As në ditën e dytë 1 helikopter i vetëm nuk ka mundur që t'i shuajë flakët që kanë përpirë prej më shumë se 10 ditësh pyjet në Vlorë duke shkaktuar dëme kolosale. Teksa u pa që situata po dilte tërësisht jashtë kontrollit dhe se shuarja e flakëve ishte e pamundur që të bëhej me mjete rrethanore, ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile pas presionit të madh nga mediet më në fund janë vënë në lëvizje.
Komiteti i Mbrojtjes Civile ka zhvilluar dje një mbledhje ku diskutoi për situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret. I pranishëm në mbledhjen online nga zyra ishte edhe Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako i cili shfaqet pas më shumë se 11 ditësh pa asnjë reagim për zjarret dhe kur situata nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, ka vendosur të ndërpresë pushimet.
Edhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi reagoi dhe e vlerësoi serioze gjendjen në gadishullin e Karaburunit, ku vatra ka marrë përmasa të rrezikshme, ndihmuar edhe nga era, e cila ndikon në përhapjen e flakëve. Ditën e djeshme krejt i qetë nga Orikumi Peleshi tha se vetëm Karaburuni po mbahej nën kontroll ndërsa vatrat e tjera nuk ishin serioze, madje theksoi se operacioni për shuarjen e flakëve ka qenë i suksesshëm, ndërsa në mbledhje paska kuptuar se situate është serioze.
Kësison peleshi ka kërkuar ndihmë nga vendet fqinje. Në një kohë që i gjithë rajoni është përfshirë në një situatë të vështirë për shkak të temperaturave të larta, ministri i Mbrojtjes tha se kjo vështirëson edhe ndihmën që Shqipëria mund të marrë nga partnerët e saj. Peleshi tha se agjencisë Kombëtare te Mbrojtjes Civile do t’i jepet mundësia të përdorë jo vetëm burimet financiare dhe forcat e institucioneve që kanë në varësi por edhe ndihmë nga operatorët privatë të huaj. Duke qenë se flakët janë treguar kokëfora dhe 1 helikopter nuk ka mundur që ti vërë nën kontroll, Peleshi tha se sot do të përdoren 3 helikopterë.
“Vatra më serioze është ajo e Karaburunit. Kemi arritur të shmangim avancimin e zjarreve drejt bazës së Pashalimanit, dhjetra efektivë të FA kanë punuar aty sot së bashku me forcat nga pushteti vendor por shqetësimi i fundit të cilin e kemi diskutuar edhe në hartë së bashku me komandantin e Forcës Mbështetëse për Mbrojtjen Civile dhe me kolegë të tjerë dhe më Prëfektin është shqetësimi i vatrës së zjarrit mbi Dukat sepse ne jemi akoma rreth dy kilometra larg parkut të Llogarasë por ne duam të shmangim me çdo kusht shtrirjen e zjarrit në këtë park. Jemi duke parë edhe mundesinë e metodave teknike apo inteligjente për shmangien e përhapjes së zjarrit, kemi konsideruar shtimin e forcave tokësore dhe nesër do të kemi një shumëfishim të efektivëve të Forcave te Armatosura.
Kemi diskutuar dhe marrë vendim, të cilin po e them tani për herë të parë, që t’i japim mundësi strukturave tona dhe konkretisht Agjensisë Kombëtare te Mbrojtjes Civile të përdorë jo vetëm burimet financiare dhe forcat e institucioneve që kanë në varësi por edhe burime financiare shtesë për të marre shërbim nëse do të jetë e nevojshme nga shtetet fqinj, nga operatorët privatë, nga të gjithë kapacitëtet që janë në dispozicion. Lajmi jo shumë i mirë është që nuk është se ka shumë kapacitete në dispozicion nga vendet fqinj sepse janë përfshirë në emergjenca shumë më të rënda se tonat, kam parasysh Turqinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë ku sot kam folur me Ministren e Mbrojtjes së Kroacisë para dy orësh, kam kërkuar mbështetjen me hidroplan, nuk kanë patur mundësi të na pergjigjen menjëherë por gjithësesi jemi në rradhë për t’i përdorur sapo të lirohet një kapacitet.
Do të përdorim edhe neser gjatë ditës helikopterë nga operatorë të tjerë veç mjeteve që kemi ne në dispozicion dhe shprësojmë që gjatë ditës së nesërme besoj do të jenë tre helikopterë në përdorim deri pasditen e vonë por nuk është se helikopterët janë zgjidhja përfundimtare. Së pari që në orët e para të mëngjesit, komandanti bashkë me trupat e tij ne 4:00 të mëngjesit do të niset drejt zonës së pyllit mbi Dukat, do të ecin 4-5 orë aty ku është vatra dhe për të parë se cilat metoda janë më të përshtatshme për t’u aplikuar për shmangien e përhapjes së zjarrit drejt Parkut të Llogarasë, që nuk duhet të lëjohet me asnjë mënyrë”, tha Peleshi.
Kurse Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako në mbledhjen online kërkoi maksimizim të bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë situatë. Çako informoi se aktualisht në vend janë 3 vatra zjarri efektive. Ai kërkoi nga policia të vendosen para përgjegjësisë personat, një pjesë e të cilëve janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve. Dy vatra zjarri, një në Vaun e Dejës dhe një në fshatin Palokastër në qarkun e Gjirokastrës janë vënë nën kontroll. Ndërsa janë shuar vatrat në Fier, Ksamil, Mamurras e Përmet.
Theksojmë se kjo situata pasi Vlora është djegur prej më shumë se 10 ditësh, ka nxitur edhe reagimin e kreut të KLSH-së, Arben Shehu, i cili i bëri thirrje Haki Caku të kthehet në detyrë dhe të merret me përballimin e situatës së rënduar nga zjarret si dhe të lejojë kontrollet e KLSH në të gjitha strukturat e Emergjencave CIvile. Si duket edhe kjo thirrje e KLSH e ka përforcuar presionin ndaj tij që rikthehet në detyrë. Megjithatë rikthimi i Çakos me vonesë nuk i zhbën dëmet kolosale të krijuara nga zjarret prej ditësh.