Në përpjekje me flakët e zjarrit në fshatrat Lugar dhe Grapsh në Bashkinë e Dropullit është djegur pjesërisht në trup dhe në fytyre një efektiv zjarrëfikës nga Përmeti.

Bëhet fjalë për Romeo Sulejmanin, ku sipas vlerësimeve paraprake të mjekëve të spitalit ka marrë djegje të shkallës së dytë e të tretë.

Për të parë gjendjen e tij Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrëfikësve Arben Cara vizitojë efektivin në spital.

Në një prononcim për Report Tv, Cara ka shprehur gatishmërinë për transferimin e efektivit zjarrëfikës drejt Tiranës.

 “Fatmirsisht shkalla e djegies nuk është aq e rëndë sa ta komplokojë situatën. Jemi gati që të bëjmë gjithçka për shërimin e tij, jemi fati për ta çuar jo vetëm drejt Tiranën, por nëse duhet edhe në vende të tjera. Zjarret kanë bërë dëme në bimësi dhe pyje, nuk ka dëme në banesa. Vatrat e zjarrit janë shkuar në zonën e Dropullit dhe vijon në qafën e Muzinës”, tha ai.

Nga ana e tij, zjarrëfikësi Sulejmani rrëfen momentet e përballjes me zjarrin.

“Kemi luftuar me flakët për orë të tëra, shumë zona janë fikuar. Kemi shkuar në zonat malore sepse kishim makinë vetëm për zonat malore dhe kemi shpëtuar një kishë. Pastaj jemi rikthyer dhe fikëm vatra të tjera zjarri, pastaj zjarri rrezikonte familjet dhe jemi futur për ta shuar”, tha ai.