Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pushuar gjykimin e çështjes penale ndaj Klevis Balliut, i kallëzuar për 'shpifje' nga biznesmeni i ndërtimit, Armand Lilo.
Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se pushimi i çështjes ka ardhur pas mosparaqitjes së seancat gjyqësore të palës akuzuese Armand Lilo.
Lilo kishte depozituar më 29 prill 2026 një kërkesë ku akuzonte Balliun për veprën penale të “Shpifjes” të kryer botërisht dhe kërkonte dënimin e tij.
Në kërkesë, Lilo kishte kërkuar gjithashtu publikimin e vendimit gjyqësor si dënim plotësues dhe ngarkimin e të akuzuarit me shpenzimet procedurale.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të jenë në ngarkim të Armand Lilos, ndërsa vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga dita e nesërme e njoftimit.
Lilo është pronari i kompanisë Arlis, e cila ka ndërtuar kompleksin pranë farmacisë numër 10 në Tiranë, ku u shkrumbua nga flakët pallati 12-katësh. Pas zjarrit, Balliu akuzoi Lilon se kishte përdorur materiale të pacertifikuara për ndërtim. Kjo deklaratë bëri që Lilo të bënte kallëzim ndaj Balliut për 'shpifje'.
Njoftimi i Gjykatës së Posaçme:
1. Viktima akuzuese Armand Lilo më datë 29.04.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit Klevis Balliu për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes” të kryer botërisht dhe dënimin e tij për kryerjen e kësaj vepre penale; 2. Caktimin e dënimit përkatës penal, në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës dhe pasojat e ardhura nga përhapja publike e deklarimeve të pavërteta;
3. Dënimi kryesor të shoqërohet edhe me një dënim plotësues që është ai i publikimit të vendimit gjyqësor, sipas neneve 30/9 dhe 43 të Kodit Penal; 4. Ngarkimin e të akuzuarit me pagimin e shpenzimeve procedurale.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Marinela Osmani, me vendimin nr. 69, datë 30.09.2026, vendosi:
1. Pushimin e gjykimit të çështjes penale të regjistruar me numër 116 Akti, datë 29.04.2026, për shkak të mosparaqitjes pa shkaqe të përligjura të viktimës akuzuese, dhe apo mbrojtësit të tij të zgjedhur.
2. Shpenzimet gjyqësore janë në ngarkim të viktimës akuzuese Armand Lilo.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 01.10.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
-
Gjykata yll me bisht. Ka lezet per çka kemi.
Përgjigju












Komente
Komento