Pas 16 ditësh protesta kundër investimit në Zvërnec, ish-ministri i Financave Arben Malaj thotë se ajo nuk duhet parë si një reagim i izoluar ndaj një projekti të vetëm, por si shfaqje e një pakënaqësie shumë më të thellë ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit. Në analizën e tij në emisionin 'Studio Live' në Report TV, Malaj argumentoi se problemi nuk lidhet me socialistët e zakonshëm, por me sistemin e patronazhimit, ku njerëz me pushtet politik dhe akses në fondet publike kanë krijuar privilegje dhe janë pasuruar duke ndjekur modelin e lidershipit politik të PS-së.

Malaj paralajmëron për rrezikun e një përqendrimi të tepruar të pushtetit, ndërthurjen e politikës me krimin dhe ndikimin e parasë kriminale në ekonomi e politikë. Sipas tij, rasti i Zvërnecit thjesht nxori në sipërfaqe një revoltë që kishte kohë që po ziente.

“Ky nuk është një nocion abstrakt. Bëhet fjalë për një Shqipëri të mundësive të cilat janë dëmtuar rëndë, jo nga socialistët e thjeshtë, por nga patronazhistët, atyre që iu është dhënë mandat publik, akses në paratë publike dhe që kanë një aftësi për të qenë agresivë duke u pasuruar më parë duke kopjuar modelin e liderit. Kemi një risk për autokraci apo mbretëri kryeministrore, kemi një ndërthurje të politikës me krimin. Rama toleroi dhe bashkëpunoi me paranë kriminale duke kriminalizuar ekonominë dhe politikën shqiptare. Protesta është e domosdoshme dhe jetike. Kjo pakënaqësi ishte gati për të shpërthyer dhe flakën e fitilit e dha rasti i Zvërnecit ku policia private sfidoi policinë e shtetit dhe tërhoqi zvarrë një banor. Protesta u ktheu krenarinë shqiptarëve dhe duhet parë në aspektin pozitiv”, tha Malaj.

Një pjesë e madhe e intervistës iu kushtua deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili ka paralajmëruar për ndikime të huaja në protesta dhe ka argumentuar se fushata kundër investimit mund të dëmtojë ekonominë dhe turizmin. Malaj e kundërshton këtë qasje, duke e krahasuar me retorikën politike të përdorur gjatë krizës së vitit 1997. Ai thotë se nuk ekziston asnjë tregues që protestat paqësore po ndikojnë negativisht në ekonomi, ndërsa argumenton se problemet e turizmit në Vlorë lidhen me çështje të tjera shumë më të vjetra. Sipas tij, etiketimi i protestuesve dhe krijimi i një përplasjeje mes shqiptarëve është një rrugë e rrezikshme.

“Kryeministri s’duhet të marrë të njëjtin pozicion që mori PD në 1997, kur shqiptarët humbën 600 milionë dollarë, ndërsa PD me liderin e saj dhe agresivitetin në parlament, ulëriste që ky projekt, apo protesta nuk kishte të bënte me fajdet por ishte projekt i CIA-s, i grekëve, i Amerikanëve për të ndarë Shqipërinë. Ka një përafërsi. Pra është i njëjti mentalitet autokrat dhe neodiktatorial. Rama duhet të bëjë kujdes me përcaktimet. Nuk mund t’i quajë protestuesit fashistë apo të thotë që ata po shkatërrojnë ekonominë shqiptare. S’ka asnjë të dhënë. Nuk ka asnjë paralajmërim që ekonomia do të preket nga protesta. Kur ishin protestat e PD-së, Shqipëria ishte tym e flakë në mediat ndërkombëtare. Kompanitë turistike thanë se kishin rritje të rezervimeve me 18%. Si ka mundësi që protestat paqësore dëmtojnë turizmin dhe ekonominë? Është e pamundur. Nëse e ka dëmtuar turizmin e Vlorës ka qenë euforia e asaj që deklaroi Rama që në vitin 2026, aeroporti do të ishte gati. Nuk e di si mund të priten bileta për një aeroport jo të akredituar? Vlora nuk tronditet nga protestat paqësore. Ka 20 vjet që tymi i mbetjeve e vret më shumë turizmin. Problemet me ujin dhe dritat nuk i kanë penguar turistët. Pra, mos të përdorë protestën për të vënë shqiptarët kundër shqiptarëve. Patronazhistët partiakë që ushqehen me lekët e buxhetit nesër mund të dalin në rrugë të rrahin ‘fashistët’ që thotë Rama.” tha Malaj

Sa i përket pretendimeve për ndikime të huaja, Malaj thotë se këto çështje nuk kanë lidhje me protestuesit, por me detyrat e institucioneve të sigurisë. Në këtë kontekst ai ndalet te marrëdhënia e Shqipërisë me opozitën iraniane, sulmet kibernetike të Teheranit dhe vendimet që sipas tij kanë ekspozuar vendin ndaj rreziqeve të panevojshme. Malaj argumenton se kur një lider fillon ta shohë veten të rrethuar nga armiq, kjo kthehet në problem për demokracinë.

“A ka ndikime të huaja? Mund të ketë, por kjo nuk ka të bëjë me protestuesit. Ka të bëjë me detyrën bazë të shtetit që të identifikojë individë që mund të kenë prirje terroriste. Kryeministri ka një të drejtë. Po, Irani kërcënon sigurinë kombëtare. Arriti të hakeronte të gjitha të dhënat e shqiptarëve, nga rrogat tek agjentët sekretë. Pse Irani nuk sulmon Kroacinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi apo Bosnjën? Sepse kryeministri bëri një gabim të madh, injoroi presidentin, institucionet e sigurisë kombëtare dhe kërkoi të sillte në Shqipëri armë nga Siria. Kështu ndodhi dhe me iranianët. Ne do të merrnim vetëm 300 prej tyre, dhe të tjerët do të shkonin në vende të BE-së. Zgjidhja nuk është kjo që një vend kaq i vogël me fuqi të limituara të bëhej qendër e opozitës iraniane në Shqipëri. Kur i shton vendit tënd një risk të madh dhe nis e mendon se je i rrethuar nga armiqtë. Kur një lider mendon se është i rrethuar nga armiqtë, bëhet i rrezikshëm për demokracinë”, tha Malaj.

Debati për protestat nuk ishte e vetmja çështje ku Malaj shprehu kritika ndaj mënyrës së funksionimit të Partisë Socialiste. Duke komentuar largimin e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i PS-së, ai e lidhi rastin me mungesën e meritokracisë brenda partive politike dhe mënyrën se si, sipas tij, ndërtohen karrierat politike. Malaj tha se largimi i Koçekut nuk përbën goditje për mazhorancën, por e konsideroi një sinjal pakënaqësie nga brenda radhëve të socialistëve. Ai kritikoi edhe mënyrën se si u trajtua publikisht deputetja pas largimit të saj, duke argumentuar se deputetët i detyrohen Kushtetutës dhe qytetarëve, jo partive politike.

“Lidhur me atë që ndodh në grupin parlamentar të partisë, kur përzgjedhja dhe promovimi bëhet nga Rama pa meritokraci, patjetër që për ata vlen shprehja ‘pak njerëz janë skllevër të vërtetë, shumica janë skllevër vullnetarë dhe mos prisni gjë nga ata’. Rastet do të jenë sporadike por nuk do të trondisin Ramën. Një vajzë e re që Rama e prezantoi si zëvendësuesen e Koçekut, kishte bërë një postim shumë përçmues kundër saj. Mua më vjen keq që brezi i ri i politikanëve janë emocionalë, nuk lexojnë, nuk studiojnë, nuk njohin eksperiencat më të mira. Ajo dhe çdo deputet tjetër sipas Kushtetutës, nuk e fitojnë mandatin pa bërë betimin e deputetit. Të gjithë atje betohen për Shqipërinë jo për partinë. Kemi modelin e Curcillit që për partinë nuk ndryshon parimet dhe për parimet ndryshon partitë dhe kjo vajzë është në këtë stad”, tha Malaj.

Ish-ministri kundërshtoi edhe pretendimet se Koçeku duhet të dorëzojë mandatin pas largimit nga Partia Socialiste. Sipas tij, Kushtetuta e njeh mandatin si personal dhe deputetja vazhdon të përfaqësojë të njëjtët qytetarë që i kanë dhënë votën. Malaj argumentoi se një deputet nuk mund të humbasë mandatin vetëm sepse nuk është më pjesë e forcës politike që e ka kandiduar.

“Ajo është deputete e pavarur. Përfaqëson të njëjtët qytetarë, do ngrejë probleme për ta. Llogjika kushtetuese thotë tjetër gjë. Nëse duhej që çdo deputet që ikën nga partia të humbasë mandatin, këtë do ta kishte kushtetuta e Shqipërisë. Mandati është personal në aspektin kushtetues. Ne nuk i duam deputetët manekin. Rama nuk të fut në listë pa të ditur potencialin. Rama fut në listë ata që përdor. Në moralin kushtetues dhe individual ajo është në rregull me votuesit e saj. Ajo e ndien që ka diçka që nuk shkon në atë parti. Nuk ka gjë të keqe të dalësh i pavarur”, tha Malaj.