Del ekspertiza/ Zjarri tek çerdhja në 'Ali Demi', i qëllimshëm! Goxhaj: E njëjta gjë ka ndodhur edhe tek ish-Blloku

Tiranë- Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, konfirmon se zjarri që ra në çerdhen nr 14 në “Ali Demi” në 16 gusht, ishte i qëllimshëm. Sipas drejtorisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur disa kuti të djegura, ndërsa në anën verilindore të ambientit,  u gjet një shkallë e cila përdoret si skelë dhe xhami ishte i thyer.

Këto kanë qenë sipas drejtorisë së Zjarrfikësve, tre detajet e reja që vijnë nga zjarri në çerdhe. Sipas të dhënave nga vendngjarja, tubi i gazit është prerë. Më 16 gusht, çerdhja nr 14 në "Ali Demi" u përfshi nga flakët. Fatmirësisht nga zjarri ka patur vetëm dëme materiale.

Në një lidhje direkte për Report Tv, kreu i shërbimit zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, ka thënë se që në fillim, shërbimi zjarrfikës kishte të dhëna se zjarri ishte i qëllimshëm por po pritej përfundimi i ekspertizës. Sipas Goxhajt, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me çerdhen nr 16.

Pas çerdhes nr 14, një zjarr ra edhe tek çerdhja nr 16 pranë njësisë nr 5, në rrugën “Nikolla Tupe” në zonën e ish-Bllokut, dy ditë më parë. Zjarri edhe në këtë çerdhe dyshohet se është i qëllimshëm, ndërkohë që ende nuk ka të dhëna për autorët e mundshëm të vënies së flakës.

Njoftimi i plotë:

Në përfundim të akt-ekspertizës lidhur me zjarrin e rënë në datën 16 Gusht 2018, në orën 04:57, në çerdhen nr.14, në Lagjen “Ali Demi”, Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dëshiron të informojë sa më poshtë:

1. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e shkëputjes së rregullatorit nga bombola e gazit dhe si pasojë e rrjedhjes së gazit nga bombola, ka ngopur ambientin e brendshëm me gaz, i cili në kontakt me pjesën e djegur të kutive të kartonit ka shkaktuar shpërthimin e ambientit.

2. Ekspertët e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri vërejnë se zjarri ka rënë midis bombolës së gazit dhe kutive të kartonit. Gjithashtu, akt-ekspertiza përfundon se zjarri është shkaktuar nga faktorë të jashtëm.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët e MZSH-së kanë konstatuar se, në ambientin ku ishin vendosur bombolat e gazit, në anën verilindore të çerdhes nr.14 dhe me mur ndarës me kuzhinën e gatimit, xhami i krahur të djathtë të dritares ishte thyer. Poshtë dritares ishte vendosur një shkallë prej druri, e përbërë nga dy paleta, e cila në fushën e ndërtimit përdoret si skelë.

Në brendësi të ambientit, poshtë dritares dhe mbi banakun prej betoni ekspertët kanë gjetur disa kuti kartoni pjesërisht të djegura. Gjithashtu, akt-ekspertiza konstaton se është gjetur edhe një bombol gazi e dëmtuar në pjesën e sipërme nga zjarri, kurse rregullatori i gazit ishte i shkëputur bashkë me tubin e gazit nga bombola.

Provat dhe faktet e mbledhura nga ekspertët e Drejtorisë së MZSH-së çojnë në përfundimin se zjarri në çerdhen nr.14 ka qenë i qëllimshëm dhe i shkaktuar nga faktorë të jashtëm.

Akt-ekspertimi i është vendosur në dispozicion organit të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:42
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj flet për Report Tv: Zjarri i qëllimshëm dhe tek çerdhja në ish- bllok

Në një lidhje direkte, kreu i shërbimit zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, ka thënë se që në fillim, shërbimi zjarrfikës kishte të dhëna se zjarri ishte i qëllimshëm por po pritej përfundimi i ekspertizës.

Sipas Goxhajt, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me çerdhen nr 16 në zonën e ish-bllokut.

Në ngjarjen e çerdhes nr 14 në Ali Demi kemi qenë të qartë që ditën e parë, pavarësisht se u deshën ditë të dilnin në përfundimin se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Ka patur derë të hapur dhe tubi i gazit që përdorej për gatim ishte i shkëputur. Kaq mjafton për të dalë në këtë përfundim. Pas dorëzimit të ekspertizës është prokuroria që vazhdon hetimet. Në çerdhen nr 14, zjarri ka qenë kur në çerdhe s’ka patur, edhe ambient i gatimit ka qenë goxha larg. Nëse ndodh në një moment kur çerdhet janë në punë, do kishte goxha dëmtim. Zjarri ka rënë në çerdhen nr 16, ka sërish një mendim se ngjarja ishte e qëllimshme. Gjurmët tek frigoriferi na ka lënë të mendojmë se ky zjarr është i qëllimshëm. Ne përcaktojmë shkakun e zjarrit, të tjerat i ndjek policia dhe prokuroria. Brenda ditësh do kemi ekspertizën këtë këtë çështje.

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë