të kryer operacione efikase në rajonet ku rrezikohen jetët e qytetarëve dhe zonat e mbrojtura. Vlerësoj gjithashtu nevojën për t'ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, duke patur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe pasurive publike e private", thotë Meta.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta