Po ashtu, dy takimet e fundit janë përcaktuar në mbrëmje, njeri me Kryetarin e PBDNJ-së, Vangje Dulen dhe i fundit, me Kryepeshkopin Anastas Janullatos.
Ruajtja dhe intensifikimi i marrëdhënieve me shtetin fqinj ka qënë emëruesi i përbashkët i të gjitha takimeve me zyrtarët shqiptarë; më vete, secili prej tyre ka diskutuar me politikanin grek rëndësinë e heqjes së ligjit të luftës; çështjen e pronave të popullsisë çame; problemin e toponimeve, ndërsa Venizelos nga ana e tij ka kërkuar zgjidhjen e çështjes së Paktit detar.
BASHA - VENIZELOS: LIGJI I LUFTES, ÇAMET, TOPONIMET DHE NJOHJA E KOSOVES - PROBLEMET TONA
Kreu i diplomacisë greke, Venizelos, është pritur në mesditë, nga kryedemokrati Lulzim Basha në selinë e PD-së, i cili i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme, marrëdhëniet me Greqinë.
Basha ngriti në këtë takim çështjen e anullimit të ligjit të luftës, si çështje e rëndësishme jo vetëm për shkak të përceptimit, por sidomos edhe të problemeve në lidhje me çështjen çame.
Më pas, Basha vlerësoi hapat e marra nga shteti grek në ndërtimin e marrëdhënieve me shtetin e ri të Kosovës duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka për çdo qytetar shqiptar, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia.
Kreu i PD-së kerkoi angazhim nga qeveria greke për zgjidhjen e problemit të toponimeve, që e ka vështirësuar mjatf lëvizjen në kufi të qytetarëve shqiptarë të lindur në Greqi.
Në përfundim, ai përshëndeti vizionin e Qeverisë greke për Presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe angazhimin për të nxitur dimensionin mesdhetar dhe adriatiko-jonian së bashku me Italinë në vitin 2014.
META - VENIZELOS: SHPRESJME NE MBESHTETJEN TUAJ PER INTEGRIMIN GJATE PRESIDENCES GREKE
Zv.Kryeministri grek Venizelos është takuar sot edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Metën, të cilin e uroi për marrjen e detyrës së re dhe shprehu mbështetjen e Greqisë për avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Meta nga ana e tij shprehu kënaqësinë për vizitën e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Venizelos në Tiranë dhe shprehu besimin se Greqia do të japë një kontribut të veçantë gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian në 2014, veçanërisht në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
Që të dy politikanët ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria dhe Greqia duhet të intensifikojnë përpjekjet bilaterale për të rritur bashkëpunimin rajonal.
Meta shprehu gjithashtu vullnetin e plotë për të zgjeruar shkëmbimet ndër-parlamentare si një kontribut në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke nënvizuar se prioriteti i Shqipërisë mbetet integrimi evropian i saj dhe i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
RAMA - VENIZELOS: DO T'I JAPIM DIMENSION TE RI, MARREDHENIEVE TONA
Në orën 14:11 zyra e shtypit e kryeministrisë informon se në takimin e zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm Venizelos janë trajtuar problematikat që ekzistojnë, të tashme, apo të trashëguara nga e kaluara. Rama është shprehur i gatshëm për t’i dhënë dimension të ri bashkëpunimit me Greqinë, në frymën e miqësisë dhe të interesit të dy vendeve
Njoftimi për shtyp nuk jep shumë detaje të hodhësishme se çfarë është biseduar mes Ramës dhe Venizelos. Sa i takon rajonit, Rama është shprehur se marrëveshja Kosovë-Serbi, ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet e bashkëpunimin midis vendeve të rajonit.
“Kryeministri Rama vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve dhe vuri theksin në vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë një dimension të ri këtij bashkëpunimi në frymën e miqësisë dhe të interesit më të mirë të të dy vendeve.
Gjatë këtij takimi, u vlerësua ecuria e deritanishme e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe u trajtuan problematikat që ekzistojnë, të tashme, apo të trashëguara nga e kaluara.
Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare mbetet e vendosur për të forcuar, gjithashtu, bashkëpunimin rajonal. Marrëveshja Kosovë-Serbi, u shpreh Kryeministri, ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet e bashkëpunimin midis vendeve të rajonit.
Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ministrin Venizelos edhe për mbështetjen që Greqia ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në procesin e integrimit edhe në kuadër të Presidencës së ardhshme greke të BE-së.
Ministri Venizelos e uroi Kryeministrin Rama për detyrën e re dhe i shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për t’i vendosur marrëdhëniet mes dy vendeve në një stad të ri bashkëpunimi. “- thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë.
VENIZELOS - NISHANIT: PAQJA ME SHQIPERINE, QE NE 1987; ÇAMET T'I KERKOJNE PRONAT NE GJYQ, TE ZGJIDHIM PAKTIN DETAR
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka pritur sot në një takim Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Evangelos Venizelos dhe delegacionin që e shoqëron.
Presidenti Nishani ka theksuar në fjalën e tij se në kushtet kur dy vendet tona janë anëtare në NATO, bashkëjetojnë në fqinjësi të mirë është e domosdoshme që Parlamenti Grek të heqë ligjin e luftës dhe të njihet e drejta e mohuar e pronave në vendin fqinj për qytetarët shqiptarë
Venizelos u shpreh se Greqia e ka shpallur gjendjen e paqes me Shqipërinë me vendim të Këshillit të Ministrave që në vitin 1987 dhe se qytetarët shqiptarë mund tu drejtohen gjykatave greke, ose atyre evropiane për të drejtën e pronës.
Ai nga ana e tij kërkoi që të zgjidhet çështja e Paktit Detar mes Greqisë dhe Shqipërisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare të detit.
Presidenti u shpreh në favor të rifillimit të bisedimeve për Paktin Detar, bazuar në frymën e mirëkuptimit dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Venizelos nënvizoi se mbështetja e zgjerimit të Bashkimit Evropian në drejtim të rajonit të Ballkanit do të jetë një nga prioritetet e Greqisë gjatë Presidencës së saj evropiane.
Redaksia online
(arsh/s.g/shqiptarja.com)