Policia ka arrestuar një 20-vjeçar për zjarrin që përfshiu fshatin Drizë në Fier. I riu kishte ndzur zjarr në tokën e të atit për të djegur disa barishte, por flakët dolën jashtë kontrollit.
Si pasojë e zjarrit, u evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u rrezikuan nga flakët.
Vatra e zjarrit nisi fillimisht pranë zonës së quajtur ‘Azotiku’ e më pas u përhap në zonën e Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara në afërsi të fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg. Sipas të dhënave zyrtare, zjarri përshkoi rreth 100–110 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe ullishte.
Zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme në bazën materiale të stacionit kryesor të furnizimit me ujë të qytetit.
Për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve u angazhuan zjarrfikëse të Fierit, Rroskovecit, Patosit, Albpetrolit, ndërkohë që pas daljes jashtë kontrollit të flakëve që u përhapen në një perimetër të gjerë u angazhuan dhe dy helikopterw ujëhedhës.
Njoftimi:
Ndezi zjarr në tokën në pronësi të babait të tij, në fshatin Drizë, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në territorin e disa fshatrave, reagimi në kohë i Policisë çoi në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të zjarrvënies.
Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në fshatin Drizë, Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin N. J., 20 vjeç, banues në Drizë.
Ky shtetas dyshohet se, më datë 05.07.2026, në tokën në pronësi të babait të tij, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe në fshatin Drizë dhe në fshatrat përreth, ku u shkaktuan dëme materiale.
Shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u rrezikuan nga përhapja e flakëve.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, u bë e mundur shuarja e flakëve, pa pasoja për jetën e qytetarëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente





