TIRANË - Zv/ministri i Zhvillimit Urban e Turizmit, Alfred Dalipi, në një dalje publike  foli në lidhje me programin për "Rilindjen e Qyteteve".  Dalipi tha se deri tani qeveria ka financuar në pushtetin vendor 74 projekte, per 60 prej të cilave ka nisur zbatimi.
 Dalipi  tha se "këto dy javë ka nisur faza e zbatimit të këtyre projekteve, të cilat janë përzgjedhur duke iu nënshtruar një procedure pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban prej 6 muajsh. Aktualisht jemi në thirrjen e pestë, pasi janë realizuar katër të parat, për financimin e projekteve të infrastrukturës urbane. Deri tani qeveria ka financuar në pushtetin vendor 74 projekte në tre thirrjet e para, në thirrjen e katërt janë edhe 8 projekte të tjera. Ka filluar zbatimi për gati 60 projekte, pra per rreth 82%".
"Këto projekte përfshijnë të gjithë territorin e vendit, duke nisur që nga Shkodra e deri në Konispol, ku edhe atje po merremi me sheshin qendror. Jemi përqendruar në qytetet e mëdha me projekte të integruara, me disa projekte bashkë, për t'i dhënë jetë një koncepti që qytetarët duhet ta përjetojnë shpejt ndryshimin e qytetit të tyre", tha ai.
Ai përmendi se të gjithë projektet kanë kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit.
Procesi i të gjithë këtij megaprojekti për rivitalizimin e qendrave urbane fillon me paraqitjen e projektit nga njësia vendore. Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve aplikon thirrjen, ku përcaktohet edhe filozofia për aplikimin e këtyre projekteve. Këto projekte kanë kaluar miratimin e këshillave bashkiake.
Dalipi foli edhe mbi operacionin e zhvilluar nga INUK për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ai tha se asistimi i INUK-ut në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, është normal pasi është një strukturë kombëtare. "Në pjesën më të madhe të territorit të gjitha këto struktura kanë qenë prezente. Në fillim procesi mund të ketë pasur pikëpyetje, por sot qytetarët po kuptojnë se zgjerimi i hapësirave dhe zëvendësimi i tyre me projekte konkrete është perceptuar pozitivisht", theksoi Dalipi. /ATSH/