Bashkia e Kukës ka bërë një deklaratë për shtyp ku denoncon indiferentizmin e Shtabit të Emergjencave Civile si dhe të institucioneve të tjera përgjegjëse për shërbimin pyjor pasi nuk po vijnë në ndihmë të shuarjes së zjarrit në pyjet e Qafë-Komit. Në deklaratë thuhet se banorëve u rrezikohen edhe shtëpitë.

“Shqetësohemi jo vetëm për situatën e zjarreve që në dukje janë të qëllimshme, por indiferentizmi i paprecedent i Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekture e në qendër si dhe të institucioneve të tjera përgjegjëse për shërbimin pyjor. Asnjë mjet zjarrfikës dhe fuqi punëtore nuk është angazhuar për kufizimin dhe shuarjen e zjarrit përjashtuar banorët e zonës që po përpiqen të vetëm e pa mbështetjen e strukturave shtetërore”, thuhet në reagim.
 
Bashkia thotë se për shuarjen e zjarrit përjashtuar banorët e zonës që po përpiqen të vetëm e pa mbështetjen e strukturave shtetërore dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të marrin masa të menjëhershme për shuarjen e zjarrit që po kthejnë pyjet në zona të shkreta.

Pas deklaratës së bashkisë ka reaguar Prefektura e Kukësit e cila sqaron se zjarri nuk rrezikon banesat. Sekretari i Prefekturës së Kukësit, Abdulla Domi tha se është ndërhyrë nga ajri për shuarjen e zjarrit. “Zjarrfikësja dhe punonjësit e pyjores vazhdojnë punën për neutralizimin”, tha Domi.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)