GREQI- Pas zjarreve që pushtuan vendin disa muaj më parë, situata në Greqi është sërish alarmante për shkak të një stuhie tropikale mesdhetare që ka goditur shtetin fqinj.
Stuhia e pagëzuar me emrin “Zorba” është një ciklon i rrallë tropikal që formohet në detin Mesdhe dhe është e ngjashme me sistemet subtropikale në oqeanin Atlantik.
Situata shfaqet më alarmante në 4 zona të vendit: Korinth, Peloponez, Argolida si dhe në Atika Perëndimore, zona të cilat janë përmbytur.
Uji ka bllokuar rrugët dhe ka hyrë në katet e para të shtëpive dhe dyqaneve duke arritur nivelin e 4 metrave në disa zona.
Aktualisht era ka arritur shpejtësinë e 140 km/orë në disa pjesë të Athinës, ndërsa autoritetet kanë dhënë alarmin dhe u kanë kërkuar banorëve të mos dalin nga shtëpitë.
Shkollat janë mbyllur në Atikë, Krete, Peleponez dhe në disa qytete të tjerë, ndërkohë që në disa zona nuk ka energji elektrike.
Edhe pse goxha e rënduar, situata në Greqi pritet të qetësohet mëngjesin e së hënës, ndërsa stuhia pritet të zhvendoset dhe të godasë një pjesë të Stambollit.