Zoi Xoxa: Princeshat "Zogolli"
s'donin pranë gratë e bukura

Zoi Xoxa: Princeshat s'donin pranë gratë e bukura">
 KUJTIMET E NJE GAZETARI  Shqiptarja.com publikon pjesën e fundit të pasazheve të zgjedhura nga kujtimet e gazetarit dhe deputetit Zoi Xoxa. Peripecitë e përballjes me mediat, dhe kapriçot e pafund të princeshave….Në Paris madamë Vilën e përflisnin, ndërsa në Suedi s’mund ta shihnin dot me sy çupën e konsullit Gardlung, të cilën e quanin “lopa”…

Në Kopenhagë
Në mbrëmje arritëm në Kopenhagë. Kur hodha sytë nga dritarja e trenit, u tmerrova: stacioni ishte mbushur sa nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës. Kureshtja për të parë princeshat e një vendi oriental, të cilin ata nuk e njihnin aspak ose e kishin dëgjuar si një vend të egër dhe prapanik i kish shtyrë kopenhagasit të dilnin, i madh e i vogël, për të parë me sytë e tyre si do të qenë këto princesha. Por e mblodha veten. U thashë princeshave të mos hutoheshin, të mbanin gjakftohtësinë dhe të silleshin me dinjitet. Konsullit dhe zonjës Gomboes u thashë të bënin nderimet e shtëpisë dhe të na prezantonin me autoritetet, që do të kishin dalë të na prisnin.

Konsulli dhe zonja Gomboes do të dilnin përpara, princeshat pas tyre dhe unë me Noçkën në fund. Me të zbritur në platformën e stacionit, princeshat ndaluan dhe unë e Noçka i vumë në mes. Autoritetet iu afruan sipas gradës së pozitës së tyre dhe u shtrënguan dorën princeshave, duke u thënë fjalë mirëseardhjeje: përfaqësuesi i Pallatit mbretëror, ministri i jashtëm me zonjën, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kopenhagë. Konsulli Gomboes ishte i mrekullueshëm: ai na i paraqiste një nga një, pa u hutuar fare, modest dhe me buzën në gaz, sikur këtë punë e bënte përditë dhe s’i kushtonte asgjë. Fotoreporterët, me qindra, kishin hipur kudo, edhe sipër çatisë së trenit, dhe shkrepnin aparatet e tyre fotografike, duke i shoqëruar me një dritë verbuese magneziumi.

Më në fund Konsulli me zonjën Gomboes, duke udhëhequr princeshat, çau rrugën midis tërë atij kallaballëku, që u nda më dysh për t’i lënë princeshat të kalojnë, dhe u drejtua për nga dalja e stacionit. Këtu ishte radhitur një sërë e pambaruar veturash. Konsulli kishte porositur dy vetura për ne: në një hipën princeshat me zonjën Gomboes dhe në tjetrën, unë, Noçka dhe konsulli. Vargu i  vetura u drejtua për në hotel, i ndjekur nga të dy anët nga shumë motoçikleta.
Edhe përpara hotelit ishte grumbulluar një popull i madh, që duartrokiste.

Hymë në hotel, një hotel me pastërti shembullore, dhe u drejtuam për në “holl”. Asnjë nga autoritetet nuk zbriti me ne. Konsulli na shpjegoi se ishte zakon të mos i bezdisnin mysafirët, të cilët kishin nevojë për t’u çlodhur, dhe vetëm të nesërmen do të përgatisnin programin e vizitave.
U kënaqa që mbetëm vetëm dhe sikur mora frymë lirisht. I pyeta ç’dëshironin dhe porositëm nga një çaj me konjak. Konsulli Gomboes na tha se sonte do të kalonim një mbrëmje të bukur në Teatrin Kombëtar, ku kishte porositur dy lozha. Në këtë premierë të “Lohengrinit” do të merrte pjesë edhe familja mbretërore, edhe trupi diplomatik.
Mirëpo, për fat të keq, kishte vdekur mbretëresha e Norvegjisë, që ishte e motra e mbretit të Danimarkës. Pra, Pallati ishte në zi dhe, për respekt, nuk do të merrte pjesë as trupi diplomatik. Natyrisht nuk do të merrnim pjesë as ne. Por populli ishte i lirë të merrte pjesë.

Pas pak konsulli dhe zonja Gomboes na kërkuan leje të largoheshim, se princeshat ishin të lodhura dhe kishin nevojë të shplodheshin.
Me t’u larguar konsulli dhe zonja Gomboes, Myzejeni më tha që të zija një lozhë dhe të shkonim në teatër. Atë të shkretë teatër e donin shumë: vdisnin për teatër. Por me rastin e vdekjes së mbretëreshës së Norvegjisë, respektuam zinë. Këtë ua sqarova princeshave.

-Ne kemi ardhur të nderojmë emrin e Shqipërisë: Kjo është porosia me të cilën më ka ngarkuar mbreti dhe unë do ta mbaj si amanet.
U ngjitëm në dhomat e fjetjes. Ato ishin mësuar të ngriheshin vonë. Unë u ngrita shpejt dhe në orë tetë zbrita në holl. Pas pak erdhi edhe konsulli Gomboes. Ai kishte krijuar një shërbim të përpiktë shtypi: kishte pajtuar dy persona, që i përkthenin frëngjisht gjithë sa shkruante shtypi i vendit rreth vizitës sonë. Pastaj i priste artikujt e gazetave dhe u ngjiste përkthimin frëngjisht. Këto kupyra unë i ruajta gjer më 7 prill 1939, kur Italia pushtoi Shqipërinë, pastaj i zhduka për arsye politike.

Pra, e pashë konsullin me çantën plot me këto kupyra. Gazetat shkruanin për né plot fjalë të bukura, na jepnin një mirëseardhje të nxehtë, entuziaste; por ajo që na gëzoi shumë ishin lëvdatat që na bënin për pjesëmarrjen tonë në zinë që kish goditur familjen mbretërore, duke mos marrë pjesë në premierat e “Lohengrinit”, sado që Konsulli i nderit të Shqipërisë, zoti Gomboes, kishte zënë dy lozha për to.
Po ditën e tretë Gomboes erdhi i zbehtë si një meit dhe po dridhej i tëri. Harroi të më thoshte edhe mirëmëngjes. Dukej se s’kishte fjetur tërë natën, se i dukeshin sytë të fryrë. M’u drejtua, sikur desh të më sulmonte:

-Zoti sekretar, (kështu e paraqita veten në atë udhëtim, si sekretar i princeshave): gazetat më kanë bërë sot për pesë para; por më duket se nuk e meritoj, se unë s’kam munguar çdo ditë të ndodhem këtu, që në orën tetë të mëngjesit. Ju e dini fare mirë. Po unë nuk mundem t’i detyroj princeshat...
Dhe më dha kupyrat e të gjitha gazetave, të përkthyera në frëngjisht. Porosita nga një kafe dhe u thellova në leximin e tyre. Ato e qortonin rreptë konsullin se nuk dinte t’i udhëhiqte princeshat, që dalin vetëm vonë pasdreke, në një kohë kur nuk mund të shikohet asgjë. Konsulli duhet të hartojë një program dhe t’i bëjë princeshat që të vizitojnë muzetë, pinakotekat, bibliotekat, shkollat, industritë, viset tona historike, për të cilat “ne, me të drejtë, jemi kryelartë dhe mburremi që t’ia tregojmë çdo të huaji”. Princeshat e Shqipërisë patën mirësinë të deklarojnë, në intervistën e tyre me gazetarët, se kanë ardhur të përfitojnë nga eksperienca dhe nga përparimet tona. Atëherë ç’bën zoti konsull dhe pse, vallë, i mban të mbyllura tërë ditën në hotel ? – etj, etj. Dhe pothuaj të gjitha gazetat këtë avaz mbanin, sikur ta kishin bërë me fjalë.

Unë u revoltova, u revoltova rëndë. Më erdhi keq për atë konsullin e mirë Gomboes, që s’kishte asnjë faj dhe po hante dru nga shtypi i vendit, vetëm e vetëm për faj të atyre, që donin vetëm të bënin muhabete midis tyre. I thashë konsullit të mos shqetësohej se unë do të gjeja rastin t’i deklaroja shtypit se s’ishte faji i konsullit, që po e kryente detyrën me zellin dhe me përpikërinë më të madhe, Vetëm se vonesat dhe moszbatimi i programit të vizitave ka ndodhur ngaqë njëra nga princeshat nuk e ka ndjerë veten shumë mirë.

Konsulli të shkretë sikur i erdhi gjaku dhe, në shenjë falënderimi, ma shtrëngoi dorën me përzemërsi.
-Tani, ju lutem, më bëni një program të vizitave, që të udhëzohemi se ç’duhet të bëjmë.
-Po e kam gati, zoti sekretar!
Dhe më dha një listë të daktilografuar, të ndarë me ditë dhe me orë.
-Shumë bukur, - i thashë duke marrë programin që kishte përgatitur, - që nesër do ta vazhdojmë pikë më pikë këtë program.
U ngjita te princeshat dhe u përktheva shqip ç’kishin shkruar gazetat kundër konsullit tonë. Kjo s’ishte e drejtë. Ai s’kishte asnjë faj; ai vinte këtu që në pikën e mëngjesit: “ndërsa ju flinit dhe s’deshi t’ju bezdisë. Kjo nuk duhet të përsëritet. Që nesër do ngriheni në orën 7 dhe në orën 8 duhet të fillojmë nga vizitat. Këtu ndodhemi zyrtarisht dhe nuk mund të bëjmë pas qejfit tonë”.

-Vështroni! Vështroni! – m’u përgjigjën.
-Po pse s’mendoni që, si të ikim ne, shtypi mund të shkruajë kundër jush një mijë të zeza, siç shkruan gazetat e Amerikës? Askush nuk na detyroi të vijmë. Deshëm dhe erdhëm. Por tani që erdhëm, e kemi për detyrë, me sjelljet tona, ta nderojmë emrin e vendit tonë. Mbreti ka mbetur shumë i pikëlluar nga ato që kanë shkruar gazetat e Amerikës. Ajo punë nuk duhet të përsëritet edhe këtu. Unë këtë urdhër kam marrë dhe do ta zbatoj: Pra nesër në orën 7 të mëngjesit të jeni të ngritura.
Ndërkaq, pas dreke, do të kishim një takim me gazetarët. Këtu ishte frika ime. Sikur ta shkelja  me ndonjë përgjigje të pamatur, na rroftë mundi! Duhej t’u shmangesha çështjeve politike, se synimi ynë ishte tjetër. Kështu, kur më erdhën disa gazetarë dhe kërkuan që t’u caktoja një intervistë me princeshat, unë u thashë: “Kur të dëshironi, me kënaqësinë më të madhe”. Por shtova menjëherë:

-Ne, të dashur kolegë, kemi një protokoll në Shqipëri, që ju lutemi ta respektoni. Princeshat mbretërore janë të ngarkuara të merren me punë shoqërore. – Princesha Myzejen është kryetare e Artizanatit dhe e Arteve të Bukura; Princesha Ruhije është kryetare e Sportit dhe Princesha Maxhide... nuk po mbaj mend tani e ç’aktiviteti ishte – po jo me politikë. Prandaj, ju lutem shumë të mos u bëni pyetje politike, se nuk do t’ju përgjigjen. E dyta: pyetjet, ju lutem, t’i bëni me shkrim, me qëllim që t’i studiojnë dhe t’ju përgjigjen me kompetencë dhe me data të sakta.

Unë kujtoj se vështirë të gjendet një popull më korrekt se ai i vendeve skandinave: njerëzit, përgjithësisht, s’dinë ç’është gënjeshtra, ç’është mashtrimi, ç’është dredhia. Sapo mbarova fjalë, ata m’u përgjigjën se do ta respektonin protokollin tonë. Dhe asnjëherë nuk kërkuan ta shkelnin. M’i dhanë me të shkruar pyetjet e tyre. Më të shumat rrihnin rreth gjendjes së gruas: ata kishin mendimin se gruaja shqiptare rronte e mbyllur në të katër muret e shtëpisë, nën zotërimin absolut të burrit; që vajzat martoheshin pa e njohur bashkëshortin e tyre; që, edhe kur dilnin, duhej të mbuloheshin me ferexhe të rënda etj. etj.

Unë kisha mjaft argumente bindëse që t’i përgënjeshtroja këto njohuri të gabuara. Dhe, midis të tjerave, dy fakte ua shpalosa përfaqësuesve të shtypit, që t’u mbushej mendja se punët ishin ndryshe: U thashë se ne kishim në përdorim Kodin Civil të Zvicrës, nga më të përparuarit; por né shkuam edhe më tej se kodi i Zvicrës. Sepse, për pjesën e detyrimeve, kemi marrë projektin italo-francez, që asnjë shtet s’e ka vënë akoma në zbatim. Sipas këtij kodi, asnjë martesë nuk mund të ketë fuqi, pa u njohur të dy bashkëshortët e ardhshëm dhe pa pëlqimin e çiftit. Sa për atë që gratë tona ndenjkan mbyllur dhe dalkan me ferexhe, unë di që këtu në Kopenhagë ju kini, në Trupin Diplomatik shumë persona që kanë qenë përfaqësues të shtetit të tyre në Tiranë. Pyetini dhe do t’ju thonë se sallat e Pallatit mbretëror, të bashkisë ose të Institucioneve të tjera mbushen me gra elegante dhe dekolté ditët e festave kombëtare ose ditët e tjera solemne.

Gratë dhe vajzat tona dinë të dancojnë më bukur edhe se shumë gra të Perëndimit. Vallet tona kombëtare, pastaj, kanë një bukuri folkloristike të tillë që meritojnë të njihen dhe të përshkruhen nga ju. Në emër të princeshave, unë i ftova të na vinin mysafirë në vendin tonë, ashtu siç kemi ardhur né në vendin e tyre. Duhej të na këmbenin vizitën, - përfundova duke qeshur.
Ata mbetën vërtet të kënaqur. Gazetat shkruan bukur për vendin tonë.

Më në fund, përpara se të largoheshim, unë e quajta me vend të mbaja vetë një konferencë shtypi, por këtë radhë jo si sekretar i princeshave, por si gazetar. Ia bëra të ditur këtë dëshirë konsullit Gomboes, i cili foli me kryetarin e sindikatës së shtypit. Ata e pritën me kënaqësi dhe, për shkak të një pjesëmarrjeje të madhe, më ftuan të flas në sallën e konferencave të shtypit.

Desha t’u jap një ide të qartë mbi historinë e Shqipërisë, mbi lashtësinë e saj dhe mbi përparimet e arritura. Këto desha të qenë sa më të dokumentuara e bindëse, sepse e dija që gazetarët do t’i përdornin gjerësisht. S’e kisha të rëndë t’i dokumentoja, se lashtësia e Shqipërisë është historikisht e njohur dhe, sa për përparimet e tanishme, u bazova më shumë në legjislacionin në fuqi, meqë ligjet janë pasqyra e përparimit të një vendi. Për fat të bardhë, që më 1929, ne kishim vënë në fuqi kodet nga më të përparuara që njiheshin, si kodin Civil, të marrë nga Zvicra, Kodin Penal, të marrë nga Italia, dhe Kodin Tregtar, të marrë nga Projekti i Prof. Vivantes, më i përparuari i të gjitha kodeve tregtare të botës.

Konferenca ime bëri përshtypje të mirë dhe këtë e vura re jo vetëm nga vëmendja me të cilën më dëgjuan, por edhe nga përshkrimet që bënë të nesërmen në gazetat e tyre. Isha shumë i kënaqur: Ky ishte qëllimi i këtij udhëtimi; dhe qëllimi më duket se u arrit. Të gjitha kupyrat e gazetave unë i dërgoja rregullisht në Tiranë.
 
Në Suedi
Konsulli dhe zonja Gomboes na shoqëruan gjer në Malmo, ku kishin dalë të na prisnin konsulli ynë i nderit në Stokholm dhe zonja Gardlung me të bijën. Këtë prindërit e kishin marrë si interprete, pse e dinte frëngjishten fare mirë.
Konsulli Gardlung ishte një sportdashës i zjarrtë. Ai kish qenë nja dy herë në Shqipëri dhe kish marrë edhe një skuadër sportistësh shqiptarë që të vizitonin Suedinë. Mua më tërhoqi menjëherë bukuria e vajzës së Gardlungut: një bukuri nordike e ftohtë, po joshëse. Ishte një leshverdhë nja 12 vjeçe, po dukej si 22 vjeçe. Mua më kënaqte shoqëria e saj dhe isha gjithnjë në kontakt me të, pse ishte e vetmja që dinte frëngjisht dhe për çdo gjë duhej t’i drejtohesha asaj.

Por princeshat kishin një munxë: nuk e dëshironin shoqërinë e grave dhe, sidomos, të grave të bukura. Këtë e kisha vënë re që në Paris. Noçka vetëm dy herë e kishte sjellë të shoqen në hotel Vandomë, të takohej me princeshat. Edhe ai e kish kuptuar se ato nuk e donin shoqërinë e grave dhe pothuaj kurrë nuk e ftonin me gruan. Gjithashtu në Paris kishim edhe madamë Vilën, të shoqen e ministrit tonë në Francë.  Madama Vila, që ishte franceze, dhe e njihte mirë Parisin, u shërbente dendur si “komisionere” për psonisje të ndryshme. Ajo bëhej copë që t’u shërbente sa më mirë, megjithatë ato nuk e donin dhe e përflisnin.
Tani s’mund ta shihnin dot me sy çupën e zotit Gardlung, të cilën e quanin “lopa”.

-Po ç’keni me të? – u thosha unë. – Ajo është e vogël, megjithëse është me trup të zhvilluar, si gjithë nordiket. Ama po bëhet copë që të na shërbejë sa më mirë.
-Pse, të pëlqeka ty ajo “lopë”? Neve s’na pëlqen.
-Ne s’kemi ardhur këtu që të pëlqejmë çupat, po që të kryejmë qëllimin tonë.
Kosnulli Gardlung i njihte princeshat që në Tiranë dhe na kënaqi duke kujtuar ngjarje dhe kuriozitete nga Shqipëria. E bija nuk lodhej së përkthyeri frëngjisht dhe unë shqip.
Të dy konsujt, Gomboes dhe Gardlung, ishin marrë vesh mbi mënyrën e pritjes së princeshave, prandaj edhe pritja në Stokholm qé më tepër se e përzemërt. Nuk po zgjatem këtu, se këtë përshkrim e kemi në gazetën “Drita”.

Harrova të shënoj se në Tiranë Asim Jakova, ai që kish shoqëruar princeshat në Amerikë, më kish thënë se kishte gjetur belanë nga gazetarët. Këta merrnin drejtpërdrejt princeshat në telefon (jashtë të gjitha dhomat e hotelit kanë telefon) dhe i pyesnin për gjepura: i pyesnin se ku i kishin blerë kapelat, këtë sahat, këto këpucë etj. Dhe, nga një përgjigje që merrnin me vend a pa vend, të nesërmen thurnin nëpër gazeta një roman të tërë fantastik.
-Po pse s’e pretë telefonin nga dhomat e tyre? – e kisha pyetur Asimin aty për aty.
-Hë, ke të drejtë! Si s’na vajti mendja?

Duke mbajtur mend këtë ngjarje, unë me të vajtur në hotel, në Kopenhagë, i kisha thënë drejtorit të priste telefonat nga dhomat e princeshave dhe të linte të funksiononte vetëm telefoni i dhomës sime.
Kështu bëra edhe në Stokholm, sado që tani, që kisha njohur gazetarët e Danimarkës, më dukej se s’ishte nevoja e këtyre masave paraprake, meqë gazetarët skandinavë ishin krejt të ndryshëm nga gazetarët amerikanë: këtyre të fundit u pëlqenin lajmet sensacionale, përshkrimet aventureske, ai që quhet “shtypi i verdhë”, për të tërhequr sa më shumë lexues, për të shitur sa më shumë gazeta; kurse atyre u pëlqente serioziteti, ndershmëria, të qenët profesionalë e të përkorë.

Shkrimi u publikua sot (17.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën