6 shpërthime në veri të Kosovës! Kurti: Sulme nga Serbia! Vuçiç: I urdhëroi Prishtina! KFOR shpërthim i kontrolluar i bombës brenda zyrave të KKZ-së

KOSOVË-  Situata vijon të jetë e tensionuar në veri të Kosovës ku përgjatë ditës së sotme janë shënuar 6 sulme me bombë dhe të shtëna në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok. Përkatësisht, 2 shpërthime u regjistruan në Zubin Potok e 4 të tjera në Mitrovicën e Veriut.

Efektivë të Policisë së Kosovës, të EULEX-i  vendosën para zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut pas raportimeve se brenda ambienteve të zyrës kishte bombë. Pas kësaj në vendngjarje mbërritën forcat e KFOR-it. Pas disa minutave u dëgjua një shpërthim i fortë dhe më ekipet e KFOR-it u larguan nga vendngjarja. Mediat raportojnë se është realizuar një shpërthim i kontrolluar i bombës.

Sulmet në veri kanë vijuar me akuza të rënda politike ku krerët e Kosovës dhe Serbisë kanë bërë përgjegjës njëri-tjetrin.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sulmet në veri të vendit erdhën nga banda kriminale të cilat paguhen e dirigjohen nga Presidenti Serb, Vuçiç. Kurti paralajmëroi se në veri të vendit janë shtuar forca të shumta policore.

Më herët, i pyetur në samitin e BE në Tiranë nga gazetarët, Vuçiç bëri përgjegjës kreun e qeverisë së Kosovës.

Të forta qenë edhe reagimet e presidentes, Vjosa Osmani e cila u shpreh se ky sulm erdhi nga Serbia me qëllim destabilizimin në Ballkan.

Më tej, Osmani komentoi edhe prezencën e Serbisë në samit si dhe dialogun e Prishtinës me Beogradin.

Për presidenten e Kosovës, Vuçiç ka një sjellë “dramatike” me ndërkombëtarët kjo u duk edhe në vonesën për konfirmimin e tij në pjesëmarrjen në samit, e më tepër në qëndrimet pro-ruse dhe anti-evropiane. Osmani shtoi se qëndrimi i Serbisë ndaj Federatës Ruse është tregues i qartë i klimës së Beogradit në politikën e jashtme e cila i ka antenat nga Moska.

Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq - që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës - pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.

Policia e Kosovës u shpreh se persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës, duke përdorur "mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

Pranë vendit ku ndodhën shpërthimet në Mitrovicë të Veriut, u panë edhe pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit-EULEX.

Kur nisi rritja e tensioneve në veri të Kosovës:

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur që në verë, kur Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të lejojë më në veri makina me targa që i lëshon Serbia.

Vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për targat kanë qenë kryefjala njëherësh edhe “preteksti” i revoltës serbe në kufi. Edhe pse një kërkesë në dukje miniminaliste, Serbia e kundërshton kategorikisht duke reaguar përmes revoltës me protesta, dorëheqjeve të Listës Serbe dhe kundërshtive me dhunë të vendimeve të Kosovës.

Në Prishtinë kjo gjë merr tjetër trajtë.

Kosova e sheh si një metodë e Serbisë për t’i dalë kundër planit të propozuar nga Macron dhe Scholz i cili njihet si “Plani Franko-Gjerman”. Në thelb, në propozim i kërkohet Serbisë të japë dakordësinë për Kosovën që të futet në organizmat ndërkombëtarë në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ka qenë pikërisht ky propozim, arsyeja reale e revoltës serbe, e cila sipas kryeministrit të Kosovës Kurti, tenton që përmes grupeve kriminale të kundështojë me forcë çdo marrëveshje, apo plan për të mundësuar një hap para të Kosovës në organizmat ndërkombëtar. Kryeministri Kurti në deklaratën e tij të fundit theksoi se nuk ka e as nuk do të ketë tërheqje të vendimit të targave ndërsa theksoi se ka një qasje pozitive ndaj propozimit franko-gjerman.

Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën një marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina ka pezulluar planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi është zotuar se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri. Zhvillimet e fundit vijnë në ditën kur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i një plani për normalizimin e marrëdhënieve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
Situata në Mitrovicën e Veriut, shpërthim i kontrolluar i bombës që ndodhej brenda zyrave të KKZ-së! KFOR largohet nga vendngjarja


Mediat kosovare raportojnë se në zyrat e KKZ-së Mitrovicën e Veriut është dëgjuar një shpërthim i fortë dhe se forcat KFOR-it pas kësaj janë larguar nga vendngjarja.

Paraprakisht, mendohet se shpërthimi ka ndodhur si rezultat i shpërthimit të kontrolluar të bombës nga ekipet e KFOR-it, e cila u raportua në fillimi se ndodhej brenda zyrave.

Ora 21:40
Forcat e KFOR-it në zyrat e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, synohet shpërthimi i kontrolluar i bombës që dyshohet se ndodhet brenda zyrës

Mësohet se forca të KFOR-it kanë shkuar në Mitrovicën e Veriut dhe do të merren me shpërthimin e kontrolluar të një bombe që dyshohet të jetë brenda zyrave të KQZ-së.

Ora 20:52
6 shpërthime në veri të Kosovës, Kurti paralajmëron shtim të forcave policore në veri: Sulmet po dirigjohen nga Serbia dhe presidenti i saj

1669826154_grftyry.jpg

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për situatën mjaft të tensionuar në veri të Kosovës ndërsa ka bërë fajtor vetëm Aleksandër Vuçiç i cili po paguan bandat kriminale.

Kurti shkruan se qeveria e Kosovës s’po bën pazare dhe si ka bërë ndonjëherë dhe se sulmet nuk janë gjë tjetër veçe tregues i pafuqisë popullore të Serbisë.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.”- shkruan Kurti.

Ora 20:50
Kosovë/ Tjetër shpërthim në Mitrovicën e Veriut

Raportohet se ka pasur një tjetër shpërthim në Mitrovicën e Veriut. Mësohet se shpërthimi ka ndodhur para pak minutash në vendin e quajtur Tre Rrokaqiejt,  para zyrës së KKZ-së ku po qëndrojnë policië të Kosovës dhe EULEX-it, raporton Koha.net.

Edhe më herët një shpërthim tjetër me shok-bombë ndodhi në vendin e ngjashëm.

Raportohet se një pjesë e rrugës në Mitrovicë të veriut është bllokuar pas shpërthimit.

Ora 19:48
VIDEO/ Shpërthimet në Veri të Kosovës, KFOR-i, EULEX-i dhe policia rrethojnë zyrën e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut! Dyshohet se brenda zyrave ka bombë

 

Efektivë të Policisë së Kosovës dhe atyre të EULEX-it janë vendosur para zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, sikurse mund të shihen në pamjet e siguruara nga Koha.net. Dyshohet se brenda objektit ka bombë. 

Kjo pas disa incidenteve të ndodhura gjatë ditës së sotme në zyrat e KQZ-së, në dy komuna në veri të Kosovës, ku u raportua për shkrepje armësh e shpërthime. 

Ora 19:23
Shpërthimet në Veri të Kosovës, kreu i opozitës: Serbia po tenton ta destabilizojë vendin! Fol Kryeministër

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me incidentet e fundit të ndodhura në veri të vendit, konkretisht në komunën Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut. Krasniqi thotë se institucionet e shtetit sot janë sulmuar në komunat e veriut dhe se kandidatët për zgjedhjet e pjesshme vendore janë kërcënuar. Ai kërkon që kryeministri Albin Kurti të reagojë.

“Serbia nuk duhet të kalojë në veriun e Kosovës!

Institucionet e shtetit sot janë sulmuar në komunat e veriut. Kandidatët tanë janë kërcënuar. Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën, ndërsa Kryeministri i vendit, që na flet për zhvillime prej Ukrainës e deri në Kinë, po heshtë për situatën në veri.

Fol Kryeministër!”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Ora 18:07
Veriu tronditet nga shpërthimet, Ministri i brendshëm Sveçla: Kemi nisur hetimet! Në sulmet e sotme janë përfshirë kriminelë

1670346720_XhelalSveclakonferencefotoRidvanSlivova1e16309150514341200x6301.jpg

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas disa shpërthimeve që kanë ndodhur sot në veri të vendit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se sot Policia e Kosovës ka asistuar për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.

“Zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik. Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ka asistuar për funksionalizimin e zyreve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit. Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare”, ka shkruar ai.

Ministri i Brendshëm ka njoftuar se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar individët e përshirë në këto rast.

“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush. Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, ka shkruara ai.

Ora 17:45
Shpërthimet në veri të Kosovës, zyrtari në Mitrovicë: Kishte policë me armë automatike, një kolege u dërgua në emergjencë

1670353396_295052viberimage20221206152703626iff.jpg

Drejtor i Administratës së Sporteve në Mitrovicën Veriore, Petar Trajkoviq objekti i të cilit gjendet afër objektit të komisionit zgjedhor komunal, në të cilin sot kanë hyrë anëtarët shqiptarë të shoqëruar nga policia e Kosovës, thotë se situata ka qenë shumë e tensionuar.

“Në fund të orarit të punës dëgjuam një përplasje, një përplasje dere dhe më pas tre shpërthime të forta. Shikova nga dritarja dhe pashë policë të armatosur me automatikë në duar, por edhe policë të armatosur me rroba civile. Punonjësit kanë përjetuar stres nga shpërthimet, sidomos femrat, na është dashur ta çojmë një kolege në urgjencë”, thotë Trajkoviq për Kosova Online.

Ai shton se kjo mënyrë për të hyrë në ambientet e dikujt është absolutisht e dënueshme dhe se e gjithë kjo ka mundur të organizohet në mënyrë paqësore.

“E gjithë kjo mund të ishte zbatuar ndryshe, në mënyrë paqësore dhe demokratike, dhe jo duke përdorur bomba dhe armë”, shton Trajkoviq.

I pyetur nëse ka pasur njoftime se kjo do të ndodhë, Trajkoviq tha se nuk ka pasur.

“Ne nuk dinim asgjë, ishim duke bërë punët tona dhe ishim në vendet tona të punës, derisa e gjithë kjo ndodhi pas orarit të punës”, shtoi ai.

Trajkoviq thotë se shpreson që situata të tilla të mos përsëriten në ditët në vijim, duke qenë se objektet e KKZ-së janë rrënuar, por sigurisht që ka tension mes qytetarëve të Mitrovicës së Veriut.

“Zyrat që ishin të destinuara për kryerjen e funksioneve të KKZ-së nuk janë në funksion sepse janë rrënuar tërësisht, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundon Trajkoviq.

Ora 17:24
VIDEO/ Situata në veri të Kosovës, raportohet se është dëgjuar një shpërthim i ri

 

Një shpërthim i ri raportohet se është dëgjuar në Mitrovicën e Veriut, më konkretisht tek Tre Rrokaqiejt.

Klan Kosova, raporton se shpërthimi u dëgjua para pak momentesh.

Ndërkohë, siç raportoi Nacionale, fotoreporteri Vudi Xhymshiti, më herët tha se një shpërthim i pestë u dëgjua në veri të vendit.

"Një shpërthim i pestë është dëgjuar me zë të lartë nga bregu verior i lumit Ibër të Mitrovicës, në veri të Kosovës, pas një skene ku disa persona me rroba civile janë parë duke thyer xhamat e objekteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës." - ka shkruar ai në një postim, të cilit i ka bashkëngjitur edhe video.

Ora 17:22
Osmani: Raportet e Kosovës me Shqipërinë dy vitet e fundit janë përmirësuar

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një deklaratë për mediat u shpreh se sa i takon raporteve shtetërore në dy vitet e fundit ka pasur shumë avancim në raportet mes dy vendeve.

‘Ne llogarisim shumë me Shqipërinë nëse nuk llogarisim me ju, me kë do ta bënim. Edhe ndërmjet motrave dhe vëllezërve mund të ketë dallim dhe e tillë ka qenë edhe çështja e Open Ballkan. Pra pajtohemi që nuk pajtohemi dhe situata është e tillë ne si Kosovë kemi vlerësuar gjatë dhe kemi vendosur se nuk është në interes të Kosovës të jemi në Open Balkan, por të jemi te Procesi i Berlinit. Raportet personale nuk duhet të ishin tema, por raportet shtetërore duhet të jenë tema dhe dy vitet fundit ka pasur shumë avancim të raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë.’- tha Osmani.

Ora 17:22
Shpërthimet në Zubin Potok, Vuçiç: Janë urdhëruar nga Albin Kurti

1670343384_Screenshot1.jpg

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka folur për ngjarjen sot në Zubin Potok. Ai ka thënë se është urdhëruar nga Albin Kurti.

 “Sot përsëri, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, janë dërguar oficerë policie të armatosur në veri. Siç thashë dje, ju thjesht pyesni se në cilën ditë do të ndodhë ndonjë provokim i ri që mund të prishë stabilitetin dhe paqen. Është mirë që, të paktën sipas të dhënave aktuale nuk ka viktima dhe besojmë se do të mbetet e tillë. Për sa i përket kohës nuk e dimë se çfarë kanë në mendjen e atyre personave që duan të shkaktojnë konflikte çdo javë. Nuk është një periudhë e lehtë përpara ne, por është e rëndësishme që të qëndrojmë me popullin tonë dhe të pajtohemi me shqiptarët për gjithçka që është e mundur që paqja të ruhet dhe të ruhet. Gjithashtu besoj se Miroslav Lajçak do të luajë një rol të rëndësishëm në qetësimin e situatës”, tha Vuçiç.

Ora 17:18
Vjosa Osmani 'gozhdon' në samitin e BE: Qartësisht Serbia është pro ruse dhe larg demokracisë! Pjesëmarrja e Vuçiç? Kërkon vëmendje, si dramatik

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka gozhduar në samitin e BE-së në Tiranë ku sipas saj qasja e Serbisë me BE është e qartë. Sipas saj Serbia ashtu sikurse në histori vijon të ketë një qasje pro ruse dhe se Presidenti serb bën “dramatikun” duke kërkuar vëmendje.

“Nga BE ka pasur shumë pak presion në krahasim mesa duket të kishte. Në raport me një shtet i cili është më pak evropian dhe pro rus. Zgjedhja e Serbisë është Moska, është e qartë nuk e kanë fshehur ndonjëherë. Sanksionet ne vendosëm të gjithë, Serbia jo, ashtu siç bën me refugjatët ukrainas, marrëveshjet me gazprom etj. Pra Serbia e ka zgjedhur rrugën e saj.

Presim që mesazhi evropian të jetë i qartë. Sepse jemi në një situatë të pa precendentë.  Pjesëmarrja e Vuçiçit në samit, është tipike, krijon dramë për të pasur vëmendjen, njëherë thotë nuk do të vijë pastaj vjen. Por është qasje qesharake. Vëmendja që ajo ka është largimi i nga demokracia.”- tha Osmani.

Ora 17:15
Kosovë/ Policia konfirmon shpërthimet në veri të vendit: Nuk ka të lënduar

Policia e Kosovës ka raportuar se në orët e pasdites dyshohet se ka pasur shkrepje armësh e shpërthime në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

 “Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve”, njoftohet  nga Policia.

Ora 17:09
Sulmi në veri të Kosovës, Osmani: U krye nga bandat e përkrahura nga Vuçiç për qëllim destabilizimi

1670342696_Screenshot1.jpg

Presidentja Vjosa Osmani në një deklaratë për mediat në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë u pyet edhe në lidhje me sulmet në veri të Kosovës. Osmani tha se është një sulm i kryer nga bandat e përkrahura nga Vuçiç.

‘Ne jemi në kontakt të përditshëm me kryetarin e KQZ-së dhe në veçanti koordinimeve që janë bërë me institucionet e qeverisë. Për fat të keq situata në veri eskalon për një arsye të vetme bandat e përkrahura dhe financuara nga Vuçiç kanë për qëllim të destabilizojnë veriun e Kosovës dhe vetë Ballkanin Perëndimor. Ne duhet të mbrojmë jetën e secilit qytetar tonin. Është me rëndësi se siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha. Tani po e presim edhe raportit përfundimtar.’- tha Osmani.

Ora 16:40
Zhvillimet në Veri të Kosovës, mblidhet sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: Nuk na është lejuar të kryejmë detyrën


KQZ do të mblidhet ditën e sotme pas zhvillimeve në Veri të vendit,  ku dy shpërthime raportohet se u dëgjuan pasditen e sotme në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut, të cilat janë komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës. Ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me këtë çështje.

Sipas asaj që shkruajnë disa mediave serbe, shpërthimet në Zubin Potok ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, të shoqëruar nga Policia hynë në hapësirat e objektit komunal.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se zyrtarët kanë shkuar në zyrat e tyre të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, të shoqëruar nga policia, por ushtrimi i detyrës nga ana e zyrtarëve nuk s’ka qenë i mundur.

“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, është shprehur Elezi.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë parashikohej që të shpërndanin këtë të martë materiale zgjedhore në këto komuna në kuadër të  zgjedhjeve të pjesshme vendore që do të mbahen më 18 dhjetor, për të zëvendësuar zyrtarët serbë në institucionet e Kosovës që dhanë dorëheqjen,

Ora 14:56
Petar Petkoviç flet për shpërthimin e zyrës për Kosovën: Demostrimi më brutal i forcës, provokime

 

 Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, është shprehur pas lajmit të shpërthimit me këto fjalë:

“Është demostrimi më brutal i forcës dhe po shkakton tensione e provokime të reja nga ana e Prishtinës, që po tenton të implementojë masa ilegale me dhunë dhe të shkaktojë destabilizim të situatës në terren.” - citohet të ketë thënë ai.

F.D//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bajd: 06/12/2022 17:55

    Terroristat serbe duhet ndalur nje minute e me pare. Kryeterroristi Vucic dhe kryeekstremisti Dacic duhen burgosur sa me shpejt! O Edvin tradhetari… kur do denosh sulmet terroriste serbe ne troje Shqiptare?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja