Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, për të 30-tën herë me radhë shpalosi biseda të përgjuara telefonike, të cilat sipas pretendimeve tij, janë ndërmjet krerëve të lartë shtetëror dhe të cilat sipas tij dëshmojnë krimet e tyre.
 
Lideri i LSDM, Zaev në “bombën” e sotme shpalosi të vërtetën e vrasjes së gazetarit maqedonas, Nikolla Mlladenov, hetimi i të cilit, siç tha Zaev, është mbyllur në korrik të vitit 2013, por nuk u hulumtuan dëshmitë mbi shkaqet e aksidentit. “Bisedat telefonike tregojnë se Qeveria e papërgjegjshme dhe jo profesionale udhëhoqën hetimin për vdekjen e Mlladenovit dhe ata fshehën nga publiku detajet kryesore të hetimeve. Këto dëshmi do të tregojnë 10 arsye se pse është e rëndësishme që të ketë një hetim të ri”, tha Zaev.
 
Lideri Zaev tha se trupi i Mlladenovit është gjetur 22 metra larg veturës, e jo siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, 7 metra larg veturës, ndërsa më tej shtoi se në pjesën e pasme të veturës ka dëshmi se makina e gazetarit Nikolla Mlladenov është goditur nga pas.
 
Në bisedat e përgjuara telefonike, ku siç pretendon Zaev, janë ndërmjet ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe zëdhënësit të saj, Ivo Koteski, dëgjohet zëri i një femre duke kërkuar që të fshihen dëshmitë për aksidentin e Nikolla Mlladenov, ndërsa në një bisedë tjetër sipas liderit Zaev, dëgjohet po ashtu Jankulloska me kryeministrin Nikolla Gruevksi, ku ministrja shpreh shqetësim se vetura e gazetarit ka shenja në pjesën e pasme, ku është goditur.
 
Arsyet për vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov, nga ajo që njoftuan institucionet kompetente shtetërore ishin se ka ndodhur pasi që i ka plasur arteria e zemrës dhe më pas ai ka dalë jashtë rrugës me veturën e tij. Aksidenti rrugor ka ndodhur në muajin mars të vitit 2013.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)