Ish-kryeministri grek, Alexis Tsipras, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas deklaratës së tij se “Aleanca e Majtë Helene”, partia e re e drejtuar nga Tsipras, shfrytëzoi për politikë incidentet gjatë protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec të Vlorës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tsipras shprehet se është habitur nga reagimi i Ramës dhe ‘akuzat e kryeministrit për retorikë nacionaliste’ nga partia e tij ELAS.
Sipas ish-kryeministrit grek, reagimi nga ELAS erdhi pas dhunës që sipas tij është ushtruar ndaj një qytetari grek, në protestën në Zvërnec të Vlorës.
“I dashur mik Edi, edhe unë shpresoj që je mirë. Duhet të pranoj se më habit edhe mua që nxitove të përgjigjesh me vërejtje të ashpra për retorikën nacionaliste ndaj njoftimit të Koalicionit të Majtë Grek (ELAS) në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj një qytetari grek”, ka shkruar Tripras.
Pas protestës në Zvërnec, partia e Tsipras deklaroi se qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë masat e duhura gjatë protestës në Zvërnec (ku ata pretendojnë se mbeti i plagosur një qytetar grek).
Ata thanë gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës, si edhe i të drejtave pronësore dhe të drejtës së vetëpërcaktimit të Minoritetit Kombëtar Grek, duhet të jetë si parakusht për përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ndërkohë pas reagimit të partisë së ELAS për incidentin në Zvërnec, Rama i replikoi në rrjete sociale ku tha se partia e re e formuar nga Tsipras, kontribuoi në transformimin e një incidenti të izoluar në një çështje me rëndësi të gjerë politike, ndërsa shtoi se partia e ish-kryeministrit grek ka shpërfillur faktet dhe se janë bazuar në gjysmë të vërteta.
Lajmi kryesor:
'Zvërneci'/ Rama: Kurth për konkurrencë, i nxitur edhe nga Greqia! S’ishte dhunë shtetërore ndaj minoritarit grek, siç ka ndodhur me shqiptarët! I shkruan edhe Tsipras-it: Transformove incidentin








