Shqipëria rendit një sërë objektesh kulti të cilat mbeten dëshmi e trashëgimisë tonë kulturore, historike dhe jo vetëm.

Ndër to dhe kisha ortodokse e “Shën Nikollës” në fshatin Paftal të Beratit një nga monumentet më të rëndësishme të kultit ortodoks në zonën e Shpiragut, rindërtimi i së cilës daton i dokumentuar që në vitin 1875.

“Gjej rastin për të përgëzuar këshillin e kishës së Shën Nikollës së Paftalit”, tha imzot Asti.

Monumenti ruan vlera të rëndësishme arkitekturore dhe artistike, përfshirë afresket e saj të veçanta disa prej të cilave duket se i mbijetuan dhe diktaturës komuniste.

Pasi këmbanat ishin grabitur, një pjesë e mureve ishin dëmtuar dhe objektet liturgjike humben, ishin sërish banorët e zonës që e rindërtuan pas shpalljes të lirisë së besimit fetar.

“U shkatërrua, kanë ardhur nga shkolla e partisë dhe u bë depo gruri. Pastaj u mblodhën gjithë besimtarët dhe e kanë ndërtuar. Kisha ka pasur afreske, ka rreth 5 ikona që janë goxha të çmueshme. Vizitorët vijnë nga Tirana, Fieri, Vlora, Lushnja”, thotë banori Thoma Gjani.

Është pikërisht ky objekt i kultit që tashmë po ndikon në përthithjen e vizitorve, madje dhe në rikthimin e vetë banorve të zonës të cilët jane larguar ndër vite e kthehen serish atje sa herë ka festa.

Zona e Shpiragut është e njohur për praninë e objekteve të kultit që u kanë mbijetuar shekujve dhe që sot përbëjnë një pasuri të vyer historike, kulturore dhe turistike për qarkun e Beratit.