Në Paris, incognito
TIRANE- Të nesërmen, u nisëm për Paris. Legata kishte zënë në tren katër vagona, hamenjtë kishin hipur tualetet e tyre të rënda dhe ne u përshëndetëm me Dhimitër Beratin dhe me personelin e Legatës, që kishin dalë të na përcillnin.
Treni u nis. Ne ndenjëm në vagonin-restorant njëfarë kohe, pastaj u kthyem në kabinat tona. Numrat e kabinave ishin 12, 13, 14, 15. Në kabinën 13 ishin vënë tualetet e Maxhides, më e vogla e të tri motrave, që përcillja unë. Ajo sesi hodhi sytë te numri i kabinës së saj dhe më tha:
-Numri 13.
-Po mirë, - iu përgjigja, - ç’ka të bëjë?
-Jo, unë nuk fle në numrin 13, është ters.
-Mirë, flini në numrin 12, se fle unë në numrin 13, - iu përgjigja, duke u habitur me ato paragjykime të kësaj “Lartësie”.
-Po unë dua të kem me vete edhe tualetin.
-Po tani, Lartësi, treni është duke ecur, hamej nuk ka në udhëtim e sipër, prandaj ose flini në numrin 13 me tualetin, ose flini në numrin 12, pa tualetin. Si të doni. Ama, po të më dëgjoni mua, shkoni flini rehat në numrin 13, se s’ka për t’ju gjetur gjë fare, kemi për të sosur shëndoshë e mirë nesër në mëngjes në Paris. Si mund të mendoni se mund të ndodhë një tersllëk në numrin 13 dhe mos të ndodhë në numrin 12 ose14, që janë të ndara vetëm nga një dërrasë midis tyre?
-Kçyre, kçyre! (Këtë shprehje e kishin që të tria në majë të gjuhës). Po mua nuk ka me më xanë gjumi prej merakut!
-Çudi! Kurse shumë të huaj numrin 13 e kanë për porte bonheur...
-Për ters demek?
-Jo për ters, po për ogur. Ju e dini frëngjishten, kini qenë kaq herë në Paris...
-Po ç’kujton ti, se kena shkue në Paris për me mësue gjuhën? Na shkojmë për qejf!...
-Ah!
-Ashtu, posi!
Dhe u mek së qeshuri me budallallëkun tim, duke u futur në kabinën 14 që t’u thotë të motrave.
-Dëgjoni se ç’thotë ky, se ne shkojmë në Paris për me mësue gjuhën!
Më në fund pranoi të flerë në numrin 13.
U zgjuam në Paris. Na kishte dalë të na priste princ Abidi, i biri i sulltan Hamitit, që kishte marrë për grua princeshën Senije, me gjithë personelin e Legatës. Princ Abidi ishte i ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Paris, duke pasur për sekretar të Legatës, Milto Noçkën, të nipin e kryeministrit Kostaq Kota, domethënë djalin e së motrës.
Ramë në hotel Vendôme, në Place Vendôme, një nga hotelet më aristokratike të Parisit.
Në Paris ato ishin si në shtëpinë e tyre, kishin qenë shumë herë, të shoqëruara nga Sotir Martini, dhe e njihnin fare mirë. Edhe princesha Senije e la vilën e të shoqit dhe u vendos në hotel Vendôme bashkë me të motrat.
Unë për të parën herë po i njihja këto princesha dhe kujtoja se duhej të lozja rolin e një sekretari të vërtetë diplomatik. Nja dy orë të mëngjesit i kalova në sallon duke lexuar gazetat e huaja dhe me telefon kërkova nga Legata axhanset që kishin marrë nga Shqipëria. Pastaj bëra një listë të ngjarjeve më me rëndësi dhe u ngjita te princeshat për t’i vënë në dijeni, i bindur se ato do të donin të dinin ngjarjet e botës së jashtme dhe të rejat e fundit që kishim nga Shqipëria.
E fillova nga politika e jashtme dhe nisa t’u flas për ngjarjet në Francë, vendi ku ndodheshim mysafirë në atë kohë.
Po, me habinë time më të madhe, vura re se ato filluan të më përqeshnin. Të shtrira të trija në një krevat martesor, ja plasën gazit dhe princesha Muzejen, së cilës i mbahej edhe pak goja, kukurisej dhe thoshte:
-Kçyre, kçyre, dashka me na dhanë mësime tashti!
-Jo, princeshë, këto nuk janë mësime. Unë kujtoj se ju duhet të jeni në korrent të ngjarjeve të jashtme dhe të brendshme, - u thashë me seriozitetin më të madh.
Po ishte njësoj si t’i flisja murit: ato vazhdonin të qeshnin dhe të më shikonin me një sy mëshirues, sikur donin të thoshin: “I mjeri ai, qenka në hava!”
Unë kujtoja se diç ishin, po menjëherë arrita t’i kuptoj se ishin boshe dhe, si të tilla, donin të merreshin vetëm me kotësira. Këtë mendim ma vërtetuan gjithnjë e më shumë ritet e ardhshme, siç do ta shihni nga çdo t’ju them më poshtë.
Në Paris ne ishin “Incognito”, prandaj mund të bënim ç’të donim. Në Paris ata rrinin së bashku me Senijen, por kur kjo ndahej prej nesh për të shkuar tek i shoqi, unë mbetesha vetëm me të tri princeshat, që kisha në ngarkim, domethënë me princeshat Myzejen, Ruhije dhe Maxhide. Përsa i takon Parisit dhe të papriturave të tij, unë jetën e “elegancës” dhe të “zbavitjeve” nuk e njihja. Vërtet kisha qenë afro një vit në Paris, po unë atëherë kisha ardhur për të mësuar dhe isha kufizuar të ndiqja kurset e Sorbonës, të qëndroja në “Kartié Laten”, që ishte lagja e studentëve, dhe të vizitoja të dielave muzetë dhe pinakotekat e pasura të Parisit.
Sado që s’e kisha bërë atë jetë në kohën kur kisha qenë student, edhe pse isha fukara dhe më mungonin mjetet e duhura, prapëseprapë e dija se Parisi ishte vendi që kishte zbavitjet më të bukura në botë.
Disa lokale zbavitëse unë i dija, pse kishte hyrë edhe vetë me studentët e tjerë, disave ua kishte dëgjuar emrin. E dija se Monmartri ishte plot me kabarete të bukura dhe se “Mulen Ruzhi” dhe “Foli Berzheri” ishin nga teatrot e varietetë më të përmendura në botë. U propozova, pra, që atë natë të shkonim në “Foli Berzherë”. Zumë një lozhë. U kënaqën shumë. Po edhe unë u kënaqa sa me s’bëhet: të gjitha ato vajza të bukura dhe gjysmë të zhveshura, tërë ato skena fantazmagorike, tërë ato kanconeta me dy kuptime dhe plot harmoni, të bënin ta harroje botën e halleve dhe të bënin të jetoje për nja tri orë në parajsë.
Pas “Foli Berzherit”, vizituam “Mulen Ruzhin” dhe pothuaj të gjitha kabaretet e Parisit.
Pas teatrit, që mbaronte nga mesnata, shkonim të hanim “supenë” dhe pastaj me veturën tonë i binim vërdallë “Buà dë Bulonjës” gjer në dy, edhe tre, të mëngjesit. Në këtë orë shkonim në hotel “Vendôme dhe nuk dilnim më gjer në orën dy ose tri pasdreke.
Kjo punë bëhej ditë për ditë.
Te Shaneli dhe te Manezhi
Pas nja katër a pesë ditësh, që ndodheshim në Paris, princesha Mazhide më tha t’i telefonoja “Shanelit” dhe t’i thosha se kishim ardhur në Paris dhe dëshironim ta vizitonim.
-Kush është “Shaneli”? – pyeta.
-Si, more, nuk ditke as “Shanelin”? – m’u përgjigj ajo duke ia plasur gazit. – Po “Shanelin” e njeh gjithë bota. Këtu në Paris vijnë njerëzit vetëm për “Shanelin”. Edhe ne disa herë kemi ardhur vetëm për “Shanelin”. Hajt, telefonoji.
Zbrita poshtë në banak, mora librin e telefonave, gjeta numrin e “Shanelit” dhe i thashë se princeshat e Shqipërisë kishin ardhur në Paris dhe dëshironin t’i bënin një vizitë. Në ç’orë do të ishte i lirë?
M’u përgjigj duke m’u lutur t’u paraqisja homazhet princeshave mbretërore, duke qenë kurdoherë në dispozicion të tyre. Në orën pesë pasdreke, “Shaneli” do të ishte i çelur vetëm për Princeshat.
E kuptova menjëherë se ai do kishte pasur shumë “përfitime” prej tyre që të sillej me aq fisnikëri.
Pikërisht në orën pesë, vetura na zbriti përpara “Shanelit”. Ishte një bina e madhe katërkatëshe e cila, nga jashtë, nuk dallonte nga ndërtesat e tjera të Parisit. Në hyrje na priti drejtori vetë. U puthi dorën princeshave me reverencën më të madhe dhe filloi t’u bënte një mijë komplimente me një frëngjishte shumë “guturale” sa s’e kuptoja dot as unë. Natyrisht ato i thoshin “Ui, Ui”, pa kuptuar asnjë fjalë nga ç’po dërdëlliste ai dhe ktheheshin nga unë dhe më pyesnin: “Po ç’po thotë ky, more? Unë u përktheja shkurt ndonjë frazë, po mendjen e kisha gjetkë. S’më kishin parë sytë gjer atëherë një bukuri të tillë: muret dhe dyert ishin krejt pasqyrë, sa njeriu nuk dinte nga të hynte e nga të dilte, shkallët dhe dhomat ishin shtruar me një qilim të trashë kadifeje bojë vishnje sa këmbët të fundoseshin si në pambuk dhe nuk i ndjeje fare çapet e tua; tavanet ishin zografisur me perëndesha mitologjike, që mbanin në kokë kurora dhe në dorë degë dafinash dhe me lloj-lloj piktura të tjera shumë të bukura.
Pasi kaluam një sërë dhomash, që komunikonin me njëra-tjetrën, më në fund drejtori na shpuri në një sallon të madh, edhe ky me mure pasqyrash dhe me qilim kadifeje. Në fund të këtij salloni ishte ngritur një skenë madhështore, e mbuluar nga një perde e hollë, që mua m’u duk e mëndafshtë. Poshtë skenës nja pesë a gjashtë poltrona të gjera me shpinëza të praruara, të radhitura në formë patkoi.
Drejtori u bëri shenjë princeshave të uleshin në ato poltrona. U ula edhe unë pas princeshës Maxhide, që ishte më e vogla.
Ishim në nëntor. Jashtë bënte ftohtë acar, por neve këtu sikur na merrej fryma nga të nxehtit, sado që gardërobierja në hyrje ua kishte marrë atyre peliçet dhe mua pallton e madhe – kaloriferi ishte nxehur sa të dilnin djersë.
Në një shenjë të drejtorit, perdja e mëndafshtë u hap dhe në skenë dolën nja njëzet a tridhjetë vajza, të veshura me lloj-lloj kostumesh, duke mbajtur nga një numër në dorën e djathtë. Ato zbritën rëndë-rëndë nga skena, u afruan te ne, rrotulloheshin me ngadalë dhe me hijeshi për një copë herë, me qëllim që t’i kundronim mirë. Kështu me radhë, njëra pas tjetrës.
Nganjëherë princesha Maxhide kthente kokën nga unë dhe më pëshpëriste në vesh:
-A të pëlqen ky fustan?
I thashë sinqerisht se unë s’kuptoj nga “moda”.
-Po ç’shikon kaq i habitur atëherë?
-Shikoj vajzat. Ku i paskan gjetur kaq të bukura, me tërë këtë trup...
-Javash, se mos na kupton ai që kemi prapa... (Donte të thoshte për drejtorin). Pa në Tiranë ta ndreq unë qejfin: kam për t’ia tregue zonjës të gjitha...
-Ajo do linte mendjen, po t’i shikonte...
Por ndërkaq drejtori po dërdëlliste, duke shpjeguar cilësitë e fustaneve dhe herë pas here më drejtohej mua dhe më thoshte:
-Ju lutem shumë, kini mirësinë t’u shpjegoni Princeshave se ky është fustani i modës së fundit dhe bëri shumë bujë në Angli ku e veshi për herën e parë Princesha Margaret...
Unë ua përktheja, po vura re se ato nuk u besonin fjalëve të tij: Donin të zgjidhnin pas shijes së tyre dhe jo pas rekomandimit të tij.
Më në fund princesha Ruhije pëlqeu një fustan, u këshillua edhe me të motrat të cilat, pas shumë çuçuritjesh midis tyre, vendosën të porosisnin të trija nga një si ai, po me disa ndryshime.
Ia shpjegova drejtorit duke pasur modelen përpara meje. Atëherë ai thirri piktorin, i cili mbante në krahun e majtë një letër të trashë vizatimi mbi një dërrasë të madhe dhe në dorën e djathtë një penel. Kur mësoi dëshirat e princeshave, aty për aty ai e pikturoi atë fustan me ndryshimet që dëshironin ato.
Që nga kjo ditë “Shaneli” m’u bë burri i nënës: ditë për ditë, në orën pesë pasdreke, do shkonim medoemos te “Shaneli”. E drejta është që, tri-katër ditët e para unë shkova me kënaqësinë më të madhe, sidomos se më tërhiqte bukuria e atij ambienti dhe më shumë ato vajza aq të bukura. Po pastaj fillova të mërzitem: isha velur tashmë edhe me vajzat, edhe me atë mjedis mbytës, me atë të nxehtë që të merrte frymën. Mirëpo s’kisha ç’të bëja: për ato tërë Parisi nuk vlente sa “Shaneli”.
Njëherë tjetër më thonë t’i telefonoja “Manezhit”. Unë s’e dija ç’ishte ky “Manezh”, po këtë radhë s’e bëra veten që të qeshnin ato me injorancën time. Mora librin e telefonit dhe gjeta numrin. Edhe drejtori i “Manezhit” i njihte mirë, se m’u përgjigj tamam si drejtori i “Shanelit” dhe më caktoi orën 11 para dite.
Në orën 11 shkuam në Manezh. Drejtori na priste te dera dhe, me reverenca e katikule, i përcolli princeshat gjer në gardërobë. Pas pak ato dolën të veshura me kilota dhe me kamxhik në dorë. Vura buzën në gaz kur i pashë të veshura në atë mënyrë. Po me kilota i kisha parë edhe në Tiranë ku, të veshura si oficere, Xhemal Aranitasi i ushtronte, në Fushën e Sportit, të bënin talim, po ato në asnjë mënyrë nuk i hidhnin dot këmbët sipas muzikës ushtarake. Po atëherë nuk e di pse nuk më kishin bërë përshtypjen e hidhur që po më bënin tani, mbase sepse atëherë i shikoja nga larg, nga shumë larg, kurse tani po i shikoja fare afër.
-Po ti nuk do t’i hipësh kalit? – më pyeti princesha Myzejen duke më shkuar pranë dhe duke i rënë çizmes më kamxhik.
-Jo, do t’ju bëj sehir juve, - iu përgjigja me një ironi, që ajo s’e kapi dot dhe shkoi duke qeshur pas drejtorit, që po i udhëhiqte në stallë, ku do të zgjidhnin kalin që dëshironin.
Manezhi ishte si një barakë shumë e madhe, e mbuluar me xhamllëk, e shtruar përdhe me kum e rërë. Në fund kishte një sërë lozhash për spektatorët. Në një nga këto lozha u futa unë për të bërë sehir.
Nga një derë shumë e madhe, që ndodhej më të djathtë dolën të trija të hipura në disa kuaj katana. Edhe drejtori qe veshur me kilota dhe hyri në mes të arenës, duke mbajtur një kamxhik lëkure në dorë. Ai u jepte urdhër të tre kuajve të ecnin në galop, të ecnin përpara, të ktheheshin pas, të ngriheshin kas, po më interesante ka qenë kur vura re pengesa një metër apo një metër e gjysmë të larta dhe me një “hop!hop!” i urdhëronte kuajt t’i kapërcenin.
Princeshat u mbaheshin mirë kuajve, kurse unë kujtova se do të rrëzoheshin dhe do të dëmtoheshin. Po Ndoc Kurti duket se kishte bërë në Tiranë punë të madhe, se i kishte mësuar të mbaheshin për bukuri dhe t’i kapërcenin ato pengesa si pa gjë të keq.
Dolën nga Manezhi të kënaqura dhe të fryra si gjela deti. Maxhidja s’e mbajti dot veten dhe, kur hymë në veturë, më pyeti:
-Po ti a i mbahe dot kalit si ne?
-Jo, - u thashë – ju të trija më jeni dukur sot si tri amazona.
Natyrisht nuk e kuptoi këtë fjalë të fundit, po e mori me mend se do të ishte fjalë e mirë, se vuri buzën në gaz me mburrje.
Në hotel “Vendôme”, në sallën e pritjes gjetëm princ Abidin, të cilin ato e kishin ftuar për drekë. Ai ishte veshur thjesht, me një kostum gri. Mua kishte filluar të më hynte në zemër, ky i biri i sulltan Hamitit. Ishte shumë i thjeshtë, modest, tamam parizian. As e kujtonte ndonjëherë gjakun e tij perandorak. Kishte ikur i vogël nga Turqia dhe ishte rritur në Paris, ku kishte mbaruar fakultetin e Drejtësisë. Ekonomikisht mbetur shumë ngushtë dhe Jak Koçi, deputet i Shkodrës, që e çonte më shumë jetën në Paris, kishte mundur t’ia mbushte mendjen që të merrte të motrën e Zogut, Senijen, dhe nënshtetësinë shqiptare.
Abidi u rrinte shumë larg princeshave, me një distancë diplomatike të heshtur. Ishte me trup të shkurtër, miop dhe mbante syze të rënda. Ishte gjakftohtë dhe fjalëpak. I sjellshëm sa mund të jetë një parizian. Nuk i pëlqenin lëvdatat dhe komplimentet.
Mbaj mend se, kur u takova për herën e parë, nuk dija se ç’titull t’i jepja. I dhashë titullin “excellence”! - por ai ma preu shkurt:
-Zotëri, më thoni se keni mbaruar Drejtësinë. Pra, jemi kolegë, donc des monsieurs.
Dhe që atë çast e quajtëm njëri-tjetrin me titullin e thjeshtë “zotëri”.
Pas disa takimesh, ku kishin folur për gjëra të përgjithshme, princ Abidi nisi të më fliste edhe për gjëra intime. Më tha një ditë se do të bëja një punë shumë të mirë sikur t’i këshilloja princeshat të ishin më modeste në veshje dhe në të sjellur. Ne jemi në një shekull demokracie, ku pozat “aristokratike” nuk shkojnë aspak dhe, këtu në Paris sidomos, bëhen qesharake.
Iu përgjigja se në asnjë mënyrë nuk mund t’i këshilloja. Në këto pak ditë, që jam me to, kam kuptuar se ato duan t’i ndihmosh në trillet, jo “këshilltarë”.
-Keni të drejtë, zotëri, - më tha. – Edhe mua më kanë marrë inat, se kam guxuar t’i “këshilloj”.
Kur e pashë mirë thjeshtësinë dhe çiltërsinë e tij, fillova t’i qaj hallin, më parë me aluzione dhe nënkuptime, më vonë haptazi:
-Zotëri, këtu në Paris, fundja, jemi “incognito” dhe nuk biem kaq shumë në sy, por pisk do ta kem në udhëtimin zyrtar në Danimarkë dhe në Suedi.
Shkrimi u publikua sot (13.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Kujtimet e Zoi Xoxës publikuar ne shqiptarja.com
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)